Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka vazhduar takimet e tij me përfaqësuesit e Serbisë, të ndërmjetësuar nga diplomatë amerikanë, pavarësisht thirrjeve të kryeministrit, Albin Kurti për një unifikim të politikës së jashtme, me theks të veçantë për dialogun me Serbinë.
Ai më 2 mars, u takua në Shtëpinë e Bardhë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, për siç tha “mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare” në mes dy vendeve. Ky takim u thirr nga i dërguari i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ambasadori Richard Grenell dhe këshilltari për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien.
"Fundi i dialogut duhet të vijë sa më shpejt që të jetë e mundur me një marrëveshje përfundimtare, e cila nënkupton njohjen reciproke, jo më pak ose më shumë, nën integritetin e tanishëm territorial”, tha presidenti Thaçi për Radion Evropa e Lirë.
Në një postim në Facebook, Thaçi ka kërkuar që t’i mundësohet raportimi në Kuvendin e Kosovës të mërkurën apo të enjten për t’i njoftuar deputetët për takimet në Uashington dhe çka është biseduar atje.
Përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës kanë reaguar pas takimit Thaçi-Vuçiq, për siç është thënë, moskoordinim me Qeverinë e Kosovës.
Kryeministri Albin Kurti, para nisjes së presidentit në SHBA, ka nisur një varg letrash drejtuar vetë presidentit dhe liderëve të partive politike.
Përmes këtyre letrave, Kurti fillimisht kishte ftuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi që të ulen dhe diskutojnë për unifikimin e qëndrimeve në politikën e jashtme, me theks të veçantë për dialogun me Serbinë.
SHIKONI EDHE: Në kërkim të unitetit politik para dialogut me SerbinëKurse liderëve të partive politike, opozitare, ai u është drejtuar që të harmonizojnë qëndrimet e brendshme rreth një gjithëpërfshirjeje në procesin e dialogut.
Kurti fton Thaçin për diskutimet për politikën e jashtme
Kurti ka përsëritur në disa deklarime, duke përfshirë edhe seancën e fundit të kuvendit të mbajtur më 2 mars, se ka ftuar presidentin Hashim Thaçi që të takohen dhe koordinohen për veprimet e institucioneve për politikën e jashtme.
"Po pres kur të kthehet presidenti (v.j. nga SHBA-ja) dhe le ta bëjmë një diskutim të hapur për politikën e jashtme. Ai ka disa qëndrime, unë kam disa ide, por deri sa nuk isha kryeministër mi shkruante nga dy letra në ditë, tash po ikë", ka deklaruar Kurti në kuvend. Ai ka konfirmuar po ashtu se letra u ka dërguar edhe kryetarëve të partive opozitare, por nuk ka marrë përgjigje.
Ndërsa e ka ftuar në takim për të unifikuar politikën e jashtme, Kurti ngre dyshimet e tij se Thaçi ka shkelur Kushtetutën me nënshkrimin e një “marrëveshjeje sekrete” me NATO-n, në vitin 2013, duke kërkuar nga kryetarja e kuvendit, Vjosa Osmani që të kalojë këtë çështje në kuvend, ku deputetët do ta vlerësojnë nëse Thaçi duhet shkarkuar nga detyra e presidentit.
Në Qeverinë e Kosovës theksojnë se është e domosdoshme që institucionet dhe partitë politike të harmonizohen për politikën e jashtme.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi, tha për Radion Evropa e Lirë, se në vazhdimësi po përpiqen që bashkërendimi të bëhet brenda përkufizimit të përgjegjësive dhe të drejtave që i jep Kushtetuta e Kosovës.
"Sigurisht që nuk jemi në nivelin e kënaqshëm sepse nuk kanë ndodhur takimet para Konferencës së Mynihut. Gjithashtu, nuk kanë ndodhur diskutimet dhe koordinimi para vizitës së presidentit në SHBA. Kjo në fakt tregon se mendësia e vjetër e qeverisjes dominon vetëm te presidenti", tha Abazi.
Abazi tha se si qeveri janë të hapur për takime e koordinim në të mirën e vendit dhe respektimin e plotë të Kushtetutës.
"Do të insistojmë që asnjë hap të mos bëhet pa koordinim dhe pajtim sidomos kur vjen puna te çështjet që janë delikate dhe të komplikuara dhe se raportet me shtetin e Serbisë janë të atij lloji", tha Abazi.
Radio Evropa e Lirë ka provuar të kontaktojë me anëtarët e kabinetit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për të kuptuar se si do të bëhet koordinimi mes presidencës dhe qeverisë në politikën e jashtme, por kontakti me ta ka qenë i pamundur.
“Një shtet, dy politika të jashtme”
Më herët, para shkuarjes së presidentit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bekim Çollaku shef i stafit në Presidencë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se unifikimi i politikës së jashtme mbetet imperativ i përhershëm.
“Kjo nuk duhet të vihet në pyetje në asnjë rast, pavarësisht nga sfidat me të cilat përballemi. Të gjitha institucionet shtetërore janë të detyruara të sillen dhe koordinohen ashtu siç parashihet me Kushtetutën tonë ", ka thënë Çollaku për REL më 19 shkurt.
Njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë, konsiderojnë se Kosova deri më tash në rrafshin ndërkombëtar është prezantuar me dy lloje të politikës së jashtme.
SHIKONI EDHE: ‘Rigjenerimi’ i diplomacisëButrint Berisha nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike, thotë për Radion Evropa e Lirë, se nëse një shtet ka dy lloje të politikave të jashtme, mund të konsiderohet se ai shtet nuk ka fare politikë të jashtme.
"Një nga aspektet më shqetësuese është se lufta politike mes partive është bartur në politikën e jashtme, edhe në shërbimin diplomatik edhe në aspektin e luftës se si duhet të prezantohet Kosova jashtë”.
“Edhe shkëmbimet e fundit mes kryeministrit të ri dhe presidentit, mendoj se janë në atë valë dhe sigurisht që kjo nuk është lajm i mirë, sidomos kur kemi parasysh që jemi para një fazë, ku siç duket, do të kemi angazhim diplomatik veçanërisht të SHBA-së për t'i dhënë një epilog procesit të dialogut", tha Berisha.
Ai tha po ashtu se mënyra se si ka funksionuar deri tash politika e jashtme e Kosovës ka shkaktuar dëme të mëdha për vendin.
"Secilën herë që kryeministri dhe presidenti komunikojnë në këtë mënyrë përmes mediave, duke u akuzuar mes veti, natyrisht që politika e jashtme e Kosovës vuan dhe dëmtohet", tha ai.
Njohësit e zhvillimeve në Kosovë kanë deklaruar se politika e jashtme e Kosovës gjatë viteve të fundit ka pësuar një periudhë mjaft të vështirë, me një betejë mes presidentit dhe qeverisë së kaluar për të udhëhequr procesin e dialogut politik mes Kosovës dhe Serbisë. Në këtë drejtim, thonë ata, Kosova ka pasur dy lloje të politikave të jashtme të udhëhequra në dy drejtime.