Gruevski kërkon azil politik në Hungari

Ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski

Ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski bëri të ditur ka kërkuar azil politik në Hungari.

Përmes një postimi në Facebook ai tha se “ditëve të fundit kam marrë një numër të madh kërcënimesh për jetën time. Tani jam në Budapest dhe kërkova azil politik nga autoritetet hungareze”.

Gruevski ka shtuar se "do t'i qëndroj besnik kauzës së Maqedonisë. Asnjëherë nuk do të heq dorë".

Ministria e Punëve të Brendshme dhe ajo për Punë të Jashtme në Maqedoni kanë konfirmuar se Gruevski është në Budapest dhe se ka aplikuar për azil politik në Hungari.

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se do të kërkojë nga Gjykata Penale lëshimin e fletarrestit ndërkombëtar për Gruevskin.

Në Ministrinë e Jashtme është ftuar pasditen e së martës edhe ambasadori i Hungarisë në Shkup, Laslo Dukas. Detaje nuk janë dhënë, por në komunikatë qëndron se “në rrugën evropiane dhe euroatlantike Maqedonia mbështet vlerat e ndërtimit të shtetit ligjor, funksionimin e gjyqësisë së pavarur dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev më herët gjatë ditës është shprehur se nuk e di nëse Gruevksi ndodhet jashtë vendit.

“Ende nuk e dimë nëse bëhet fjalë për arratisje ose jo. T’i lëmë shërbimeve që të zgjidhin rastin. Së pari duhet të vërtetojmë nëse Nikolla Gruevski ndodhet jashtë shtetit”, ka deklaruar kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev.

Ndërkaq, Qeveria e Hungarisë, në një përgjigje të shkurtër për Radion Evropa e Lirë, nuk ka mohuar e as pohuar se Gruevski ka aplikuar për azil.

“Nuk mund ta konfirmojmë ose mohojmë. Ne nuk komentojmë lidhur me aplikimet individuale të cilat ende janë në procesim”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë hungareze.

Edhe nga partia e Gruevskit, VMRO-DPMNE-ja thonë se nuk posedojnë informacione mbi vendndodhjen e ish-kryetarit të saj.

Më herët gjatë ditës, edhe Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë tha se ende nuk posedon informacione mbi vendndodhjen e ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski për kapjen e të cilit të hënën policia ka lëshuar edhe fletarrestim me kërkesë të Gjykatës Penale të Shkupit.

SHIKONI EDHE: Fletarrestim për Nikolla Gruevskin

Gruevski kërkohet që të dërgohet në burg për të vuajtur dënimin prej dy vjet burgim për shpërdorim të detyrës për blerjen e një makine luksoze qeveritare. Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski për gjendjen e krijuar ka fajësuar organet gjyqësore të cilat sipas tij nuk kishin caktuar masën e paraburgimit edhe për faktin se Gruevski po gjykohet edhe për vepra tjera edhe më të rënda.

“Imagjinoni, jepet paraburgim për vjedhje të rënda, ndërsa për vepra të rënda penale nuk ka paraburgim. Policia punon me urdhër të gjykatës. Ekzistojnë masa të sigurisë dhe ato zbatohet në bazë të vendimeve të organeve gjyqësore”, tha Spasovski.

Ai tha se policia po mbledh informacione dhe po analizon të gjitha aspektet, por se detajet nuk mund të zbulohen pasi mund të dëmtojnë gjithë procesin.

“Mos prisni që do të vendosim transmetim në shesh dhe së bashku me policinë dhe mediat të realizojmë aksionin. Të gjitha informacionet që i kemi po i analizojmë dhe po punojmë në kapjen e këtij personi, por këtë aksion nuk mundemi ta zhvillojmë së bashku me opinionin, pasi e dëmtojmë procesin”, theksoi Spasovski, duke mos u ndjerë përgjegjës për moskapjen e Gruevskit.

Policia të hënën në mbrëmje ka bastisur banesën e Nikolla Gruevskit, por nuk e ka gjetur aty ndërsa ka tentuar të hyjë edhe në selinë e VMRO-DPMNE-së, të cilës edhe i takon.

SHIKONI EDHE: Prokuroria Speciale vazhdon “gjahun” pas ish zyrtarëve të korruptuar

Nga opozita tentimin e policisë për bastisje e kanë vlerësuar si presion politik, ndërsa u kanë bërë thirrje zyrtarëve policorë që në rast se dyshojnë se Gruevski fshihet brenda selisë së partisë, të futen bashkë brenda dhe të kontrollojnë.

“Kjo që po ndodh është grusht ndaj demokracisë. VMRO-ja është nën shtetrrethim të policisë, ndërsa anëtarët e partisë po bastisen dhe po shqetësohen nga ana e zyrtarëve policorë. Asnjëherë në historinë e Maqedonisë së pavarur nuk mbahet mend presion i këtillë ndaj opozitës. Ky është keqpërdorim i policisë, për qëllime partiake. Ky është një sulm ndaj të gjithë atyre që mendojnë ndryshe, dhe që kundërshtojnë politikën kapitulluese dhe anti-maqedonase të Zoran Zaevit”, ka deklaruar, Igo Janushev, Sekretar i Përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së.

Ish-kryeministri Nikolla Gruevskit gjykohet edhe në disa procese tjera gjyqësore për shpërdorime të tjera të detyrës zyrtare, për mashtrime zgjedhore, dhunë të porositur ndaj ish-drejtuesve të opozitës në një komunë të Shkupit, e keqpërdorime tjera financiare.