Në Kuvendin e Maqedonisë ka nisur procedura për marrjen e mandatit deputetit, Nikolla Gruevskit. Komisioni për Çështje të Mandateve dhe Imunitetit me shumicë votash ka miratuar vendimin për t'i propozuar Kuvendit marrjen e mandatit ish-kryeministrit Gruevski, i dënuar me dy vjet burgim për shpërdorim të detyrës gjatë procedurës për blerjen e një makine luksoze në vlerë prej 600 mijë euro.
Vendimin për dënimin e Gruevskit e ka fuqizuar edhe Gjykata e Apelit, ndërsa Gruevski në burg duhet të paraqitet më 8 nëntor, por nuk përjashtohet mundësia që të ketë shtyrje prej disa ditëve, bazuar në procedurat që kanë të bëjnë me kërkesën për shtyrjen e vuajtjes së dënimit.
Kërkesën për marrjen e mandatit nga VMRO-DPMNE-ja e kanë vlerësuar si të motivuar politikisht, ndërsa kanë drejtuar kritika të shumta, për siç thonë, politizimin e gjyqësorit.
“Maqedonia për fat të keq sot nuk ka institucione gjyqësore të pavarur, ndërsa deputetët po gjykohen në procese të motivuara politikisht. Për herë të parë pas 20 vjet demokraci jemi dëshmitar të presioneve ndaj institucioneve dhe shkeljes së drejtësisë. Institucionet po shfrytëzohet për qëllime politike. Sot, po kërkohet marrja e imunitetit të deputetit, që nuk është asgjë tjetër pos proces i motivuar politikisht për të shpërqendruar vëmendjen nga problemet reale. Sipas ligjit, gjykatat janë të pavarura, por për fat të keq, këtu në Maqedoni mungon diçka e tillë”, ka deklaruar deputeti i VMRO-DPMNE-së, Trajko Veljanovski.
Por, nga Lidhja Social Demokrate në pushtet, kanë hedhur poshtë akuza, ndërsa mbështesin procedurën për marrjen e mandatit duke theksuar se drejtësi duhet të ketë për të gjitha rastet, përfshirë edhe në rastin e ish-kryeministrit Gruevski.
“Drejtësi duhet të ketë. Maqedonia është shtet juridik në të cilën ligjet vlejnë njësoj për të gjithë. Nuk mbajnë pretendimet e opozitës për ndjekje politike, përkundrazi si asnjëherë më parë në Maqedoni po sundon shteti ligjor, ligjet pozitive dhe drejtësia në përgjithësi, gjë për të cilën kemi luftuar gjatë gjithë kohës së qeverisjes së pushtetit të kaluar, pasi ajo periudhë ishte ndër më të këqijat sa i përket sundimit të së drejtës”, ka deklaruar deputeti i LSDM-së, Aleksandar Kiracovski.
Njohësit e çështjeve politike, ndërkohë thonë se rasti me Gruevskin duhet të marrë epilog të drejtë gjyqësor, që më në fund te qytetarët të mund të kthehet besimi i humbur në sistemin e drejtësisë. Ish-deputeti, Ismet Ramadani thotë se kërkesa për marrjen e mandatit të Gruevskit duhet të mbështetet nga të gjithë deputetët, pasi në të kundërtën, ata do llogariten si përkrahës të keqpërdorimeve që mund të jenë bërë nga ana e tij.
“Të gjithë ata deputetë të cilët nuk do të votojnë për t’ia marr mandatin Nikolla Gruevskit, në aspektin moral sikur nuk respektojnë pushtetin e tretë, respektivisht gjyqësorin. Apo të gjithë ata që nuk do të votojnë në një mënyrë paraqiten si përkrahës të kriminalitetit sepse bëhet fjalë për një proces gjyqësor të përfunduar”, thotë Ramadani.
Ish-kryeministri Nikolla Gruevski ndërkohë po gjykohet edhe për shpërdorime të tjera të detyrës zyrtare, për mashtrime zgjedhore, dhunë të porositur ndaj ish-drejtuesve të opozitës në një komunë të Shkupit, e keqpërdorime tjera financiare.
Nikolla Gruevski ka udhëhequr me VMRO-DPMNE-në gati 15 vjet, ndërsa 10 vjet ka qenë kryeministër, nga viti 2006 deri në vitin 2016, kur u zëvendësua fillimisht nga një kryeministër teknik nga radhët e partisë së tij, e më pas nga kryeministri aktual, social-demokrati Zoran Zaev.