Prokuroria Speciale e Maqedonisë njoftoi të mërkurën për nisjen e hetimeve për raste të reja që kanë të bëjnë me shpërdorimin e detyrës zyrtare.
Në mesin e të akuzuarve janë ish-kryeministri, Nikolla Gruevski, ish-ministri i Financave, Zoran Stavreski, ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski, ish-ministri i Shëndetësisë, Bujar Osmani, dhe shumë zyrtarë të tjerë të lartë dhe drejtues e anëtarë të komisioneve të tenderit.
Sipas Prokurorisë Speciale Publike, të akuzuarit dyshohet se kanë dëmtuar buxhetin e shtetit me rreth 80 milionë euro.
Ish-kryeministri dhe ish-ministrat akuzohen në gjashtë raste të veçanta të koduara me emrat: “Dhurata”, “Propaganda”, “Dizajni”, “Harmonia”, “Stacionet bazë” dhe “Pacienti”.
Hetimet përfshijnë periudhën nga viti 2010.
Nga personat e akuzuar, ish-ministri i Shëndetësisë, Bujar Osmani, në qeverinë e tanishme është zëvendëskryeministër për çështje evropiane dhe zyrtari i parë i partisë shqiptare Bashimi Dekomratik për Integrim që akuzohet nga Prokuroria Speciale për shpërdorime kur kjo parti ishte në pushtet me VMRO-DPMNE-në - tani parti në opozitë.
Ish-kryeministri, NIkolla Gruevski, është duke u gjykuar edhe për vepra tjera, ndërsa për një prej tyre është dënuar me 2 vjet burgim.
Akuzat e Prokurorisë Speciale kanë për bazë bisedat e përgjuara telefonike, të publikuara në shkurt të vitit 2015.
Lexoni edhe këtë: Gordana Jankullovkska dënohet me 6 vjet burgim