Sami Thaqi, është zyrtari i 21-të policor i Kosovës që ka humbur jetën në krye të detyrës, që nga themelimi i Policisë së Kosovës, 20 vjet më parë.
Ky pjesëtar i Policisë së Kosovës ka humbur jetën gjatë një aksioni bastisjeje në fshatin Zhur të Prizrenit, kurse dy zyrtarë të tjerë policor ishin lënduar, prej të cilëve njëri kishte marrë plagë të rënda.
Që nga rasti i parë i vrasjes së një zyrtari policor, që është regjistruar në shtator të vitit 2001, në vazhdimësi është ngritur edhe shqetësimi për mungesën e sigurimit shëndetësor e jetësor për të gjithë ata zyrtarë, që përkujdesen për rendin dhe ligjin.
Krahas numrit prej 21 policëve që humbën jetën në detyrë, numri i policëve të lënduar në kryerje të detyrës, konsiderohet të jetë shumë më i madh.
Kërkesa për sigurim shëndetësor dhe aksidental për Policinë e Kosovës është e kamotshme, por që deri më tani, asnjë nga qeveritë e deritashme të Kosovës, nuk ka arritur ta përmbushë, thotë për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Shaban Tasholli.
SHIKONI EDHE: Policët e Kosovës pa sigurim shëndetësor e jetësorAi thotë se rasti i fundit i vrasjes së policit, ngritë nevojën urgjente të krijimit të sigurimeve shëndetësore e jetësore për policët. Tasholli tregon se e vetmja ndihmë që familjarët e policëve që humbin jetën në detyrë, është një përqindje e pagës mujore.
“Policia e Kosovës nuk kanë as sigurim jetësor dhe as shëndetësor. Mirëpo në rastet specifike të lënduarit në detyrë, ekziston mundësia që shpenzimet të realizohen nga Drejtoria e Policisë”, tha Tasholli.
Kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj gjatë vizitës që i ka bërë policit Artur Mrasori, në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë, që mbeti i lënduar të martën i pasojë e një shpërthimi gjatë aksionit të 28 janarit në Zhur të Prizrenit, tha se Ligji për sigurimet shëndetësore për policinë dhe Ligji për pensionim të parakohshëm, janë të domosdoshëm dhe do të miratohen.
“Është një kërkesë e drejtë e policisë për Ligjin për sigurime shëndetësore dhe Ligjin për pensionim të parakohshëm. Jemi në pritje të formimit të qeverisë së re për t’i dërguar këto ligje për miratim dhe kjo do të ndodhë”, tha Haradinaj.
“Gjatë këtyre dy vjetëve, është e vërtetë që kemi qenë më afër policisë edhe me buxhet edhe me përkrahje që nuk ka ndodhur ndonjëherë, mirëpo ato dy ligje janë të domosdoshme dhe duhet të realizohen”, tha Haradinaj.
SHIKONI EDHE: Thaçi shpall të enjten ditë zie për policin e ndjerëQeveria në largim e Kosovës, gjatë mbledhjes të mbajtur të mërkurën, vendosi që të ndajë 15 mijë euro për familjen policit të vrarë, Sami Thaqit, kurse nga 10 mijë euro për dy policët e lënduar gjatë aksionit në Zhur të Prizrenit.
Po në këtë mbledhje u vendos që familjeve të policëve të rënë në detyrë t’u jepet një shumë prej 300 eurosh çdo muaj, përveç pensionit që e marrin tash.
Në anën tjetër, Shaban Tasholli tregon se sindikata në disa raste ka ndihmuar familjarët e policëve që kanë humbur jetën në detyrë.
Sindikata në tri raste ka grumbulluar mjete financiare, në një rast janë ndarë 13 mijë euro, në dy raste tjera nga 2500 euro. Jemi interesuar për fëmijët e tyre, për shkollimin e tyre. Në çdo universitet dhe Kolegj privat, fëmijët e policëve të vratë mund të regjistrohen dhe vazhdojnë studimet pa pagesë. Këto kanë qenë mundësitë tona në vijën sindikale që të ndihmojmë fëmijët e policëve të vrarë në detyrë”.
Përveç mungesës së sigurimeve shëndetësore dhe jetësore, pjesëtarët e policisë pagën bazë e kanë 330 euro në muaj, kurse me Ligjin e ri, i cili është pezulluar nga Gjykata Kushtetuese Kosovës, pritet që paga bazë për Policinë e Kosovës të jetë 520 euro në muaj.
Kompensimi për familjarët e policëve të vrarë
Ardita Demaj, është bashkëshortja e policit të vrarë, Izet Demaj nga Komuna e Istogut, i cili u vra gjatë kryerjes së detyrës zyrtare në fund të vitit 2018. Ai ishte vrarë gjatë një shkëmbimi të shtënash me armë zjarri ndërmjet një personi të dyshuar për plaçkitje të një banke dhe pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
Aktualisht, Ardia Demaj është e papunë dhe jeton me dy vajzat e saj. Ajo tregon se pas vrasjes së bashkëshortit në detyrë, si kompensim merr 80 për qind të pagës bruto apo mbi 300 euro muaj.
Menjëherë pas vrasjes së bashkëshortit, tregon ajo, ka pasur ndihma të ndryshme, kurse aktualisht merr vetëm pensionin.
“Kjo shumë mjafton deri diku. Kërkesat familjare janë të mëdha. Në fillim pas vdekjes, janë përgjigjur edhe institucionet, edhe persona privat në forma të ndryshme”, tha Demaj për Radion Evropa e Lirë.
Në bazë të Ligjit për Policinë e Kosovës, në rast të vdekjes në detyrë të zyrtarit policor, policia paguan shpenzimet e ceremonisë se varrimit, po ashtu paguan bashkëshorten/in apo fëmijët nën moshën 18-vjeçare me një ndihmë financiare të menjëhershme në një shumë që është e barabartë me pagën mujore bruto të shumëzuar me gjashtë.
Në raste të caktuara sipas vlerësimit, thuhet në ligj, qeveria mund të ndajë shumë më të lartë financiare të menjëhershme për zyrtarin policor i cili ka vdekur në kryerje të detyrës.
Bashkëshorti/ja dhe fëmijët nën moshën 18-vjeçare, kanë të drejtë në pension familjar deri në vlerën prej 60 deri në 80 për qind të pagës bruto.
Policia e Kosovës vazhdon të jetë një nga institucionet më të besueshme në sytë e qytetarëve, thuhet në raporte të ndryshme të organizatave joqeveritare, të cilat pasqyrojnë perceptimet rreth funksionimit dhe besueshmërisë në institucione.