Pikëpyetjet e zgjedhjeve të Francës

Udhëheqësja e së djathtës ekstreme franceze, Marine Le Pen.

Këtë fundjavë, qytetarët në Francë, një prej vendeve më të rëndësishme për Perëndimin, për Bashkimin Evropian dhe për Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), u drejtohen vendvotimeve për të zgjedhur një përbërje të re të Parlamentit.

Zgjedhjet, që parashihet t’i japin një tjetër goditje presidentit me shpatulla për muri, Emmanuel Macron, teksa e djathta ekstreme dhe e majta ekstreme pritet të shënojnë suksese, do të kenë pasoja që do të bëjnë jehonë në mbarë kontinentin.

Radio Evropa e Lirë u përgjigjet pyetjeve tuaja për zgjedhjet e Francës.

SHIKONI EDHE: Macron shpërndan Parlamentin francez pas fitores së të djathtës ekstreme

Pse këto zgjedhje po mbahen tani?

Franca mbajti zgjedhjet parlamentare më 2022 – disa muaj pas zgjedhjeve presidenciale, që kthyen Emmanuel Macronin në Pallatin Elize për pesë vjet të tjerë. Dhe, po, këto zgjedhje të parakohshme, të cilat do të mbahen në dy runde, më 30 qershor dhe më 7 korrik, kanë të bëjnë shumë me të, duke qenë se ai i shpalli ato pas një disfate të turpshme në zgjedhjet për Parlamentin Evropian, me herët gjatë qershorit.

Aty, koalicioni i tij centrist mori vetëm 15 për qind të votave, përderisa rivalët e tij zgjedhorë, populistja e së djathtës ekstreme, Marine Le Pen, dhe Tubimi Kombëtar i saj u renditën bindshëm të parët, me mbi 30 për qind të votave.

Shumë njerëz e panë këtë hap si bixhoz, teksa Macron praktikisht i pyeti francezët nëse ky është drejtimi drejt të cilit ata duan të lëvizin, apo zgjedhjet e fillimqershorit ishin rast i izoluar.

A po shpaguhet bixhozi?

Nëse i shikojmë anketat, jo, aspak. Në të vërtetë, Tubimi Kombëtar pritet të marrë ndërmjet 30 dhe 34 për qind të votave, kurse koalicioni Bashkë i Macronit duket se mezi do t’i afrohet 20-përqindëshit. Me këtë rezultat, ata nuk do të dilnin as të dytët.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe udhëheqësja e ekstremit të djathtë francez, Marine Le Pen, në Pallatin Elysee - Fotografi nga arkivi.

Fronti i Ri Popullor, i krijuar së voni si koalicion ndërmjet të gjelbërve, socialdemokratëve, komunistëve dhe Francës së Panënshtruar të majtistit Jean-Luc Melenchon, pritet të marrë, sipas sondazheve, rreth 30 për qind të votave dhe ta sfidojë Tubimin Kombëtar.

Ata ende nuk kanë ndonjë kandidat për kryeministër për ta propozuar, në rast se fitojnë, ndërsa periudha para zgjedhjeve është dominuar nga shkëmbimi i fyerjeve pothuajse të përditshme ndërmjet partive. Por, kjo nuk është asgjë krahasuar me kaosin te Republikanët dikur dominues nga qendra e djathtë – parti e ish-presidentëve Jacques Chirac dhe Nicolas Sarkozy.

Pasi Macron shpalli zgjedhjet, kryetari i partisë, Eric Ciotti, bëri pakt me Tubimin Kombëtar prapa shpinës së pjesës tjetër të partisë, duke nxitur figura të tjera brenda partisë të përpiqen ta rrëzojnë, teksa skenat i ngjanin një komedie të mirë e të vjetër franceze. Nuk është për t’u habitur që anketat parashikojnë se ata do të marrin vetëm 7 për qind të votave, rezultat që do t’i linte ata të katërtit.

Cili do të jetë fundi?

Pyetje shumë e mirë. Kështu është puna: Përqindjet e mësipërme nuk janë fort të rëndësishme, sepse 577 vendet në Parlament nuk ndahen në mënyrë përpjesëtimore. Kandidatët po garojnë për 577 njësi zgjedhore.

SHIKONI EDHE: Franca mund të përballet me dhunë shkaku i zgjedhjeve, thotë ministri i Brendshëm

Ndonëse këto janë zgjedhje nacionale, shumëçka ka të bëjë me personalitetet lokale dhe me çështjet lokale.

Nëse asnjëri kandidat nuk merr 50 për qind të votave në rundin e parë, dy kandidatët që marrin më së shumti vota do të përballen me njëri-tjetrin në rundin e dytë, më 7 korrik. Për t’i ndërlikuar gjërat edhe më shumë, cilido kandidat që mbështetet nga 12.5 për qind e votuesve në rundin e parë fiton, po ashtu, rastin të shkojë në balotazh.

Më 2022 qenë vetëm shtatë gara trepalëshe në rundin e dytë, por mund të presim më shumë të tilla këtë verë. Pra, prisni të shihni shumë marrëveshje që do të lidhen ndërmjet partive, para 7 korrikut.

Gjithçka do të jetë e lidhur me votimet taktike, për të parandaluar apo për të promovuar kandidatin e njërës apo tjetrës parti.

Dhe, përderisa partia e Macronit pritet të pësojë disfata në shumë vende, votuesit e tij në fund të mund të jenë faktori përcaktues, duke zënë pozicion më majtist apo më djathtist.

A do ta formojë ndokush shumicën?

Pavarësisht vështirësive në parashikimin e rezultatit në ato që në fakt janë 577 palë zgjedhje lokale me dy runde, disa projeksione tashmë janë bërë. Nevojiten 289 vende për të arritur shumicën në Parlament.

Tubimi Kombëtar, i cili aktualisht ka 88 vende, pritet t’i fitojë mbi 200, kurse Fronti i Ri Popullor afër apo mbi 200, po ashtu. Centristët e Macronit, në anën tjetër, mund të bien nga 250 vende, sa kanë sot, në më pak se 100. Ndonëse ka ndodhur tri herë që partia e presidentit të mos jetë pjesë e shumicës parlamentare, që prej formimit të Republikës së Pestë franceze në vitet 1950, ne mund të shohim edhe diçka krejtësisht të re këtë herë: një Parlament ku askush s’ka shumicë funksionale.

Ky mund të jetë skenar i mundshëm, teksa asnjëri prej tri blloqeve nuk gjen gjuhë të përbashkët me tjetrin, duke e bërë formimin e një koalicioni qeverisës pothuajse të pamundur.

Çfarë do të ndodhë nëse s’krijohet një shumicë?

Do të ketë paralizë. Jordan Bardella, aleati 28-vjeçar i Le Penit dhe kandidat për kryeministër nga radhët e Tubimit Kombëtar, ka thënë publikisht se mund të qeverisë vetëm nëse ka një shumicë.

Macron mund të përpiqet ta bëjë ndonjë “koalicion kombëtar të të vullnetshmëve”, me një kryeministër teknokrat. Disa kanë thënë se presidentja aktuale e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde, mund ta marrë këtë rol.

Kushtetuta ia pamundëson Macronit të shpallë zgjedhje të reja pa kaluar një vit tjetër. Një lloj qeverie në detyrë mund të funksionojë për një kohë, por ajo s’mund të miratojë ligje, vetëm buxhete.

Ka zëra se vetë Macron mund të japë dorëheqje, për ta zhytur Francën në krizë edhe më të madhe, por kjo nuk ka shumë gjasa të ndodhë. Si njeri në hall, ai mezi po e pret Olimpiadën verore, të organizuar nga Parisi, e cila fillon më 26 korrik, për t’i dhënë pak frymë sportive.

A mundet ekstremi i djathtë të fitojë bindshëm?

Sigurisht se po. Le Pen dhe Bardella kanë bërë punë të mirë për ta paraqitur Tubimin Kombëtar më të “pranueshëm” për një spektër më të gjerë të elektoratit.

SHIKONI EDHE: E djathta ekstreme në Francë shkakton shqetësim deri në Kosovë

Shumë shpresojnë se ata do të zbuten në pushtet, ngjashëm sikurse kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, dhe partia e saj Vëllezërit e Italisë, të cilët morën pushtetin me fitore bindëse më 2022.

Por, Le Pen është më djathtiste. Ajo ka marrë hua nga një bankë ruse, më parë ka shprehur admirim për Vladimir Putinin, dhe priret të jetë kundër BE-së dhe NATO-s.

Nëse ata do të ishin në pushtet, do të shtynin përpara politika më të ashpra për emigracionin, do të ulnin moshën e pensionimit në 62 vjet, do të ulnin tatimin mbi vlerën e shtuar në faturat e energjisë elektrike, do të kontestonin kontributin francez për buxhetin e BE-së, dhe do të shfuqizonin të drejtën automatike për marrjen e shtetësisë franceze për ata që kanë lindur në Francë nga prindër të huaj.

Çfarë do të nënkuptonte kjo për BE-në?

Të gjitha këto reforma kushtojnë. Tregjet mund të lëkunden, teksa paqëndrueshmëria financiare në ekonominë e dytë më të madhe të Eurozonës do të kishte ndikim përtej kufijve francezë.

Sipas disa llogaritjeve, programi i Tubimit Kombëtar mund të rrisë lehtësisht deficitin aktualisht të madh buxhetor prej 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, në mbi 6 për qind. Kjo është e rëndësishme, sepse Komisioni Evropian më herët gjatë qershorit e ka vendosur Francën në atë që quhet procedurë e deficitit të skajshëm, për kapërcimin e kufirit të deficitit fiskal të BE-së prej 3 për qind të PBB-së.

Rekomandime më të qarta priten nga Brukseli në nëntor, por BE-ja do të kërkojë që të kufizohen shpenzimet. Ky nuk është problemi i vetëm potencial me Brukselin.

Një qeveri e ekstremit të djathtë mund të vihet në shënjestër të BE-së për shkak të subvencionimit të firmave vendëse dhe shkeljes së rregullave të tregut të brendshëm të BE-së, për shkak të cenimit të tregut energjetik të BE-së dhe diskriminimit kundër qytetarëve të tjerë të BE-së.

Kjo fotografi tregon një poster të fushatës elektorale të partisë franceze të ekstremit të djathtë Tubimi Kombëtar në Callac, Francë, 27 qershor 2024.

Po politika e jashtme?

Vlen të theksohet se Franca është sistem presidencial, ku Macron ka fjalën e fundit për politikën e jashtme dhe sigurinë. Ai është prapë personi që përfaqëson vendin në samite vendimtare në BE, NATO dhe G7, sa për shembull.

Pra, mbështetja politike për Ukrainën dhe për zgjerimin e mëtejmë të BE-së, për shembull, do të vazhdojë. Por, ai mund të hasë në vështirësi kur bëhet fjalë për financimin e llojeve të ndryshme të nismave të huaja në të ardhmen, si mbështetja financiare dhe ushtarake për Kievin, pasi që një gjë e tillë kërkon aprovimin e Parlamentit. Pastaj, është edhe “efekti i frikësimit”.

Me një Parlament që sidomos nuk është i interesuar të mbështesë luftën apo të pranojë anëtarë të rinj në organizata si BE-ja dhe NATO-ja, Macron mund të ketë hapësirë edhe më të vogël për të manovruar.

Në njëfarë forme, ai rrezikon të ngelë president i pafuqishëm gjatë dy vjetëve të fundit të mandatit të tij, duke mos mundur të shtyjë përpara asnjërin prej planeve të mëdha të tij, siç janë integrimi më i madh i BE-së apo dërgimi i ushtarëve francezë në Ukrainë.

Përgatiti: Trim Haliti