Është rritur numri i shteteve që kanë pezulluar përdorimin e vaksinës kundër koronavirusit të kompanisë AstraZeneca, pas raportimeve për trashje serioze të gjakut te disa persona, pas vaksinimit.
Holanda i është bashkuar Irlandës, Danimarkës, Norvegjisë, Bullgarisë dhe Tajlandës, duke ndalur përdorimin e kësaj vaksine më 14 mars, ndonëse AstraZeneca ka thënë se nuk ka të dhëna se vaksina rrit rrezikun për trashje gjaku.
Në vendimin e marrë për këtë çështje, Holanda ka thënë se është bazuar në raportimet e Danimarkës dhe Norvegjisë, për mundësi të rrezikut dhe efekteve serioze anësore.
SHIKONI EDHE: A mund të ndikojë heqja e patentave në rritje të prodhimit të vaksinave?Pezullimi është “hap drejt kujdesit” dhe do të zgjasë deri më të paktën 29 mars, ka thënë Qeveria holandeze.
Pezullimi do të ndikojë në anulim të 43,000 termineve për vaksinim, ka thënë agjencia e lajmeve ANP.
Tre punëtorë shëndetësorë në Norvegji, të cilët kanë marrë këtë vaksinë, janë duke u trajtuar për gjakderdhje, trashje gjaku dhe numër të ulët të trombociteve, kanë thënë autoritetet shëndetësore norvegjeze më 13 mars.
AstraZeneca ka thënë se ka bërë “rishikim të kujdesshëm” të të dhënave të atyre që kanë pranuar vaksinën në Britani dhe Bashkimin Evropian.
“Rreth 17 milionë persona në Bashkimin Evropian dhe Mbretërinë e Bashkuar kanë marrë vaksinën tonë dhe një numër i rasteve të raportuara për trashje gjaku nga ky grup është më i vogël sesa qindra raste që do të mund të priteshin në mesin e popullsisë së përgjithshme”, ka thënë kryeshefja mjekësore e kësaj kompanie Ann Taylor në një deklaratë.
“Natyra e pandemisë ka ndikuar në rritje të vëmendjes ndaj rasteve individuale dhe jemi duke shkuar përtej praktikave standarde për monitorim të sigurisë së ilaçeve të licencuara për të garantuar sigurinë publike”.
Ndërkohë rajoni italian Piedmont ka thënë se do të ndalojë përdorimin e vaksinave të kompanisë AstraZeneca pasi një mësues ka vdekur pas vaksinimit më 13 mars.
Ky rajon është duke pritur rezultatet e kontrolleve të fundit për të verifikuar nëse ka pasur lidhje në mes të vdekjeve dhe vaksinimit, ka thënë qeveria rajonale përmes një deklarate.
Autoriteti për Ilaçe i Italisë ka thënë se alarmi për sigurinë e dozave të vaksinës së AstraZenecas nuk është arsyetuar dhe se nuk ka asnjë lidhje të konfirmuar në mes të vdekjes dhe vaksinimit.
SHIKONI EDHE: EMA: Nuk ka shenja që vaksina AstraZeneca shkakton sëmundjeOrganizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë po ashtu se nuk është vërejtur ndonjë lidhje në mes të vaksinës dhe trashjes së gjakut.
Përndryshe, Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm në Evropë që nuk ka nisur procesin e vaksinimit.
Skema e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVOX, përmes së cilës pritet të shpërndahen vaksinat për koronavirus në vendet e varfra, ka bërë të ditur se Kosova mund të furnizohet me këtë vaksinë deri në muajin maj.
Në dërgesën përmes COVAX-it, Kosova do të përfitojë 100,800 doza të vaksinës së prodhuar nga kompania AstraZeneca.
SHIKONI EDHE: Doza humori për vaksinatMinistria e Shëndetësisë në Kosovë, në fillim të muajit janar, pati njoftuar se ka marrë konfirmim nga kompania amerikane, Pfizer, për sigurimin e 535,000 vaksinave kundër koronavirusit.
Mirëpo zyrtarë të kësaj kompanie i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se ende janë në diskutime me Qeverinë në detyrë të Kosovës për furnizim me vaksina.