Të dielën, më 20 nëntor, fillon turneu sportiv më i shikuar dhe më fitimprurës në planet. Përgjatë një muaji, Kupa e Botës 2022 do ta magjepsë audiencën dhe do t'i dominojë ekranet televizive e diskutimet e përditshme kudo në glob.
Gjithsej 64 ndeshje do të zhvillohen, përfshirë këtu 48 ndeshje të fazës së grupeve.
E, përderisa të gjitha do të kenë rëndësi, disa ndeshje do t’ia shtojnë turneut një shije të veçantë. Disa për arsye politike, disa për rivalitetin në futboll.
Radio Evropa e Lirë i ka zgjedhur pesë ndeshjet që nuk duhet t’i lini pa i shikuar.
Video: Kupa e Botës 2022: data e nisjes, orari, ekipet, stadiumet dhe finalja
20 nëntor: Katari - Ekuadori
Kjo do të jetë ndeshja hapëse e atij që mund të quhet turneu më kundërthënës i Kupës së Botës në histori dhe presioni do të jetë i madh mbi vendin nikoqir që do të luajë për herë të parë në Kupën e Botës.
Katari do të tentojë t’i reklamojë tetë stadiumet e reja shndritëse dhe infrastrukturën moderne që lidh stadiumet mes vete në shtetin e vogël të Gjirit. Por, do të ketë ende pyetje të mbetura për kostot njerëzore gjatë ndërtimit të kësaj infrastrukture. Më herët këtë vit, The Guardian raportoi se 6.500 punëtorë emigrantë, kryesisht nga Azia jugore, kanë vdekur gjatë 11 vjetëve që kur Katari u zgjodh nikoqir i turneut. Shumë kanë thënë se këto vdekje janë të lidhura me punën në kushte të këqija dhe në nxehtësi ekstreme.
Disa aktivistë besojnë se numri i vërtetë është edhe më i lartë dhe Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka thënë se vendi nuk i hetoi dhe raportoi në mënyrë adekuate vdekjet e punëtorëve, pasi që autopsitë e tyre nuk u bënë në mënyrë rutinore. Megjithatë, Katari është kundërpërgjigjur, duke cituar vendimin për pagë minimale mujore prej 275 dollarësh dhe shfuqizimin e një programi sponsorizimi, të quajtur “Kafala”, për të cilin pretendohej se përfshin punë të detyruar.
Por, ka edhe shqetësime të tjera para nisjes së turneut. Homoseksualiteti dënohet në Katar me deri në tre vjet burgim, ndërkohë të drejtat e grave janë të kufizuara. Për më tepër, ka dyshime lidhur me mënyrën se si, në vitin 2010, Katari e fitoi të drejtën e organizimit të turneut, shkaku i pretendimeve për blerje votash dhe ryshfete.
Vlen të theksohet se 15 nga 22 anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s, që e zgjodhën Katarin si nikoqir para 12 vjetësh, janë përballur me kallëzime penale ose janë përjashtuar nga organi qeverisës i futbollit botëror, përfshirë këtu edhe ish-presidentin famëkeq të FIFA-s, Sepp Blatter.
SHIKONI EDHE: Amnesty International: FIFA t’i kompensojë punëtorët migrantëMbetet ende e paqartë se si do t’i përgjigjen kësaj ekipet e ndryshme. Së fundi, presidenti aktual i FIFA-s, Gianni Infantino, u shkroi letër të gjitha vendeve pjesëmarrëse për t’i kërkuar “të përqendrohen në futboll” dhe duke shtuar se sporti nuk duhet të bëhet pjesëmarrës në “betejat ideologjike dhe politike që ekzistojnë”.
Edhe pse mesazhet e dukshme politike nuk lejohen, disa ekipe para turneut kanë dërguar mesazhe të ndryshme për të drejtat e njeriut përmes bluzave të veshura gjatë përgatitjeve para turneut. Skuadra e Danimarkës do të mbajë bluza me ngjyra më të zbehura, ku logoja nuk do të jetë shumë e vërejtshme, pasi që furnizuesi i tyre, Hummel, tha se “nuk dëshirojmë të jemi të dukshëm gjatë një turneu që u ka kushtuar mijëra njerëzve me jetë”.
Dhe, kur ky turne të nisë të dielën, Katari do të luajë kundër një skuadre, Ekuadorit, që disa besojnë se nuk duhej të ishte kualifikuar fare. Ky është të paktën qëndrimi i federatave të futbollit të Kilit dhe Perusë, që përfunduan pas Ekuadorit në kualifikimet e Amerikës së Jugut për Kupën e Botës dhe e humbën mundësinë të marrin pjesë në turneun Katari 2022.
Problemi që po vazhdon të diskutohet qe më shumë se një vit ka të bëjë me një lojtar të Ekuadorit, Byron Castillo. Por, a është ai nga Ekuadori? Kili dhe Peru pretendojnë se në fakt kishte lindur në Kolumbi më 1995 dhe jo në Ekuador më 1998, siç thuhet në dokumentet zyrtare të tij. Kili dhe Peruja pretendojnë se Ekuadorit duhet t’i zbriten pikët për përdorim në kualifikime të një lojtari që nuk është qytetas i vërtetë i atij vendi. E gjitha kjo u vendos në fillim të këtij muaji, kur Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) vendosi se edhe pse ai kishte lindur në Kolumbi më 1995, nacionaliteti i një lojtari përcaktohet nga ligjet kombëtare dhe meqë Ekuadori e njeh Castillon si qytetas ekuadorian, ai mund të luajë për ta dhe Ekuadori mund të luajë në Kupën e Botës.
Megjithatë, ata u ndëshkuan për përdorimin e dokumenteve me informata të rrejshme, kështu që Ekuadori do t’i nisë kualifikimet për Kupën e Botës të ardhshme me minus tri pikë. Përfundimisht, Castillo nuk ishte pjesë e listës së lojtarëve të zgjedhur nga Ekuadori për Kupën e Botës, sipas të gjitha gjasave për të mos rrezikuar asgjë ligjërisht. Dhe, kështu mund të thuhet me siguri se ndeshja hapëse e Kupës së Botës do të jetë e pabesueshme në shumë aspekte.
SHIKONI EDHE: Statusi i grave në Katar, nikoqirit të Kupës së Botës27 nëntor: Spanja - Gjermania
Përballja e “peshave të rënda” në fazën e grupeve do t’i vë përballë njëra-tjetrës dy gjigantë të futbollit, që së bashku numërojnë pesë kupa të këtij turneu.
Por, kjo do të jetë gjithashtu një përballje mes dy vendeve që po tentojnë ta rigjejnë versionin e pandalshëm të vetes pas disa viteve më të dobëta. Përveç kampionit aktual të botës, Francës, shumë pak vende e kanë dominuar këtë shekull sa “La Furia Roja” dhe “Die Mannschaft”.
Spanja fitoi pothuajse gjithçka që i doli përpara mes viteve 2008 dhe 2012, duke e fituar Kampionatin Evropian dy herë radhazi dhe Kupën e Botës në vitin 2010 me stilin e tyre të bazuar në pasime dhe posedim të topit, tiki-taka.
Ndërsa, Gjermania i dha fund dominimit spanjoll, pas shumë tentimeve të dështuara, në vitin 2014 kur e fitoi Kupën e Botës me skuadrën e saj të fuqishme dhe dinamike.
Në skuadrat e tyre ende ka mbetur një numër i vogël i lojtarëve që morën pjesë në ato suksese, por dy ekipet janë në kërkim të një identiteti të ri dhe mënyrave të reja për të arritur suksese sërish. Dhe, përderisa ky mund të jetë turneu i fundit i Kupës së Botës për dy futbollistët më të mirë të shekullit XXI deri tani – argjentinasin Lionel Messi dhe portugezin Cristiano Ronaldo – yjtë e ardhshëm do të jenë në shfaqje kur Gjermania dhe Spanja të përballen në Katar.
Në mesfushën e Spanjës do të jenë dy adoloshentët që po cilësohen si sensacion, 19-vjeçari Pedri dhe 18-vjeçari Gavi. Ndërkohë, 19-vjeçari Jamal Musiala dhe 17-vjeçari Youssoufa Moukoko do t’i ofrojnë Gjermanisë shpresë dhe entuziazëm për të ardhmen.
2 dhjetor: Serbia - Zvicra
Në pamje të parë, kjo duket si ndeshje pak a shumë e zakonshme që përfshin dy skuadra evropiane të mira, por jo të mahnitshme. Mirëpo, këtë ndeshje e bën interesante pjesëmarrja e dy yjve të ekipit të Zvicrës, kapitenit Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqirit, me prejardhja nga Kosova.
Kjo ndeshje do të jetë edhe më interesante pasi që do të jetë ndeshja e fundit e fazës së grupeve dhe kjo zakonisht do të thotë që skuadrat do të jenë në luftë për të kaluar në fazën e radhës. Dhe, natyrisht, është edhe ajo që kishte ndodhur herën e fundit kur këto dy skuadra u përballën në vitin 2018, në Kupën e Botës në Rusi, në atë që duhet të ketë qenë ndeshja më e ngarkuar politikisht në atë turne.
Këpucët e Shaqirit kishin flamurin e Kosovës të qëndisur dhe u raportua edhe për thirrje kundër shqiptarëve dhe se, në mesin e tifozëve serbë, kishte njerëz që mbanin bluza me fytyrën e kriminelit të luftës, Ratko Mlladiq.
Xhaka dhe Shaqiri luajtën rol kyç në atë ndeshje, duke shënuar të dy në fitoren dramatike me rezultat 2:1. Në njërën nga fotografitë më të përmendura të atij turneu, Xhaka dhe Shaqiri festuan duke e bërë shqiponjën me duar si simbol shqiptar, të cilin Serbia e cilëson “ofendues”.
FIFA i ndëshkoi të dy lojtarët me nga 10 mijë franga për “sjellje josportive”. Ndeshja në Katar do të zhvillohet edhe mes tensioneve të fundit në veri të Kosovës dhe, për të gjitha këto arsye, nuk duhet ta lini pa shikuar.
SHIKONI EDHE: Në Mitrovicë të Veriut shfaqen grafite për “rezistencë” ndaj vendimit për targat2 dhjetor: Gana - Uruguaji
Disa orë para ndeshjes mes Serbisë dhe Zvicrës, do të zhvillohet edhe një tjetër ndeshje me shumë inate. Por, inatet në këtë ndeshje kanë të bëjnë vetëm me futboll.
Dhe, për ta kuptuar kontekstin, duhet të kthehemi në Kupën e Botës që u zhvillua në Afrikën e Jugut në vitin 2010 – kur Kupa e Botës u mbajt për herë të parë në kontinentin afrikan. Shumica e tifozëve neutralë donin që një skuadër afrikane, cilado prej tyre, të kishte suskes. Dhe, pasi vendi nikoqir dhe vendet e tjera afrikane u eliminuan qysh në fillim, në fazën e grupeve, e vetmja skuadër nga kontinenti afrikan që kaloi në fazën e radhës ishte Gana. Pasi e mposhti SHBA-në në kohë shtesë, Gana u përball me Uruguain në çerekfinale.
Edhe pse nga to kanë dalë disa nga lojtarët më të mirë individualë në futboll, shpeshherë me rol kyç në skuadra të mëdha evropiane, asnjëherë nuk kishte ndodhur që një ekip afrikan të arrinte përtej çerekfinaleve në Kupën e Botës – Kameruni në vitin 1990 dhe Senegali në vitin 2002 i kishin shkuar më së afërti realizimit të kësaj ëndrre.
Por, tani, në Afrikë, kishte ardhur koha për ndryshim. Ndeshja përfundoi me rezultat baras 1:1 pas 90 minutave, ndërsa në momentet e fundit të 30 minutave të kohës shtesë, Gana mendoi se kishte shënuar golin e fitores. Në një sekuencë kaotike, një lojtar i skuadrës afrikane e kishte goditur topin me kokë drejt rrjetës uruguaiane që dukej e pambrojtur, por një urugaian ia kishte mohuar golin duke e pritur topin me dorë.
Lojtari në fjalë ishte Luis Suarez. Ai u ndëshkua me karton të kuq, ndërsa Ganës iu dha penallti.
Por, ylli i skuadrës, sulmuesi Asamoah Gyan, u tregua i pasaktë, duke e goditur shtyllën. Suarez, në mënyrë josportive, e kishte festuar humbjen e penalltisë sikur ta kishte fituar të gjithë Kupën e Botës. Dhe, ai festoi edhe më shumë kur Uruguai e fitoi ndeshjen në gjuajtjet e penalltisë, duke pretenduar se e kishte bërë “pritjen më të mirë të turneut”.
Shumë njerëz e quajtën atë “njeriun më të urryer në Afrikë”. Dhe që nga atëherë, Suarezi është shndërruar në një ndër personat më kundërthënës në botën e futbollit, duke pasur si momente të jashtëzakonshme, po ashtu edhe momente çmendurie në karrierën e tij. Për shembull, ai është dënuar me suspendim për kafshim të kundërshtarëve plot tri herë dhe, gjithashtu, është shpallur fajtor për simulime, mashtrime dhe shkelje mbi kundërshtarët, madje edhe abuzim racor të tyre.
Dhe tani, 12 vjet pas asaj ndeshjeje legjendare, dy skuadrat do të përballen sërish.
Dhe kush do të luajë për Uruguain? Suarezi që tani është 35-vjeçar. Dhe, për më tepër, ende asnjë skuadër afrikane nuk ka arritur të kalojë përtej çerekfinaleve të Kupës së Botës.
29 nëntor: Irani - SHBA
Dy vende, të cilat kanë pasur mospajtime me njëra-tjetrën që kur revolucioni i vitit 1979 e rrëzoi Shah Mohammad Reza Pahlavin pro-perëndimor nga pushteti, do të përballen ndërmjet vete në Kupën e Botës që po mbahet për herë të parë në Botën Arabe.
Kjo ndeshje do të zhvillohet në një periudhë kur përpjekjet diplomatike për të ringjallur marrëveshjen bërthamore të Iranit, po lëkunden, perëndimi po vendos sanksione për mbështetjen ushtarake të Iranit për Rusinë në luftën në Ukrainë dhe pjesa më e madhe e botës po tronditet nga shtypja ndaj grave dhe vajzave protestuese nga regjimi i Teheranit.
* EXPOSÉ: Si po i kundërvihen vajzat regjimit të mullave
Disa thonë se raporti dhe politika nuk duhet të përzihen, por është e vështirë të imagjinohet se si do të bëhej një gjë e tillë për këtë ndeshje. Edhe për këtë ndeshje ka precedentë: në Kupën e Botës të vitit 1998 u zhvillua përballja mes tyre që njihet si “nëna e të gjitha ndeshjeve”.
Atëherë, gjithçka ishte koordinuar me kujdes: lojtarët iranianë raportohet se ishin ndaluar nga vetë Ayatollahu të shkonin drejt amerikanëve për t’ua dhënë dorën, kështu që amerikanët ishin nisur drejt tyre përderisa iranianët u jepnin trëndafila të bardhë. Të 22 lojtarët pastaj kishte pozuar për një foto si zakonisht. Ndeshja kishte kaluar pa asnjë incident dhe Irani e kishte mbyllur me fitore me rezultat 2:1 – fitorja e parë në histori për Iranin në Kupën e Botës.
Një muaj më vonë, ata luajtën një ndeshje miqësore në SHBA, kur shumë thanë se futbollistët kishin arritur më shumë për 90 minuta sesa diplomatët për dekada të tëra.
SHIKONI EDHE: FIFA kërkon armëpushim në Ukrainë gjatë Kupës së BotësKëtë herë, tensione do të ketë sërish, por fokusi do të jetë në përgjigjen e skuadrës së Iranit ndaj të gjitha trazirave. Disa, përfshirë aktivistë për të drejtat e njeriut, kanë bërë thirrje që Irani të përjashtohet nga turneu për shkak të ngjarjeve në Teheran dhe Federata e Futbollit e Ukrainës e ka bërë të njëjtën kërkesë shkaku i mbështetjes që Teherani zyrtar po i jep Kremlinit.
Por, një gjë e tillë nuk pritet të ndodhë. Megjithatë, duhet të tregoheni vigjilentë për çfarëdo shenje që mund të shfaqet në mesin e lojtarëve dhe spektatorëve.
Disa njerëz kanë bërë thirrje që të këndohet në stadium emri i Mahsa Amini, 22-vjeçares që vdiq në shtator sa ishte në mbajtje policore për mënyrën se si e kishte veshur hixhabin.
Dhe, në shenjë proteste, vetëm disa nga lojtarët iranianë e kënduan himnin kombëtar gjatë ndeshjes miqësore kundër Nikaraguas javën e kaluar. Kjo është një ndeshje ku do të jetë e vështirë të injorohen simbolet politike.