Termi “me dhunë” duket se po bllokon arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për personat e zhdukur gjatës luftës në Kosovë, më 1998/99.
Dy vendet, qysh në vitin 2011, janë të angazhuara në një dialog për normalizimin e marrëdhënieve, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Kanë arritur dhjetëra marrëveshje - nga njohja e diplomave universitare deri te lëvizja e lirë - ndonëse zbatimi i shumë prej tyre në terren ka ngecur.
Dy vendet shprehen të gatshme edhe për nënshkrimin e një marrëveshjeje për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur në luftë, por një akt i tillë, deri më tash, nuk ka ndodhur.
Kosova fajëson Serbinë; Serbia fajëson Kosovën.
Burime nga Bashkimi Evropian thonë për Radion Evropa e Lirë se teksti i marrëveshjes është i harmonizuar plotësisht, por nuk japin detaje se përse nuk nënshkruhet.
Derisa bota shënon 30 gushtin - Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve - në Kosovë, 1.617 persona - shumica shqiptarë - mbeten të pagjetur që nga koha e luftës.
Lufta e mbi dy dekadave më parë, e iniciuar nga regjimi i atëhershëm i Serbisë, ka përfunduar me mbi 13.000 njerëz të vrarë dhe mbi 6.000 të zhdukur. Por, mijëra mbetje mortore janë gjetur përgjatë viteve në varreza masive në Kosovë dhe Serbi.
Çfarë është e kontestueshme?
Në prill të këtij viti, Bashkimi Evropian ka thënë se Kosova dhe Serbia janë “shumë afër” një marrëveshjeje për zbardhjen e fatit të të zhdukurve dhe se krejt çfarë ka mbetur për t’u bërë, është “harmonizimi i dy fjalëve”.
...insistojmë që të theksohet që kjo [zhdukja] është bërë me forcë, është bërë me dhunë, sepse ata nuk janë persona të pagjetur si shkak i fatkeqësive natyrore..."Albin Kurti
Më shumë hollësi për përmbajtjen e marrëveshjes nuk janë dhënë.
Në një konferencë për media, të mbajtur më 20 korrik, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Beogradi zyrtar këmbëngul që të zhdukurit në luftë të quhen vetëm “persona të zhdukur” dhe se ai nuk pajtohet me këtë term.
“...ne insistojmë që të theksohet që kjo [zhdukja] është bërë me forcë, është bërë me dhunë, sepse ata nuk janë persona të pagjetur si shkak i fatkeqësive natyrore, të llojit të vërshimeve, zjarreve apo tërmeteve”, ka thënë Kurti.
Radio Evropa e Lirë ka pyetur Qeverinë e Kosovës nëse termi “të zhdukur me dhunë” është shkak i mosnënshkrimit të marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë, dhe në përgjigjen e marrë, nga REL është kërkuar që t’i referohet deklaratës së kryeministrit Kurti, të datës 20 korrik.
Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë takuar për herë të fundit më 18 gusht në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, më 24 gusht, Kurti ka thënë se, lidhur me “temën e personave të zhdukur me dhunë”, pala serbe “nuk ka pasur gatishmëri” që të nënshkruajë “dokumentin e dakorduar”.
“Pra, për marrëveshjen për të pagjeturit ekziston teksti me përmbajtje dhe me germa të dakorduara, por nuk ekziston nënshkrimi, pa fajin tonë. Është pala tjetër ajo, e cila nuk ka pranuar. Kjo ka mundur të nënshkruhet të enjten që shkoi [më 18 gusht]”, ka thënë Kurti.
Your browser doesn’t support HTML5
“Për zhdukjet e dhunshme janë përgjegjëse shtetet, Prishtina nuk është e tillë”
Kryetari i Komisionit për Persona të Zhdukur në kuadër të Qeverisë së Serbisë, Velko Odalloviq, pranon se Beogradi këmbëngul në përdorimin e termit “persona të zhdukur”, sepse termi “zhdukje me dhunë” do të thotë se “dikush ka kryer krim lufte” - gjë të cilën Serbia s’e pranon.
...vetëm Republika e Serbisë është përgjegjëse edhe për zhdukjet dhe vuajtjet e serbëve, por edhe për zhdukjet e të gjithë të tjerëve... kështu që shpresoj se arsyeja do të mbizotërojë".Velko Odalloviq
“Asnjëherë nuk e kemi mohuar dhe nuk duam të shmangemi nga ajo temë, që të bisedohet për rrethanat e çdo zhdukjeje, sepse në raportet e dorëzuara për personat e zhdukur kemi shumë informacione që lidhen me personat që janë përgjegjës për zhdukjet. Por, ato nuk nënkuptojnë asgjë të rëndësishme në procesin e kërkimit, përveç në procesin e përcaktimit të përgjegjësisë për krimet që janë kryer”, thotë Odalloviq për Radion Evropa e Lirë.
“Për zhdukjet e dhunshme, përgjegjëse janë shtetet. Prishtina nuk ka qenë shtet, as atëherë dhe nuk është as sot. [v.j. Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008]. Ajo nuk ka kurrfarë përgjegjësie për zhdukjet që kanë ndodhur në vitet ‘90. I bie se vetëm Republika e Serbisë është përgjegjëse edhe për zhdukjet dhe vuajtjet e serbëve, por edhe për zhdukjet e të gjithë të tjerëve... kështu që shpresoj se arsyeja do të mbizotërojë”, shton Odalloviq.
Sipas tij, me “zhdukjet e dhunshme” duhet të merren organet e drejtësisë, gjegjësisht ato që merren me procedimin e krimeve të luftës dhe ky term, thotë ai, nuk duhet të përzihet me zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.
Odalloviq thotë se çështja e të zhdukurve është humanitare dhe se familjarët e tyre kanë të drejtë të dinë se çfarë ka ndodhur me më të dashurit e tyre, “pavarësisht se kush është përgjegjës për zhdukjen e tyre, kidnapimin, zhdukjen e dhunshme dhe vrasjen”.
Blakaj: Insistimet në terminologji - qasje nga prizmi politik
Bekim Blakaj, nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, thotë se në literaturën profesionale, janë të definuara saktë termet “të zhdukur me dhunë” dhe “të zhdukur”.
Sipas tij, termi “të zhdukur me dhunë” nënkupton personat e kidnapuar në një moment të caktuar, në një vend të caktuar, nga përfaqësues të agjencive shtetërore të sigurimit, qofshin ata nga policia, ushtria apo shërbimi i inteligjencës.
Ndërkaq, “të zhdukurit”, shpjegon Blakaj, janë personat për fatin e të cilëve nuk dihet, por që nuk përjashtohet mundësia që edhe ata të jenë zhdukur me dhunë, ose në forma të tjera, përfshirë fatkeqësitë natyrore.
SHIKONI EDHE: Inatet politike shtojnë ankthin e familjarëve të të pagjeturveSipas Blakajt, insistimi i të dyja palëve në terme të ndryshme shpërfaq “qasjen e tyre nga prizmi politik”.
“Është e qartë që presidenti serb, Vuçiq, do që ta shmangë këtë nocion, këtë definicion [të zhdukur me dhunë], sepse dëshiron, mbase, që ta largojë përgjegjësinë nga shteti serb, nga agjencitë e shtetit serb”, thotë Blakaj.
Besoj që është shumë e rëndësishme që të dëshmohet se në çfarë rrethanash është zhdukur secili person nga lista prej rreth 1.600 personave të zhdukur".Bekim Blakaj
Në këtë pikë, shton ai, është vështirë t’i jepet të drejtë njërës ose palës tjetër, lidhur me terminologjinë.
“Fakt është që për 23 vjet, kjo çështje është trajtuar si e tillë [të zhdukur] dhe nuk ka pasur një definicion apo një emërtim të tyre si ‘të zhdukur me dhunë’. Kjo është një risi që e ka sjellë tash Qeveria e Kurtit. Mirëpo, nuk mund të them që ka të drejtë pala serbe që ta shmangë këtë nocionin ‘zhdukje me dhunë’. Besoj që është shumë e rëndësishme që të dëshmohet se në çfarë rrethanash është zhdukur secili person nga lista prej rreth 1.600 personave të zhdukur. Pra, është me rëndësi që të hetohet dhe të dokumentohet secili rast veç e veç”, thotë Blakaj.
Përtej çështjes së terminologjisë, shton ai, duhen bërë përpjekje më të mëdha për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.
Në Kizhevak të Serbisë, vitin e kaluar, janë gjetur mbetjet mortore të nëntë viktimave të luftës. Gjetje të tjera pas tyre nuk ka pasur.
Në maj të këtij viti është kontrolluar një lokacion në Shtaval të Serbisë, por nuk janë gjetur mbetje mortore.
Mbi 23 vjet pas përfundimit të luftës, ka frikë se dëshmitarët mund të vdesin dhe informacionet për vendndodhjen e të pagjeturve të rrallohen.
Në Qeverinë e Kosovës thonë se për të arritur më shpejt tek identifikimi i varrezave të mundshme masive, është e nevojshme qasja në arkivat ushtarake të Serbisë. Serbia, deri më tash, ka refuzuar të ofrojë qasje në arkivat e saj.
Takimi i radhës Kurti-Vuçiq, në të cilin potencialisht mund të flitet për të zhdukurit nga koha e luftës, nuk është caktuar ende.