Përmes dialogut deri tek ulësja në OKB

Pamje nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së. Foto ilustrum

Kosova ka hyrë në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, i cili po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, me synimin që rezultati përfundimtar i këtij dialogu të jetë njohja e ndërsjellë, thonë njohësit e zhvillimeve politike dhe ekspertët e të drejtës ndërkombëtare. Kjo njohje e ndërsjellë, sipas tyre, do t’i hapte rrugën Kosovës për anëtarësimin e saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), si dhe në mekanizmat e ndryshëm ndërkombëtarë.

Artan Muhaxhiri, analist i çështjeve politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se kohët e fundit është e dukshme që rëndësia e dialogut në Bruksel është zbehur. Kjo sipas tij, është pasojë e dallimit ndërmjet pritjeve dhe realitetit.

Deri më tash, siç thotë Muhaxhiri, Serbia ka përfituar më shumë nga dialogu, për avancimin e rrugës së saj evropiane, ndonëse, sipas tij, sjelljet e Serbisë kanë qenë në kundërshtim me disa nga marrëveshjet e arritura në Bruksel.

“Sa i përket njohjes, duhet të ndodhë ndonjë mrekulli politike nga ana e Bashkimit Evropian, në mënyrë që ta nxitë Serbinë që ta pranojë Kosovën, sepse me këtë qasje të deritashme, nuk ka as gjasa teorike që kjo të ndodhë. Pra, duhet të ndodhë një ndryshim fundamental në qasjen e Brukselit ndaj Serbisë në këtë dialog, në mënyrë që t’ia imponojë asaj një lloj njohje zyrtare të shtetit të Kosovës”.

Afrim Hoti, profesor i të Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se njohja reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të ishte rezultat i admirueshëm i fundit të procesit të dialogut. Por, sipas tij, edhe në rast se në fund të procesit të dialogut, Serbia nuk do ta merrte mbi vete njohjen e hapur të Kosovës, kjo e fundit do të mund të siguronte ulësen në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, po që se Serbia do të mbante qëndrim neutral lidhur me këtë çështje.

“Në këtë pikë, nëse Serbia, të paktën, do të ishte neutrale, mendoj se do të neutralizonte një veto të mundshme që do të përdorej nga Federata Ruse, e cila me një konstruktivitet do të qëndronte asnjanëse, sikurse që pozitë e njëjtë, të paktën, pritet edhe nga Kina. Me votat e shteteve tjera, Kosova do ta kalonte Këshillin e Sigurimit dhe do të procedohej pastaj për vulën përfundimtare në Asamblenë e Përgjithshme, si organ kryesor i OKB-së”.

Analisti Muhaxhiri vlerëson se mënyra e përfundimit të dialogut do të ketë shumë rëndësi, sepse rezultati i këtij dialogu, qoftë i mirë apo i keq, do të përdorej nga bashkësia ndërkombëtare për ta trajtuar vullnetin e Kosovës për anëtarësim në Kombet e Bashkuara.

“Nëse Serbia ofron ndonjë lehtësim apo ndonjë ndryshim të qasjes, atëherë kjo do të rezultonte në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe në ndryshimin e qasjes së kundërshtarëve të pavarësisë së Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe në organizatat tjera. Mirëpo, nëse kjo nuk ndodh, atëherë natyrisht se do të kemi shumë pak mundësi të shpresojmë se mund të ketë ndonjë avancim të Kosovës në procesin e anëtarësimit në Kombet e Bashkuara dhe në instancat tjera”.

Por, profesor Hoti thotë se me marrëveshjen e Brukselit, të vitit 2015, Serbia dhe Kosova janë pajtuar që të jenë konstruktive dhe të mos e pengojnë njëra-tjetrën për anëtarësim në organizata të ndryshme rajonale dhe ndërkombëtare. Sipas tij, ky është argument i mjaftueshëm që rrjedha, në kuptimin formal, e ka drejtimin e duhur.

“Megjithatë, veprimet në praktikë të Serbisë kanë dëshmuar të kundërtën. Por, unë kam përshtypjen që me kalimin e kohës ose me afrimin e Serbisë kah Bashkimi Evropian - tashmë ajo po e negocion anëtarësimin e vet në këtë organizatë - mendoj se kjo do të bëhet e domosdoshme dhe kjo domosdoshmëri, normalisht që nuk do të kërkonte njohjen formale të Kosovës, por të paktën një qëndrim neutral, gjë që do të bënte të mundur anëtarësimin e Kosovës në OKB”.

Sidoqoftë, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, ka nisur në vitin 2011, fillimisht si dialog për çështje teknike.

Në fund të vitit 2012, dialogu është ngritur në nivelin politik, ndërmjet kryeministrave të të dy vendeve dhe në prill të vitit 2013 , Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve.

Së fundmi, zyrtarët e institucioneve të larta të vendit kanë paralajmëruar fazën e fundit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila sipas tyre, duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë.