Policia izraelite ka ndërhyrë të premten në xhaminë Al-Aksa në Jerusalem, që është vend i shenjtë për myslimanët dhe hebrenjtë, pasi të rinj palestinezë kanë hedhur gurë në portën e xhamisë, ku ishin të vendosur policia.
Associated Press raportoi se pas hedhjes së gurëve, policia izraelite hyri në kompleksin e xhamisë Al-Aksa, duke shtënë plumba gome dhe duke hedhur shok bomba, teksa është raportuar edhe për të lënduar.
Rikthimi i dhunës në këtë xhami vjen pavarësisht se Izraeli ka ndaluar përkohësisht që hebrenjtë ta vizitojnë këtë xhami, vizita që nga palestinezët janë parë si provokim.
Gjatë javës së kaluar, palestinezët dhe policia izraelite vazhdimisht janë përleshur në këtë vend, teksa tensionet janë rritur pas një serie sulmesh vdekjeprurëse brenda Izraelit dhe arrestimeve dhe bastisjeve të kryera nga Izraeli në Bregun e okupuar Perëndimor. Tri raketa janë hedhur nga Rripi i Gazës në Izrael.
SHIKONI EDHE: Dhuna në Gaza intensifikohet me rinisjen e përleshjeve në JerusalemRikthimi i dhunës ka rritur frikën se mund të përsëriten ngjarjet e vitit të kaluar, kur protestat dhe dhuna në Jerusalem u përshkallëzuan, duke çuar në një luftë 11-ditore në Gaza dhe në Izrael.
Dhjetëra-mijëra besimtarë myslimanë pritet të vizitojnë xhaminë Al-Aksa për lutjet e së premtes, teksa besimtarët po shënojnë edhe Muajin e shenjtë të Ramazanit.
Gjysmëhëna palestineze, që është shërbim mjekësor, tha se të pakën 27 palestinezë janë plagosur, dy prej tyre janë në gjendje të rëndë. Ndërkaq, Izraeli ende nuk ka komentuar për këto ngjarje, pasi në këtë shtet ka pushim për shkak të një feste hebreje.
Xhamia Al-Aksa, që gjendet në Qytetin e Vjetër të Jerusalemit, është vendi i tretë i shenjtë në fenë Islame. Hapësira e madhe mbi të cilën është ndërtuar kjo xhami, është vendi më i shenjtë për hebrenjtë, të cilët i referohen me emrin Mali i Tempullit, për shkak të vendndodhjes së dy tempujve hebrenj në antikitet. Ky vend është shndërruar në epiqendrën e konfliktit izraelito-palestinez dhe përleshjet në këtë vend shpesh nxisin dhunë edhe në pjesë të tjera.
Palestinezët dhe Jordania fqinje janë kujdestarë të zonës. Ata akuzojnë Izraelin se po shkel marrëveshjet e arritura më herët, duke lejuar një numër gjithnjë e më të madh të hebrenjve që të vizitojnë këtë vend, nën përcjelljen e policisë.
Një marrëveshje për ndalimin e hebrenjve që të falen në këtë vend është shkelur viteve të fundit, duke rritur frikën te palestinezët se Izraeli planifikon që ta marrë këtë vend ose ta ndajë atë.
Izraeli thotë se është i përkushtuar për status quo-së dhe fajëson grupin militant Hamas për nxitjen e dhunës. Hamasi udhëheq në Gaza.
SHIKONI EDHE: Erdogan paralajmëron kundër kërcënimeve ndaj statusit të xhamisë Al-AksaVizitat e grupeve të hebrenjve në hapësirën e kësaj xhamie janë ndaluar duke filluar nga 22 prilli dhe kjo ndalesë do të vazhdojë për të paktën dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, ashtu siç kishte ndodhur në të kaluarën.
Këtë vit Ramazani ka përkuar me Pashkët hebreje dhe disa festa të rëndësishme të krishtera, ku dhjetëra-mijëra besimtarë të tri feve kanë vizituar Qytetin e Vjetër.
Qyteti i Vjetër është në lindje të Jerusalemit, që Izraeli ka okupuar së bashku me Bregun Perëndimor dhe Gazan, në luftën e Lindjes së Mesme më 1967. Izraeli ka aneksuar Jerusalemin lindor, një lëvizje që nuk është njohur ndërkombëtarisht. Izraeli e konsideron të gjithë qytetin si kryeqytet të tij.
Palestinezët po kërkojnë të kenë një shtet të pavarur dhe e shohin Jerusalemin lindor si kryeqytetin e tyre.