Schmidt merr detyrën e përfaqësuesit të lartë në Bosnje e Hercegovinë

Christian Schmidt, përfaqësuesi i i lartë në Bosnje e Hercegovinë. Fotografi nga arkivi.

Gjermani Christian Schmidt më 1 gusht merr detyrën e përfaqësuesit të lartë në Bosnje e Hercegovinë.

Schmidt zëvendëson diplomatin austriak, Valentin Izko, i cili shërbeu për 12 vjet si zyrtari më i lartë i Kombeve të Bashkuara në Bosnje e Hercegovinë, post ky që ka për synim mbrojtjen e aspekteve civile dhe sundimin e ligjit të marrëveshjes së paqes të arritur më 1995.

Schmidt, 63-vjeçar, ka reputacion të një politikani të fortë rajonal dhe federal, i cili nuk ngurron të ndërmarrë vendime kontroverse.

Përfaqësuesi në largim, Inzko së fundmi ishte përballur me kritikat e Rusisë dhe Kinës, shtete këto që muajin e kaluar dështuan të paraqisnin një propozim të përbashkët për të larguar nga Bosnja postin e përfaqësuesit të lartë.

Zëri më kritikë për përfaqësuesin e lartë ndërkombëtar është lideri i entitetit serb në Bosnje, Millorad Dodik.

Bosnja ende qeveriset sipas Marrëveshjes së paqes së Dejtonit, që ndihmoi në dhënien fund të dhunës etnike që pasoi shpërbërjen e Jugosllavisë. Në Bosnje, përfaqësuesi i lartë ka fuqi që të imponojnë vendime apo edhe të shkarkojë zyrtarë.

SHIKONI EDHE: Ndalohet dhe ndëshkohet mohimi i gjenocidit në Bosnje

Inzko ka sugjeruar se komuniteti ndërkombëtar “ndryshoi shumë shpejt... nga një prezencë e fortë ndërkombëtare në përgjegjësi të brendshme dhe në institucione të brendshme” në Bosnje.

Javën e kaluar, Inzko tha për AP-në se në të ardhmen “qasja duhet të jetë më e fortë, duhet të ketë një ndjenjë të urgjencës”.

Bosnja përballet me një varg problemesh që dalin nga strukturat paralele të pushtetit rajonal dhe ekzekutiv.

Dodik nga Republika Sërpska dhe aleatët e tij, më 30 korrik miratuan dy ligje të reja, për të bllokuar vendimin e javës së kaluar të Inzkos, ku ndalohet dhe ndëshkohet mohimi i gjenocidit në Bosnje.

SHIKONI EDHE: Parlamenti i Republikës Sërpska e shpall të pazbatueshëm ndalimin e mohimit të gjenocidit

Inzko ka paralajmëruar se “nuk ka pajtim pa pranimin e krimeve dhe pa marrë përgjegjësi”.

Luftërat pas shpërbërjes së Jugosllavisë në vitet e 90-ta vlerësohet se kanë lënë të vrarë të paktën 130.000 persona dhe kanë zhvendosur miliona persona të tjerë.

Në maj, Schmidt u emërua në postin e përfaqësuesit të lartë nga ambasadorët e Bordit Drejtues të Këshillit për Zbatimin e Paqes, organ ndërkombëtar që ende mbikëqyr procesin e paqes në Bosnje e Hercegovinë.