Pse të rinjtë kalojnë aq shumë kohë në TikTok?

Fotografi ilustruese nga arkivi.

Suita Gorqi, 21-vjeçare, i kalon deri në 15 orë në ditë në TikTok.

Ajo është vetëm një prej miliona bashkëmoshatarëve të saj në botë që kalojnë kohë të konsiderueshme në këtë aplikacion me video të shkurtra.

Arsyet janë pa fund: për qejf, punë, për të sfiduar veten, e plot arsye tjera.

Në episodin e fundit të podkastit Të flasim, kemi diskutuar bashkë me Suitën dhe psikologen klinike, Irma Sadikoviq, për rreziqet e trendeve që përhapen në TikTok - ngasja e makinës në deri 300 kilometra në orë, ngufatja e vetes deri në alivanosje dhe përzierjet e ilaçeve dhe alkoolit - si dhe të mirat potenciale që mund të gjejnë të rinjtë aty.

Dëgjojeni podkastin e plotë edhe në Spotify, Google Podcast dhe iTunes.

Your browser doesn’t support HTML5

“15 orë në ditë në TikTok”: Përfitimet dhe rreziqet

Mirëpo, Suitës – e cila ka mijëra ndjekës - qëndrimi në TikTok i është kthyer në punë. Ajo, përveç përmbajtjes në llogarinë e saj, menaxhon edhe llogaritë e disa kompanive në Kosovë.

Megjithatë, ajo ka thënë se po tenton që çdo herë e më shumë të limitojë kohën e përdorimit të këtij aplikacioni në kohën e lirë.

“Aplikacioni më i shkarkuar në botë”

Në vitin 2021, TikTok-u është shpallur aplikacioni më i shkarkuar në botë.

Aplikacioni është në pronësi të kompanisë kineze, ByteDance.

Ndonëse TikTok-u përdoret nga të gjitha moshat, të rinjtë janë shënjestra kryesore, prandaj edhe po rriten shqetësimet për sigurinë e tyre çdo ditë e më shumë.

Në muajin mars, në Shqipëri janë parë disa të rinj duke ndjekur një trend të ngasjes së makinës në deri 300 kilometra në orë, ndonëse ditë më parë në këtë shtet kanë vdekur tre të rinj në një aksident trafiku.

Policia ka thënë se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia përtej normales.

Trende të rrezikshme në TikTok ka pafund: ngufatja e vetes deri në alivanosje, përzierjet e ilaçeve, kërcimi nga katet më të larta të ndërtesave, dhe përplot tjera të ngjashme.

SHIKONI EDHE: TikTok-u përditëson doracakun për përmbajtje teksa i rritet presioni nga Perëndimi

Sipas psikologëve, ky aplikacion shkakton varësi tek ata, për shkak të algoritmit që e personalizon shumë përmbajtjen.

Mjekja Nia Williams nga Universiteti i Bangorit, ka thënë për transmetuesin britanik, BBC se TikToku shkakton varësi, sepse liron dopaminë në tru dhe i bën njerëzit të ndihen mirë.

Mirëpo, shqetësimet për TikTok-un nuk mbarojnë këtu.

Ekzistojnë edhe shqetësimet për privatësinë.

Shumë vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja, e kanë ndaluar përdorimin e këtij aplikacioni në pajisjet qeveritare, për shkak të dilemave se TikTok-u mund të ndajë të dhënat e përdoruesve me Qeverinë kineze.

SHIKONI EDHE: Rritet lista e vendeve që bllokojnë TikTok-un në SHBA

Në anën tjetër, kompania që e menaxhon TikTok-un, i ka hedhur poshtë këto pretendime.

Më poshtë ju sjellim një pjesë të bisedës së realizuar me Suita Gorqin dhe Irma Sadikoviqin lidhur me këtë temë.

Të rinjve u pëlqejnë pamjet reale, jo të zbukuruara

Radio Evropa e Lirë: Suita, kur dhe pse e keni hapur TikTokun?

Suita Gorqi: TikTok-un e kam hapur diku para tri vjetëve, më 2020. E kam hapur, sepse gjithmonë kam pasur dëshirë që të filloj aktivitetin në një kanal në YouTube, mirëpo aty më është dukur më vështirë, ndoshta për shkak që jemi në Kosovë. Në TikTok, më është dukur më i lehtë ai rrugëtim. Në fillim kam nisur të postoj se çfarë bëj unë si studente në Prishtinë. Më kanë ecur mirë ato video, kanë marrë klikime dhe tani e kam punë me orar të plotë.

Radio Evropa e Lirë: Kur nise të ndash përmbajtjen me ndjekësit, a ka qenë gjithçka reale, apo disi e zbukuruar?

Suita Gorqi: Në fillim i kam zbukuruar pak, sepse rutina në Kosovë nuk më dukej mjaftueshëm e mirë për ta postuar në TikTok, do të thotë shkuarja në fakultet, ndonjë kafe... Por, ndërkohë e kam kuptuar që ndjekësve më shumë u ka pëlqyer nëse unë e tregoj realitetin. Aty kam nisur të marr më shumë klikime.

SHIKONI EDHE: Si të mbrohemi nga lajmet e rreme?

Radio Evropa e Lirë: Suita, çka ju pëlqen më së shumti në TikTok?

Suita Gorqi: E mira e TikTok-ut është që për secilin prej nesh e krijon një algoritëm. Shembull, te dikush mund të shfaqë vazhdimisht përmbajtje me futboll, basketboll, mirëpo mua më shfaqet përmbajtja për mënyrën e jetesës, ushtrime fizike, përgatitje të ushqimit.

Radio Evropa e Lirë: Për çka ju ka ndihmuar TikTok-u?

Suita Gorqi: Më ka ndihmuar, sepse e kam vërejtur që kur nisem të përgatis një video në TikTok, e shoh që jam më produktive. E vërej, e organizoj kohën edhe që të mësoj, apo të kryej ndonjë punë tjetër.

Radio Evropa e Lirë: A na tregon edhe diçka që nuk ju pëlqen. Aty ka trende të rrezikshme…

Suita Gorqi: Po, është shumë e vërtetë, sepse përmes tyre ndikohen edhe të tjerët. Janë edhe standardet joreale, shembull njerëzit që duket se e kanë jetën perfekte, ndonëse nuk e kanë, por ajo i shtyn tjerët që të bëjnë krahasime me veten.

Radio Evropa e Lirë: A diskuton me shoqërinë rreth këtyre trendeve, si e mbron veten prej tyre?

Suita Gorqi: Mendoj që këtu ndikon shumë edhe personaliteti, sepse unë nuk jam person që ndikohem lehtë. Por, flasim edhe me shoqërinë, se si është absurde që të bësh diçka sikurse ato trendet e rrezikshme.

Radio Evropa e Lirë: A do ta vazhdosh aktivitetin në TikTok, si mendoni?

Suita Gorqi: Po, besoj shumë që po, sepse më pëlqen shumë. Më pëlqen që t’i bëj gjërat të duken bukur. Mundohem që Prishtinën ta bëj vend sa më të mirë, të kënaqshëm?

Radio Evropa e Lirë: Një mesazh për bashkëmoshatarët tuaj?

Suita Gorqi: Definitivisht, ta reduktojnë kohën që e kalojnë në TikTok. Të mundohen vetëm dy orë në ditë, dhe që të mos ndikohen prej trendeve. Trendet shkojnë e vijnë, ju duhet të jeni vetvetja gjithmonë.

Çfarë përfitojnë të rinjtë, çfarë rrezikojnë nga TikTok-u?

Edhe psikologia Irma Sadikoviq e ka një llogari në TikTok. Ajo ka thënë se e ka hapur atë nga kureshtja për të parë pse përmbajtja aty është aq interesante për të rinjtë.

Irma është e certifikuar nga Instituti i Londrës për trajtim të ankthit dhe çrregullimeve tjera të shëndetit mendor.

Radio Evropa e Lirë: Irma, a po u bën më shumë mirë apo keq TikTok-u të rinjve?

Irma Sadikoviq: TikTok-u, por edhe të gjitha rrjetet sociale, ndikojnë mirë edhe keq te të rinjtë. Sa i përket TikTok-ut, bazuar në punimet shkencore që i kam lexuar, e kam kuptuar që të rinjtë, përmes kësaj platforme, po mundohen që ta shprehin veten dhe të ndajnë kreativitetin e tyre, qoftë hobi që mund ta kenë, apo ndonjë aftësi, vallëzim, këndim, apo edhe të zgjerojnë rrethin me njerëz të ndryshëm. Por, nuk duhet t’i harrojmë edhe pasojat që TikTok-u mund t’i sjellë, e të cilat janë shumë të mëdha. Përdorimi i tij i pakontrollueshëm, natyrisht që do të ketë efekt të keq në shëndetin mendor të të rinjve. Mund të shkaktojë lodhje të syve, por edhe ankth, ndjenja të izolimit.

Radio Evropa e Lirë: Ndoshta e ngjall edhe ndjenjën e pasigurisë, sepse jo çdo përmbajtje është reale aty.

Irma Sadikoviq: Patjetër, sidomos kur bëhet fjalë për vajzat e reja. E kemi parë që në TikTok ekspozohet moda më e re, linjat trupore, vendosen standarde të bukurisë dhe natyrisht që ato i bëjnë vajzat e reja që të ndihen inferiore dhe këto ndjenja çojnë në një vetëbesim apo vetëvlerësim të ulët ndaj vetvetes.

Radio Evropa e Lirë: Cila është mosha më kritike për të rinjtë, kur TikTok-u mund të ndikojë më së shumti tek ata?

Irma Sadikoviq: Një sondazh i fundit tregon se 60 për qind e vajzave dhe djemve të moshave prej 16 vjeç e deri në moshën 24 vjeç, janë përdorues të rregullt të TikTok-ut. Në moshën 16-vjeçare, të rinjtë kanë tendencë të konformohen më lehtë, pra ata përshtatën për të qenë pjesë e grupit, dëshirojnë të bëhen si shoku apo shoqja e tyre. Kjo është mosha më kritike, meqenëse nuk i mendojnë pasojat.

Radio Evropa e Lirë: Si të kalojnë më pak kohë të rinjtë në TikTok, çfarë do t’i inkurajonit?

Irma Sadikoviq: Si profesionistë të shëndetit mendor, ne sugjerojmë që të mos hiqet dorë menjëherë prej fenomeneve negative, apo sjelljeve të papërshtatshme, pasi edhe ajo mund të ketë pasojat e veta. Më mirë që të reduktohet koha e qëndrimit në këtë platformë, të bëhet një lloj plani i strukturuar. Është po ashtu shumë e rëndësishme që të gjendet një mënyrë e përshtatshme e komunikimit që ta kapërcejnë këtë lloj varësie.

Radio Evropa e Lirë: Së fundi TikTok ka thënë se për përdoruesit nën 18 vjeç, do ta caktojë një limit të përdorimit të aplikacionit për një orë në ditë. A besoni që do të ketë sukses?

Irma Sadikoviq: Më duket si vendim shumë i drejtë, sepse deri në moshën 18-vjeçare, mund ta përdorin TikTok-un në mënyrë më të pakontrollueshme.

Radio Evropa e Lirë: Irma, të flasim edhe për prindërit. A besoni se duhet t’i përcjellim fëmijët se çfarë shikojnë në TikTok?

Irma Sadikoviq: Patjetër, ne jemi ithtarë që prindërit të kenë një rol aktiv në kontrollimin e përmbajtjes, së cilës fëmijët e tyre i ekspozohen çdo ditë. Për fëmijët e moshave 13-18 vjeç do të ishte më mirë nëse do të kishte nivel më të lartë të kontrollit prej prindërve, kujdestarëve, motrave, vëllezërve, pra familjarëve më të rritur. Por, edhe vetë prindërit duhet t’i kenë të qarta pasojat që i ka përdorimi i TikTok-ut për fëmijët e tyre.

Radio Evropa e Lirë: Cilat janë disa metoda të shëndetshme përmes së cilave prindërit mund t’iu qasen fëmijëve?

Irma Sadikoviq: Bashkë me fëmijët e tyre, prindërit mund të krijojnë një rutinë. Shembull, nëse një fëmijë e ka hobi futbollin apo basketbollin, është mirë që prindërit t’ua mundësojnë fëmijëve që ta ndjekin atë sport, dhe në atë mënyrë e reduktojnë kohën në rrjetet sociale. Të kenë orar për detyra, dhe që ta tentojnë shmangien e përdorimit ta TikTok-ut në orët e mbrëmjes, disa orë para gjumit.

Radio Evropa e Lirë: T’i përmendim edhe të mirat potenciale që kjo platformë ofron për të rinjtë?

Irma Sadikoviq: Mund të krijojë rrjet të shoqërisë mes të rinjve. TikTok-u e ka komunitetin e vet dhe të rinjtë mund të lidhen aty me njëri-tjetrin, që t’i ndajnë idetë dhe të shpërfaqin kreativitetin e tyre.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë i porosisni të rinjtë që kalojnë shumë kohë në TikTok?

Irma Sadikoviq: I porosis që ta ndajnë kohën. Të kenë kohë kualitative me familjarët e tyre, të kenë kohë kualitative për të mësuar, lexuar, të bëjnë sa më shumë aktivitete në natyrë, sa më shumë ekspozim ndaj rrezeve të diellit, sepse edhe qëndrimi para diellit ju mbush me vitaminën D, e cila ju ndihmon në përmirësim të humorit dhe minimalizim të ndjesisë së lodhjes, stresit e ankthit.