Çfarë dihet për kompaninë që thuhet se prodhoi pejxherët që shpërthyen në Liban?

Njerëz të mbledhur para një spitali në Bejrut pas shpërthimit të pejxherëve në Liban, më 17 shtator 2024.

Kompania tajvaneze Gold Apollo ka thënë të mërkurën se ka autorizuar përdorimin e markës së saj në pejxherët që shpërthyen në Liban dhe në Siri, por se ato janë prodhuar nga një kompani tjetër, me bazë në Budapest.

Pejxherët – pajisje të telekomunikimit me valë – e përdorur nga grupi militant Hezbollah, i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shpërthyen pothuajse në të njëjtën kohë gjatë 17 shtatorit në Liban dhe në Siri, duke vrarë të paktën 12 persona, përfshirë dy fëmijë, dhe duke plagosur rreth 3.000 njerëz.

Hezbollahu dhe qeveria libaneze kanë fajësuar Izraelin për atë që u duk të ketë qenë një sulm i sofistikuar nga largësia.

Lexoni edhe këtë: Disa të vrarë, mijëra të plagosur nga shpërthimi i pejxherëve në Liban

Pejxherët ishin prodhuar nga BAC Consulting KFT, me bazë në kryeqendrën e Hungarisë, sipas një komunikate të lëshuar më 18 shtator nga Gold Apollo.

“Sipas marrëveshjes së bashkëpunimit, ne autorizojmë BAC të përdorë markën tonë për shitjet e produkteve në rajone të caktuara, por dizajni dhe prodhimi i produkteve është përgjegjësi e BAC”, thuhet në komunikatë.

Kreu i Gold Apollo, Hsu Ching-kuang, u tha gazetarëve se kompania e tij ka pasur marrëveshje licencimi me BAC për tre vjetët e kaluar, por nuk ka ofruar dëshmi të kontratës.

Pejxherë të ekspozuar në një sallë takimesh në zyrat e kompanisë Gold Apollo, në Tajvan, më 18 shtator 2024.

Kush është BAC?

Kompania hungareze përbëhet vetëm nga një person, ka gjetur Shërbimi hungarez i Radios Evropa e Lirë.

BAC pretendon se është kompani tejet e suksesshme e konsultimeve, por shumë prej karakteristikave të saj sugjerojnë se ajo nuk është marrë me një gjë të tillë.

Kompania hungareze është themeluar dy vjet më parë, ndërsa pronare dhe punonjëse e vetme e saj figuron 49-vjeçarja Cristiana B.-A..

Para se ta themelonte kompaninë, Cristiana B.-A. është angazhuar si sipërmarrëse individuale nga distrikti i Ujpeshtit, në Budapest. E njëjta ishte regjistruar më parë si sipërmarrëse edhe në Francë.

BAC si adresë paraqet një ndërtesë në distriktin Zuglo të Budapestit. Një punonjës atje i ka thënë REL-it se nuk ka takuar kurrë ndonjë punonjës nga BAC.

Objekti ku BAC thotë se ndodhen zyrat e tij, në Zuglo të Budapestit.

Ndonëse këshillimet për biznes i cilëson aktivitet parësor, kompania liston edhe prodhimin e pajisjeve të transmetimit ndër aktivitetet e saj, që përfshijnë edhe floktarinë apo nxjerrjen e naftës.

Kompania, sipas të dhënave zyrtare, ka qenë tejet e suksesshme në vitin e themelimit, duke inkasuar të hyra prej rreth 700.000 eurosh. Vitin e kaluar ajo ka deklaruar të ketë inkasuar mbi 500.000 euro.

Por, si një kompani e përbërë nga vetëm një njeri, përveç të ardhurave të larta, BAC ka raportuar për një fitim shumë modest prej rreth 25.000 eurosh gjatë dy viteve të operimit.

Edhe profili personal i Cristiana B.-A. në LinkedIn, edhe ueb-faqja e kompanisë së saj janë përplot informacione, por ato, në të vërtetë, janë sipërfaqësore, të paqarta apo jospecifike për atë se me kë ka bashkëpunuar ajo apo për çfarë projektesh.

REL-i ka kontaktuar disa prej kontakteve të saj në LinkedIn, të cilët kanë thënë se nuk e kanë parë kurrë personalisht Cristiana B.-A. Kur e kishte themeluar kompaninë e saj, ajo i kishte kontaktuar ata me shkrim në gjuhën hungareze për të vendosur raporte.

Përderisa kompania ka një adresë zyrtare emaili të paraqitur në ueb-faqen e saj, në një raport të kompanisë është vendosur një adresë Gmaili si email zyrtar.

REL-i ka pyetur Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme në Hungari për të kuptuar nëse do të niset një hetim rreth rastit, nëse ndonjë organ shtetëror ka pasur raporte me këtë ndërmarrje, apo se çfarë rreziqe sigurie mund të paraqesë ajo, nëse pejxherët që shpërthyen në Liban dhe në Siri janë prodhuar vërtet në Hungari, por nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

As Cristiana B.-A. nuk është përgjigjur në pyetjet që REL-i ka dërguar në emailin e saj.

Si ndodhën shpërthimet?

Rreth orës 3:30 të së martës, sipas kohës lokale, teksa njerëzit po blinin në dyqane, po rrinin në kafene apo po ngisnin automjetet e tyre, pejxherët në duart apo në xhepat e tyre filluan të nxehen dhe pastaj shpërthyen – duke shkaktuar skena të përgjakshme dhe duke nxitur panik mes kalimtarëve.

Shumë prej viktimave u tha se janë pjesëtarë të Hezbollahut, por nuk u bë e qartë nëse pejxherët që shpërthyen ishin edhe në duar të joanëtarëve.

Your browser doesn’t support HTML5

A ka rrezik që Hezbollahu ta përhapë konfliktin në Lindjen e Mesme?

Shpërthimet ndodhën kryesisht në zonat ku grupi ka prani të madhe, veçanërisht në një periferi jugore të Bejrutit dhe në rajonin Beka në lindje të Libanit, si dhe në Damask, sipas zyrtarëve libanezë të sigurisë dhe një zyrtari të Hezbollahut, i cili foli në kushte anonimiteti.

Hezbollahu, i cili akuzon Izraelin si përgjegjës për shpërthimet, ka thënë në mëngjesin e së mërkurës, nëpërmjet një komunikate, se do të vazhdojë kryerjen e sulmeve të zakonshme ndaj Izraelit “sikurse në ditët e fundit”, si pjesë e atij që e ka përshkruar si front mbështetës për aleatin e tij, Hamasin – po ashtu i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe nga Bashkimi Evropian – dhe për palestinezët në Gazë.

Lexoni edhe këtë: Izraeli dhe Hezbollahu buzë konfliktit që asnjëra palë s’e dëshiron

Hezbollahu nisi lëshimin e raketave drejt Izraelit më 8 tetor 2023, një ditë pasi një sulm vdekjeprurës i udhëhequr nga Hamasi në Izraelin jugor nxiti një kundërofensivë masive izraelite dhe luftën e vazhdueshme në Gazë.

Që atëherë, Hezbollahu dhe forcat izraelite kanë shkëmbyer sulme pothuajse çdo ditë, të cilat kanë shkaktuar vdekjen e qindra personave në Liban dhe të dhjetëra të tjerëve në Izrael, si dhe kanë çuar në zhvendosjen e dhjetëra mijëra njerëzve në të dyja anët e kufirit.

Bazuar në raportimet e Associated Press