“Sa i përket marrëveshjes që arriti Maqedonia me Greqinë, është jashtëzakonisht i rëndësishëm zbatimi i saj. Ajo që pason tani është referendumi dhe sfida kryesore është që Maqedonia të organizojë një referendum të suksesshëm sipas të gjitha standardeve ndërkombëtare”, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Fatmir Besimi, ish-ministër i Mbrojtjes i Maqedonisë.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë do të thotë marrja e ftesës për anëtarësim në NATO? Qytetarët e Maqedonisë kohë të gjatë e kanë pritur një vendim të tillë, me shpresë se vendi do të jetë më i sigurt e me këtë do të ketë edhe mirëqenie ekonomike...
Fatmir Besimi: Ftesa për anëtarësim në NATO për Republikën e Maqedonisë është një lajm jashtëzakonisht i mirë. Kjo do të thotë se Maqedonia ka garanci për siguri më të madhe për qytetarët e saj, për rajonin, por edhe më shumë se kaq. Pra, do të ketë një stabilitet të qëndrueshëm, që do të thotë shumë edhe për investitorët. Do të kenë një ambient më të sigurt për investime. Për këtë flasin faktet. Mjafton të marrim si shembull vendet e rajonit siç është edhe Shqipëria, e cila menjëherë pas anëtarësimit në NATO dyfishoi investimet e huaja...Pra, me anëtarësimin në NATO, Maqedonia siguron një perspektivë të mirë ekonomike dhe mirëqenie për qytetarët.
Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, anëtarësimi nuk do të ndodhë pa zbatimin e marrëveshjes për emrin me Greqinë. Institucionet i presin sfida të rënda si referendumi dhe ndryshimet kushtetuese. Si i shihni këto procese?
Fatmir Besimi: Sa i përket marrëveshjes që arriti Maqedonia me Greqinë, është jashtëzakonisht i rëndësishëm zbatimi i saj. Ajo që pason tani është referendumi dhe sfida kryesore është që Maqedonia të organizojë një referendum të suksesshëm sipas të gjitha standardeve ndërkombëtare. Por, që ky referendum të kalojë në formën më afirmative, duhet të ketë një periudhë jashtëzakonisht të rëndësishme të njoftimit të popullatës lidhur me rëndësinë e kësaj marrëveshjeje, por edhe për perspektivat që hap kjo marrëveshje dhe avantazhet që do të ketë vendi me anëtarësimin në NATO.
Radio Evropa e Lirë: Por, veç kësaj, marrëveshja duhet të ratifikohet edhe nga Greqia. Atje skena politike është mjaft e polarizuar, ndërsa ka pasur edhe protesta. Besoni se marrëveshja do të kalojë edhe atje?
Fatmir Besimi: Ajo që është me rëndësi ka të bëjë me faktin se pas kalimit të marrëveshjes në referendum, ajo duhet të ratifikohet edhe në Parlamentin e Greqisë. Unë, në përgjithësi, sa i përket këtij procesi, jam optimist pasi këtu hapen perspektivat e të dyja vendeve. Gjithashtu, të dyja palët me këtë marrëveshje kanë marrë obligim apo janë zotuar se do të realizojnë marrëveshjen me kuptimin e saj të plotë.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë do të thotë marrja e ftesës për shqiptarët? Ata në të gjitha sondazhet paraqiten si mbështetësit më të mëdhenj të anëtarësimit të vendit në NATO, por edhe në BE.
Fatmir Besimi: Sa i përket kohezionit social apo marrëdhënieve ndëretnike dhe atyre ndër-fqinjësore, standardet e NATO-s janë një garanci për marrëdhënie të mira ndëretnike dhe respekt të ndërsjellë, apo ndryshe siç njihen edhe si kohezion social. Kjo nënkupton se në të gjitha pozicionet e Armatës do të respektohen të gjitha standardet sa i përket cilësisë dhe profesionalizmit ku shqiptarët krahas maqedonase dhe komuniteteve tjera do të kenë përfaqësim adekuat dhe të drejtë në bazë të performancës profesionale, duke nisur nga të gjitha njësitet e Armatës e deri tek ato speciale.
Radio Evropa e Lirë: A mendoni se Armata e Maqedonisë është e gatshme të rreshtohet përkrah shtetet të fuqishme anëtarë të NATO-s?
Fatmir Besimi: Maqedonia në këtë proces, gjithashtu, ka edhe obligimet e saj. Në këtë drejtim, do të thosha se Maqedonia ka dëshmuar kapacitetet e saj me pjesëmarrje aktive në misionet paqeruajtëse të NATO-s, siç janë misionet e fundit në Afganistan, ku Maqedonia për shumë vite me radhë merr pjesë me ushtarët e saj. Ajo ka dëshmuar një përvojë pozitive edhe për vendet anëtare, apo thënë ndryshe nga një importues i paqes pasi për shumë vite kishte nevojë për një stabilitet të vendit, sot ajo është eksportuese e paqes në vendet e lindjes së mesme apo në të gjitha vendet ku NATO do të ketë nevojë për të siguruar stabilitet botëror.