Ndërlidhjet

Stoltenberg: Pas ndryshimit të emrit, Maqedonia do të bëhet anëtarja më e re e NATO-s


Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg

Aleanca Veriatlantike ka ftuar Maqedoninë që të fillojë bisedimet për anëtarësim në NATO. Por, Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg ka thënë në konferencë në Bruksel se Maqedonia do të bëhet anëtare e 30-të e NATO-s pasi t’i ketë përfunduar të gjitha procedurat dhe pasi të ketë zbatuar në tërësi Marrëveshjen me Greqinë për kontestin e emrit.

“Nuk mund të jeni anëtare e NATO-s pa zgjidhur çështjen e emrit. Kjo i takon njerëzve të Maqedonisë të vendin (në referendum). Kjo është shans jetësore. Nuk mund të fitojnë të dyja. Nuk mund të anëtarësohemi pa ndryshimin e emrit. Unë e mbështesë marrëveshjen. Qartë kemi thënë se do të nisni bisedimet, por se duhet t’i zbatoni të gjitha obligimet nga Marrëveshja me Greqinë, dhe më pas IRJM do të bëhet anëtare e 30-të e NATO-s, me emrin Republika e Maqedonisë së Veriut. Zgjedhja është e qytetarëve”, ka thënë Stoltenberg.

Autoritetet maqedonase këtë e kanë vlerësuar si një nga momentet më të rëndësishme të Maqedonisë që nga pavarësia e saj.

Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska, e cila në Bruksel ka marrë pjesë në një takim ministror të vendeve anëtarë të NATO-s, ka thënë se vendimi është historik dhe se Maqedonia sipas saj tashmë ka të garantuar stabilitetin dhe sigurinë e saj.

“Vendi jonë edhe zyrtarisht merr ftesën për anëtarësim në NATO. Këtë shans lëshuam në vitin 2008 dhe që atëherë zhvillimet shkuan në drejtim të gabuar. E kemi ndjerë se çfarë do të thotë të jetosh në shtet të pasigurt dhe në rajon jostabil. Kemi kaluar shumë kriza ndërsa shteti stagnonte në çdo sferë. Gjatë 10 vjetëve të fund një gjë na u bë e qartë, se pa hapjen e perspektivës për anëtarësim në NATO dhe BE, e ardhmja e Maqedonisë është e pasigurt”, ka deklaruar Sheqerinska duke shtuar se përfitimet nga anëtarësimi në NATO do të jenë të gjithanshme, pasi përveç sigurisë vendi do të ketë edhe perspektivë ekonomike dhe mirëqenie për qytetarët.

“Anëtarësimi në NATO është shans historik të cilën duhet ta shfrytëzojmë. Me këtë Republika e Maqedonisë do të bëhet partnere dhe aleate me shtetet më të fuqishme në botë. Anëtarësimi në NATO do të thotë siguri dhe stabilitet për Maqedoninë dhe qytetarët e saj, Por, kjo do të thotë edhe shans për zhvillim ekonomik dhe prosperitet”, ka deklaruar Sheqerinska.

Megjithatë, Qeveria në Shkup deri në anëtarësimin e plotë në NATO duhet të zbatojë referendumin në të cilin qytetarët duhet të deklarohen se a e pranojnë apo jo Marrëveshjen me Greqinë, respektivisht ndryshimin e emrit të shtetit në “Maqedonia Veriore”.

Në rast se referendumi dështon, me automatizëm dështon edhe marrëveshja. Në rast se referendumi kalon, atëherë nevojiten ndryshimet kushtetuese për të cilat nevojiten dy të tretat e votave në Kuvend për të ndryshuar pjesët që kanë të bëjnë me emrin e shtetit dhe termet “maqedonase” dhe “maqedon”. Marrëveshja, gjithashtu nuk do të jetë e përfundimtare pa kaluar edhe në Parlamentin e Greqisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG