“S’ka” COVID-19 në kohë zgjedhjesh

Deri më tani ky është tubimi me numrin më të madh të pjesëmarrësve që ka publikuar ndonjë nga partitë politike. Kandidati i PDK-së për kryeministër, Enver Hoxhaj ka publikuar disa fotografi nga ky aktivitet që shkel vendimin e Qeverisë së Kosovës i cili përcakton numrin e lejuar për pjesëmarrje në organizime në ambiente të mbyllura. 27.01.2021, Skenderaj. 

Qindra njerëz kanë marrë pjesë edhe në këtë organizim paraelektoral të organizuar nga PDK-ja në Burojë, fshatin e lindjes së Hashim Thaçit, themeluesit të këtij subjekti politik. Siç shihet në fotografi, nuk respektohen masat kundër COVID-19. 26.01.2021, Burojë, Skenderaj.
 

As vet kandidati i PDK-së për kryeministër, Enver Hoxhaj nuk mban maskë nëpër këto tubime. Edhe këtu, në Drenas ku ka një numër të madh të pjesëmarrëseve nuk përdoren maskat dhe nuk respektohet distanca. 26.01.2021, Drenas.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj që po synon postin e presidentit, gjatë kësaj vizite në vendlindjen e tij zhvilloi disa aktivitete. Në shumicën prej tyre të pranishmit shihet se nuk respektojnë masat. Pa distancë dhe pa maska. 26.01.2021, Deçan.

Në këtë takim, Ramush Haradinaj thotë se u ka folur të rinjve nga Deçani për idetë e tij për rritjen e punësimit të të rinjve. Mirëpo këtu shihen shumë nga ta, duke mos respektuar masat. Vet Haradinaj nuk bartë maskë. 26.01.2021, Deçan.

Vendimi i fundit i Qeverisë së Kosovës thotë se në organizime në ambiente të mbyllura lejohen vetëm 50 persona, por këtu duket qartë se ka shumë më shumë. 26.01.2021, Deçan.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherësh kandidat për kryeministër nga LDK-ja, Avdullah Hoti, së fundmi nuk është duke publikuar fotografi ku shihen shumë njerëz në tubime elektorale. Por, në këtë tubim në Pejë shihet një numër i madh pjesëmarrësish, më shumë se sa lejohen me vendim të qeverisë që vet ai e drejton.23.01.2021, Pejë.

Për masat që i ka vendosur vet ministria që e udhëheq nuk është kujdesur të respektohen as vet ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj. Në këtë takim që ai ka mbajtur në Deçan, shihen një numër i madh personash që nuk bartin maska dhe rrinëshumë pranë njëri-tjetrit. 25.01.2021, Deçan.

Në këtë takim të kryeministrit në detyrë, Avdullah Hoti shihen të pranishmit duke bartur maska por duke mos respektuar kriterin tjetër, distancën. 19.01.2021, Prishtinë.

Me 24 janar, lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka takuar bashkqytetarë të tij në Malishevë. Mungojnë maskat dhe mjetet e tjera mbrojtëse. 24.01.2021, Malishevë.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj shihet në këtë organizim me siç ka thënë ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë fotografi shihet se asnjë person nuk bartë maskë. 25.01.2021, Vushtrri.

Nisma Socialdemokrate nuk i respekton masat as gjatë takimit parazgjedhor në Podujevë. 26.01.2021, Podujevë.

Në profilin e Albin Kurtit si dhe të Lëvizjes Vetëvendosje në Facebook, javëve të fundit nuk shihen fotografi nga tubimet me shumë njerëz. Ka disa javë që kandidati për kryeministër i Vetëvendosjes, Albin Kurti, publikon fotografi si kjo me dy apo tre persona. 26.01.2021, Prishtinë.
 

Por njëjtë si Kurti nuk po vepron edhe aleatja e tij kryesore në këto zgjedhje, Vjosa Osmani e cila garon në listën e Lëvizjes Vetëvendosje. Osmani ka publikuar fotografi nga aktivitete të ndryshme ditëve të fundit ku ka pasur shumë njerëz dhe pak respektim të masave. 24.01. 2021, Prizren.

Në ambiente të ngushta dhe me shumë njerëz ishte edhe ky takim paraelektoral i Vjosa Osmanit. 24.01.2021, Prizren.

Takime nëpër shtëpi private janë duke mbajtur vazhdimisht edhe kandidatët për deputetë si në këtë rast, Arjeta Fejza e Vetëvendosjes. 25.01.2021

Edhe i sapo aderuari në Vetëvendosje, Aremend Muja shihet pa maskë dhe distancë në këtë takim paraelektoral. 26.01.2021, Mitrovicë.