Në shtëpinë e 20 arinjve dhe një luani

Pylli i Arinjve Prishtina është shtëpi e 20 arinjve të shpëtuar në Kosovë dhe Shqipëri. 

Ema, Oska dhe Roni janë të vetmit arinj që nuk ndahen asnjëherë nga njëri-tjetri. Ata, së bashku, ishin shpëtuar më 2014 nga organizata ndërkombëtare, FOUR PAWS, pasi po mbaheshin si kafshë shtëpiake në rajonin e Bjeshkëve të Nemuna. Që atëherë, ata kanë gjetur një shtëpi të sigurt në Pyllin e Arinjve Prishtina.
 

Ky pyll, që gjendet 20 kilometra larg kryeqytetit të Kosovës, Prishtina, është hapur për vizitor në maj të vitit 2013. 

Pylli ka një hapësirë prej 16 hektarësh dhe rrethohet nga pyje të dendura të natyrës së paprekur. 

Ky është Stivi, që është shpëtuar në Deçan më 2013. Ai është pothuajse i verbër, pasi kur po mbahej në izolim, ishte përfshirë në një luftë me një ari tjetër. Plagët që kishte marrë në sy, i ishin infektuar dhe nuk ishin trajtuar. Por, Stivi sot merr gjithë trajtimin e nevojshëm mjekësor që ofron Pylli i Arinjve. Kur personeli i pyllit i hedh ushqimin, Stivi dallohet nga arinjtë e tjerë, pasi ai me nuhatje arrin të gjejë shujtën e tij.
 

Arinjtë në këtë park kanë një regjim strikt të ushqimit. 

Ata ushqehen tre herë në ditë, kryesisht me pemë dhe perime. 

Ata kryesisht ushqehen me karrota, molla, fara të zeza, sallata dhe tranguj.

Brenda një viti, këtë pyll e frekuentojnë rreth 50 mijë vizitorë, prej tyre 10 mijë janë nxënës.

Megjithatë, nga janari deri në fillim të marsit, vizitorët nuk mund të shohin arinjtë, të cilët janë në gjumin dimëror. 

Ky pyll, që ofron strehim të përhershëm për arinjtë e murrëm, ka siguruar që secili banor i tij, të ketë një hapsirë prej 5.000 metrash katrorë. 

Më 2022, Pylli i Arinjve Prishtina, u bë shtëpi edhe e luanit Gjoni, që u shpëtua në Shqipëri, ku po mbahej në një kafaz të një restoranti. 

Vizitorët e Pyllit të Arinjve Prishtina, mund të njihen me historinë e secilit ari që është shpëtuar. 

Përveç hapësirave ku banojnë arinjtë, vizitorët mund të shfrytëzojnë shtigjet për ecje.

Po ashtu, në Pyllin e Arinjve Prishtina ka edhe restorante, dyqane të dhuratave, kënde për lojëra të fëmijëve si dhe mund të vizitojnë një ekspozitë, që tregon aktivitetet që ofron ky pyll.

Pylli është themeluar nga organizata austriake për mbrojtjen e kafshëve, FOUR PAWS, por po ashtu qytetarët mund të bëjnë donacione për operimin e këtij pylli.

Përveç pyjeve ku ata qëndrojnë, Pylli i Arinjve ka edhe disa tunele, që shfrytëzohen për argëtim të arinjve. 

Pranë secilës hapësirë ku janë të vendosur arinjtë, ka tabela ku tregohet historiku i shpëtimit dhe karakteristikat e tjera të ariut. 

Ky është shtegu në hyrje të pyllit dhe tabelat e vendosura përskaj shtegut, shtyjnë vizitorët të provojnë se sa metra mund të kërcejnë. 

Në këtë pyll, ariu më i vjetër është Ero, i cili ka lindur më 1999 dhe është shpëtuar në qershorin e vitit 2013 në rajonin e Sharrit. 

Pylli i Arinjve Prishtina ofron edhe pishina freskuese për arinjtë. 

Vizitorët që duan të shohin nga afër arinjtë, duhet të paguajnë bileta duke nisur nga 2.50 deri në 5 euro, ndërkaq për fëmijët nën katër vjeç edhe ata me aftësi të kufizuara, hyrja është pa pagesë. 

Arinjtë Andri, Kassandra, Vini, Rina, Ari, Nala, Mali, Hana, Mira, Ero, Anik, Lena, Hope, Stivi, Ema, Oska, Roni, Tomi, Gjina dhe Pashuku janë banorët simpatikë të Pyllit të Arinjve Prishtina. Vitin e fundit, ky pyll është pasuruar me ardhjen e luanit, Gjoni.