“T’du qashtu qysh je!”, Parada e Krenarisë në rrugët e Prishtinës

Shumë qytetarë morën pjesë në marshin e sivjetmë që kishte moton: “T’du qashtu qysh je!”.

Ky është viti i shtatë që në Prishtinë u organizua Parada e Krenarisë.

Në parada vazhdimisht është bërë thirrje që të lejohet martesa midis personave me gjini të njëjtë - gjë të cilën në Kosovë e lejon Kushtetuta, por jo edhe Kodi Civil i Kosovës dhe Ligji për Familjen.

Paradat e Krenarisë ndonjëherë shërbejnë edhe si protesta për të drejtat ligjore si martesat e të njëjtit seks.
Frika nga izolimi nga familja dhe shoqëria i detyron ende shumë pjesëtarë të komunitetit LGBTIQ+ në Kosovë të mos shprehen publikisht për identitetin e tyre.
Aktivistë dhe pjesëtarë të këtij komuniteti thonë se shoqëria kosovare është tejet konservatore, andaj edhe ka pak të tillë që deklarohen hapur për orientimin e tyre seksual.
Motoja e Javës së Krenarisë vitin e kaluar ishte “N’shtet, edhe n’familje”, pasi këto dy institucione, sipas aktivistëve, janë ndër mohuesit kryesorë të të drejtave të pjesëtarëve të komunitetit LGBTIQ+.
Në vende të ndryshme të botës festohet Muaji i Krenarisë e që është muaji në të cilin të gjithë të përqafojnë se kush janë dhe ta bëjnë të ditur për botën – me stil!
Ylberi nënkupton aktivitetet dhe shijet shumëngjyrëshe të kësaj feste njëmujore. Këto aktivitete përfshijnë mitingje masive, Parada Krenarie, festa, seminare, koncerte dhe ngjarje të panumërta të tjera LGBTQ+ për të tërhequr pjesëmarrës nga të gjitha anët.
Në hapje të Javës së Krenarisë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se megjithëse Kosova ka bërë përparime të shumta ndër vite në promovimin e barazisë për personat e komunitetit LGBTI+, mbetet “ende shumë e shumë punë për të bërë”.