Vala aktuale e pandemisë në Francë mund ta ketë pikun në janar

Dy francezë duke pritur në radhë për vaksinim kundër koronavirusit.

Ministri francez i Shëndetësisë, Olivier Veran, ka thënë se vala aktuale e pandemisë në Francë mund të ketë pikun në janar të vitit të ardhshëm.

“Vala e pestë është duke u përhapur shpejt. Ka ndikim të vërejtshëm në sistemin spitalor”, ka thënë Veran për radion France Info.

Kjo valë e re, që ka rezultuar me gati 50,000 raste të reja të infektimit për të tretën ditë me radhë, është duke u shtrirë si pasojë e variantit Delta të koronavirusit.

Varianti i ri i koronavirusit, Omicron – i raportuar fillimisht në Afrikën e Jugut – ka nxitur po ashtu alarm global, me mbyllje të kufijve dhe kufizime tjera.

SHIKONI EDHE: Vaksinat kundër COVID-19 mund të duhen me vite

Masat e reja kanë ngritur dyshime për kapacitetet e rimëkëmbjes ekonomike pas dy vjetëve prej shpërthimit të pandemisë.