Pacolli: Nuk kemi asnjë notë verbale se ndonjë shtet ka tërhequr njohjen

Ministri i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Behgjet Pacolli

Ministri i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Behgjet Pacolli, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, thotë se deri më tash Kosova nuk ka asnjë notë verbale se ndonjë shtet ka tërhequr njohjen. Ai thotë se Serbia është duke shpenzuar shumë e gjithçka për pengimin e Kosovës për anëtarësim në mekanizma ndërkombëtarë. Pacolli, në intervistë flet edhe për dialogun Kosovë - Serbi dhe arritjen e një marrëveshjeje të mundshme.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Pacolli, aktualisht po zhvillohet një betejë diplomatike me Serbinë rreth njohjeve të reja të Kosovës. Së fundi keni akuzuar autoritetet serbe se po përdorin edhe shitjen e armëve si mjet për të penguar njohjet. Sa në fakt po arrin Serbia që të pengojë procesin e njohjeve të reja?

Behgjet Pacolli: Është e vërtet se tani Serbia është duke shpenzuar shumë kohë, shumë mjete, shumë njerëz në botë, duke tentuar të pengojë Kosovën, integrimet e Kosovës , njohjet e Kosovës, kultivimin e marrëdhënieve të mira me shtetet tjera.

Kjo mua më brengosë vetëm nga rrafshi human, sa të papërgjegjshëm janë njerëzit dhe që tentojnë vetëm të shkatërrojnë gjëra në botë.

Kurse, ne jemi të inkurajuar nga dëshira e madhe për të vepruar, dëshira e madhe për të zhvilluar marrëdhënie të mira me gjithë botën për Kosovën dhe dëshira e madhe që Kosova të ketë miq kudo në çdo kontinent. Inkurajohemi edhe nga e drejta legjitime e qytetarëve të Kosovës që të jenë të lirë, që të kenë shtet të vetin që të veprojnë e punojnë për Kosovën si shtet i pavarur.

Radio Evropa e Lirë: A po arrin Serbia që të ketë ndikim për mosnjohjen e Kosovës nga shtet që nuk e kanë njohur deri tash Kosovën?

Behgjet Pacolli: Shikoni, ne nuk kemi marrë asnjë notë verbale prej asnjë shteti në botë, ku një shtet në njëfarë mënyre e vë në dyshim mosnjohjen e Kosovës.

Normalisht shtetet që e kanë njohur Kosovën e kanë njohur me notë verbale, nota verbale është drejtuar në institucionet e Kosovës dhe si e tillë ka hapur kapitullin e marrëdhënieve të mira të Kosovës me shtetin përkatës.

Nëse ndryshon diçka në ketë rrafsh, i njëjti shtet, duhet që t'ja drejtojë Kosovës një notë verbale dhe t'i thotë se nga sot ne juve nuk ju njohim, do të thotë ndryshon pozitën, qasjen me ju edhe pse një gjë e tillë nuk është diplomatike, nuk njihet fare një veprim i tillë, pasi që një shtet nuk ka nevojë që t'i thotë shtetit tjetër që duhet të kemi marrëdhënie të mira ose jo. Ai nëse dëshiron vetëm pushon që të ketë marrëdhënie të mira, por nuk thuhet ajo. Dhe një notë të tillë verbale ose një copë letër prej asnjë shteti nuk e kemi marrë .

Kemi dëgjuar se në Beograd shkojnë disa funksionarë të shteteve të ndryshme, të shteteve të vogla kryesisht. Aty qarkullon një dokument që është i njëjtë në të gjitha rastet dhe ma merr mendja se është i shkruar në Beograd, praktikisht vihet para atij njeriu që ta nënshkruaj.

Dhe këtu si arsye, para atyre zyrtarëve, deri tash Beogradi ka përdorur se gjoja se jemi në bisedime me Kosovën dhe njohja e juaj ndaj Kosovës pengon zhvillimin e dialogut. Por, ne nuk kemi marrë asnjë notë verbale nga askush dhe kjo është dashur po të ekzistonte t'i komunikohet Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Autoritetet serbe nuk ju kanë lejuar të hyni në Serbi, ndërkohë që është publikuar edhe një listë me emrat e zyrtarëve të Kosovës të cilëve nuk do t’u lejohet hyrja në këtë vend. Sa janë këto veprime në harmoni me marrëveshjet e arritura në dialog për lëvizje të lirë?

Behgjet Pacolli: Emocionalisht zero, nuk ka ndodhur asgjë për arsye se unë shkoj në ato vende ku jam i mirëpritur dhe ku nuk jam i mirëpritur nuk kam dëshirë as të shkoj. Alternativa të udhëtimit në krahasim më Serbinë kam shumë në botë. Nëse Serbia ka bërë një listë të tillë dhe ka krijuar situata që të pengohet hyrja ime në Serbi dhe disa zyrtarëve, këtu shihet shkalla e frustrimit të aktorëve politik në Serbi.

Unë edhe po të shkoj në Serbi, nuk do ta kisha ofenduar askënd. Unë do të shkoja te miqtë e mi të cilët me kishin ftuar dhe do të kthehesha këtu dhe askush nuk do të kishte asnjë dëm nga vizita ime, por vetëm dobi që miqësia do të lidhej edhe me tutje me njerëzit përtej kufirit të Kosovës.

Këtë serbet nuk e deshën. Unë u tërhoqa nga shkuarja ime. Tash po dëgjoj se emri im është në lista që e ndalojnë hyrjen time në Serbi. Është punë e tyre, nuk është punë e imja dhe siç e thash edhe njëherë emocionalisht nuk më pengon fare.

Radion Evropa e Lirë: A do të duhej të kishte një reagim të Kosovës në Bruksel sepse Kosova dhe Serbia kanë një marrëveshje të nënshkruar në Bruksel për lëvizjen e lirë mes dy vendeve?

Behgjet Pacolli: Sigurisht që ne raportojmë në Bruksel, mirëpo që ne të reagojmë me një notë proteste apo diçka, nuk e kemi bërë atë për arsye se njerëzve që u është ndaluar hyrje në Serbi janë persona që mund ta anashkalojnë Serbinë dhe nuk ka ndodhur asgjë dhe asnjëherë nuk do të kërkoja prej dikujt që nuk do ta hapë derën që ta hapte në rastin tim. Do të ishte goxha banale, prandaj unë e marrë ketë me pak ironi dhe nuk hidhërohem fare nga ky veprim i tyre.

Radio Evropa e Lirë: Nëse do të ketë një kërkesë së shpejti nga zyrtarët serbë në MPJ, për ta vizituar Kosovën a do ta aprovoni një kërkesë të tillë?

Behgjet Pacolli: Normalisht ne do të veprojmë saktësisht sipas marrëveshjeve që kemi me Brukselin. Ne jemi shtet serioz, ne respektojmë marrëveshjet dhe për këdo që nuk është dashakeqës çdo kush që vije dhe ka respekt për nikoqirin në ketë rast për shtetin e Kosovës mund të vij dhe do t'i ofrohen edhe shërbimet dhe asnjëherë nuk do të ketë frikë që të vijë në Kosovë.

Radio Evropa e Lirë: Kosova dhe Serbia po hyjnë edhe në fazën finale të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Sa jeni optimist se mund të arrihet një marrëveshje e zbatueshme për normalizim të raporteve mes dy vendeve?

Behgjet Pacolli: Duke shikuar kohën në të cilën jemi duke jetuar, ku gjërat ndodhin shpejt, praktikisht unë e shoh se një marrëveshje, një paqe me Serbinë është shumë e nevojshme.

Kjo për arsye se gjeneratat e reja, një numër i madh i tyre edhe në Serbi edhe këtu në Kosovë të cilët kanë lindur pas konfliktit, ata nuk duan barrë që të trashëgohet nga e kaluara.

Për hir të tyre, për hir të qytetarëve dhe për hir të një paqeje në rajon, ne duhet të vëjmë në dispozicion çdo mekanizëm që e kemi dhe t'i kontribuojmë dialogut për arsye se asnjëherë problemi në këto troje nuk do të zgjidhet veç me dialog.

Radio Evropa e Lirë: Pra, ju besoni në arritjen e një marrëveshje finale?

Behgjet Pacolli: Unë jam ithtar i saj së pari që të arrihet një marrëveshje dhe unë besoj se do të arrihet një marrëveshje për arsye se nuk ka alternativë tjetër dhe kjo marrëveshje do të krijonte mundësi të reja dhe do të krijonte një atmosferë krejtësisht ndryshe në këto troje.

Radio Evropa e Lirë: Besoni që kjo marrëveshje eventuale me Serbinë, do t’ia hapte dyert Kosovës për anëtarësimin e saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara?

Behgjet Pacolli: Është njëfarë kushti, do të thotë se nëse ka paqe me Serbinë duhet të ndodh edhe njohja reciproke. Nëse ndodhë njohja reciproke nuk ka asnjë arsye që Kosova të pengohet në integrimet e saj në organizatat ndërkombëtare. Unë e di se shumë anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, gjithmonë e kanë potencuar, nëse Serbia, nuk e pengon Kosovën, ne nuk kemi arsye ta pengojmë Kosovën.

Kështu që, unë e shoh që me përfundimin e dialogut do të ketë një kontratë paqeje në bazë të së cilës Serbia do ta njoh Kosovën dhe Kosova do ta njohë Serbinë. Kështu që nuk do të ketë asnjë arsye që dikush kudo qoftë në Këshill të Sigurimit apo diku tjetër të pengojë integrimin e Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Po flitet për kompromise të ndryshme që duhet bërë të dyja vendet sepse po hyhet në një fazë finale të dialogut. Çfarë kompromise duhet bërë nga Kosova apo edhe Serbia për të arritur deri të një marrëveshje?

Behgjet Pacolli: Çdo marrëveshje ka anët pozitive dhe negative. Nuk ka marrëveshje ku dikush është humbës e dikush fitues. Ka ose fitues ose humbës te të dyja palët. Këtu po frikësohem se palët në dialog duhet të bëjnë koncesione, këto koncesione nuk i di dhe nuk dua t'i mendoj.

Por, një e di që do të jetë e vështirë për cilindo që udhëheq dialogun sidomos të diskutojë për gjërat që e prekin sovranitetin dhe territorin e Kosovës. Çdo gjë tjetër mund të dialogohet, por kur është në pyetje territori dhe sovraniteti i Kosovës, besoj se askush nuk ka të drejtë që të ndërhyjë.

Radio Evropa e Lirë: Përderisa dialogu vazhdon dhe nuk i dihet megjithatë epilogu, kur pritet që Kosova të vazhdojë me procedurat për anëtarësimin e saj në disa prej organizatave ndërkombëtare, qoftë në UNESCO apo INTERPOL, bazuar në pretendimet e mëhershme sidomos për këto dy instanca?

Behgjet Pacolli: Në njëfarë mënyre e lëshuam rastin vitin e kaluar, për arsye se qeveria u formua shumë vonë, nuk ishim ne vet të përgatitur dhe ne vetëm e shtymë anëtarësimin e në këto dy organizata.

Ne nuk jemi tërhequr farë, por vetëm e kemi shtyrë votimin. Për ketë vit është paraparë anëtarësimi ynë, gjegjësish trajtimi i Kosovës, anëtarët e INTERPOL-it do të votojnë në nëntor në Asamblenë e Përgjithshme të INTERPOL-it.

Unë besoj se kushtet janë të mira, ne do të kemi shumicën e votave.

Sa i takon UNESCO-s, është paraparë në vitin 2019. Ne jemi duke punuar nuk jemi ndalur asnjëherë. Jemi duke pritur miratimin e dy ligjeve të cilët ende sillën në sirtarët e parlamentit dhe në momentin që të kalojnë këto dy ligje, Kosova do t’i ketë të plotësuara të gjitha parakushtet që të aplikojë në këtë organizatë dhe t'i nënshtrohet votës.