Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka uruar republikanin Donald Trump, pasi fitorja e tij në zgjedhjet presidenciale në SHBA u konfirmua.
"SHBA-ja është një aleate, mike dhe partnere kyç për Kosovën dhe mezi presim të punojmë së bashku për përparim dhe paqe", shkroi Kurti në X.
Përderisa liderët e tjerë politikë të Kosovës e kishin uruar Trumpin më herët gjatë ditës, Kurti priti deri në konfirmimin zyrtar.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e uroi republikanin Donald Trump për fitoren e shpallur në garën presidenciale kundër demokrates Kamala Harris në SHBA.
Ajo theksoi se SHBA-ja mbetet partner dhe aleat “i palëkundur dhe i pazëvendësueshëm” për Kosovën.
“Pres me padurim të punoj me administratën e re, për të thelluar më tej lidhjen tonë unike dhe aleancën strategjike”, shkroi presidentja Osmani në X.
Me një fitore në Uiskonsin, Trump - i cili kishte udhëhequr administratën amerikane edhe gjatë viteve 2016-2020 - arriti të kalonte 270 votat elektorale që ishin të nevojshme për ta fituar presidencën.
SHIKONI EDHE: Donald Trump zgjidhet presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara
Vetë Trump e shpalli fitoren në një fjalim të mbajtur përpara mbështetësve të tij në Florida.
Urimeve u janë bashkuar liderët e partive opozitare në Kosovë, para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në Kosovë, në shkurt të vitit 2025.
Kandidati i Partisë Demokratike për kryeministër, Bedri Hamza, e uroi Trumpin për fitoren, ndërsa lavdëroi republikanët dhe demokratët për garën e zhvilluar.
"Zgjedhjet në Amerikë janë festë e mrekullueshme e demokracisë. I shpreh urimet më të përzemërta presidentit Donald Trump për fitoren e tij", shkroi Hamza në llogarinë e tij në Facebook.
Edhe kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e uroi Trumpin ndërsa theksoi shpresën që Kosova do ta ketë vëmendjen e administratës së ardhshme në SHBA.
"Rikthimi i Kosovës në agjendën e Uashingtonit është interes nacional i popullit të Kosovës. Pa SHBA-në, ecja e Kosovës si shtet i ri në konsolidim ndërkombëtar është e pamundur! Në Qeverinë e ardhshme, këto lidhje do të rikuperohen e mirëmbahen si orientime të pandryshueshme, të pathyeshme, të pazëvendësueshme!", shkroi Abdixhiku në Facebook.
Duke e uruar Trumpin për fitoren e shpallur, udhëheqësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, tha se shpreson që fitorja e pretenduar e Trumpit do të ndihmojë për anëtarësimin e Kosovës në NATO.
"Nën udhëheqjen e presidentit Trump kemi krijuar Ushtrinë e Kosovës. Jam i bindur se, nën drejtimin e tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të qëndrojnë si aleati ynë më i fortë dhe i palëkundur", shkroi Haradinaj në Facebook.
Në këtë rrugëtim për konsolidimin e shtetit dhe synimin tonë afatshkurtër drejt anëtarësimit direkt në NATO, mbështetja e SHBA-së mbetet kyçe.
SHIKONI EDHE: Me Harrisin pak pritje për Kosovën, me Trumpin turbulliraKosova, ndër vite, ka qenë vazhdimisht në vëmendjen e SHBA-së, pavarësisht nga udhëheqësia e saj politike.
Nën presidentin demokrat, Bill Clinton, në vitin 1999, SHBA dhe aleatët e tjerë të NATO-s bombarduan objektiva të ushtrisë së atëhershme jugosllave për të ndaluar dhunën në Kosovë. Pothuajse dhjetë vjet më vonë, nën presidentin republikan, George W. Bush, Kosova shpalli pavarësinë.
Edhe administrata aktuale e ka inkurajuar vazhdimisht Kosovën që të normalizojë marrëdhëniet me Serbinë si kusht për të ecur përpara në rrugën e integrimit evropian, ndërsa Trumpi, sa ishte president, ishte dëshmitar i nënshkrimit të një marrëveshjeje midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike.
Administrata e mëparshme e Trumpit ka thënë se nuk do ta kundërshtonte shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë për ta zgjidhur mosmarrëveshjen mes tyre, me kusht që Prishtina dhe Beogradi do të përpunonin një “zgjidhje të kënaqshme reciproke”. Qeveria aktuale e Kosovës ka e kundërshtuar një ide të tillë.
SHIKONI EDHE: Gërvalla në prag të zgjedhjeve në SHBA: Nuk shoh sinjale të ndryshimit të përkrahjes për KosovënGjatë presidencës së Trumpit, ai dhe administrata e tij kanë paralajmëruar disa herë për mundësinë e tërheqjes së trupave amerikane nga Kosova. Prania e tyre brenda misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, shihet si një garanci për sigurinë e Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në vitin 2020 e kishte akuzuar Richard Grenellin, i cili gjatë administratës Trump ishte përfaqësues amerikan në dialogun Kosovë-Serbi ishte “drejtpërdrejt i përfshirë” në rrëzimin e qeverisë së tij më pak se dy muaj pasi mori detyrën si kryeministër.
Në atë kohë, Grenell tha se Albin Kurti është antiamerikan dhe se ai ka qenë kundër politikave amerikane të sugjeruara nga ish-presidentët amerikanë: Bill Clinton, Barack Obama dhe Donald Trump.