Osmani takon Lajçakun, thotë se zgjedhjet në veri duhet të mbahen pa vonesa

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shtrëngon duart me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, 30 janar 2024.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se të martën se zgjedhjet e reja në komunat me shumicë serbe në veri të vendit duhet të mbahen pa humbur kohë dhe në përputhje me ligjet e vendit, njoftoi Presidenca.

Ajo i bëri këto komente gjatë një takimi me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, në kryeqytetin kosovar.

“Ajo përsëriti se Kosova ka ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, ndërkaq theksoi pritjet e saj që kjo e drejtë e qytetarëve të realizohet pa vonesa e në përputhje me procedurat dhe legjislacionin në fuqi”, thuhet në një njoftim të Presidencës.

Lajçaku po qëndron në Kosovë, ku u takua edhe me kryeministrin Albin Kurti, një ditë pasi e takoi presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në Beograd.

Kosova ka thënë se është e hapur për mbajtjen e zgjedhjeve në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, nëse kryetarët e tanishëm shqiptarë shkarkohen përmes peticionit nga qytetarët me të drejtë vote.

SHIKONI EDHE: Përfundon mbledhja e nënshkrimeve për largimin e kryetarëve shqiptarë në veri

Qytetarët në këto komuna kanë nënshkruar peticione këtë muaj për shkarkimin e tyre. Tani, nëse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e konfirmon se nënshkrimet e mbledhura janë të përshtatshme dhe i verifikon ato, organizohet votimi për shkarkimin e kryetarit, i cili duhet të mbahet brenda 45 ditëve. Që ky votim të jetë i suksesshëm, kërkohet 50 për qind plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote.

Kryetarët shqiptarë u vendosën në zyrat e tyre në katër komunat me shumicë serbe pas zgjedhjeve të kundërshtuara dhe bojkotuara nga serbët lokalë në prill të vitit të kaluar, duke nxitur rritje të tensioneve në atë pjesë të vendit.

Osmani gjithashtu i kërkoi Lajçakut që të hiqen masat ndëshkuese që BE-ja i vendosi ndaj Kosovës pas vendosjes së kryetarëve shqiptarë në ndërtesat e komunave në veri vitin e kaluar, të cilat tha se “janë të padrejta dhe krijojnë mungesë ekuilibri në dialog”.

SHIKONI EDHE: Masat e BE-së ndaj Kosovës mund të hiqen “nëse do të ketë përparim në përmbushjen e kërkesave”

Në takimin e së martës me të dërguarin e BE-së, sipas Presidencës, Osmani tha se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe aneksi i saj, të arritura në fillim të vitit 2023, duhet të zbatohen plotësisht.

“Në këtë takim u përshëndetën të arriturat e fundit sa i përket zbatimit të marrëveshjes për energji si dhe asaj për targa, si hapa drejt normalizimit të raporteve ndërmjet Kosovës e Serbisë”, thuhet në njoftim.

Në lidhje me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Osmani e përsëriti se duhet të vërtetohet nëse drafti i tij është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“[Osmani] po ashtu i shprehu shqetësimet e saj lidhur me disa dispozita të këtij drafti, të cilat mund të jenë sfiduese gjatë zbatimit në praktikë”, sipas njoftimit.

SHIKONI EDHE: Kurti thotë se Asociacioni nuk është prioritet për normalizim raportesh me Serbinë

Komuniteti ndërkombëtar vazhdimisht i ka kërkuar Kosovës ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që do të duhej t’i jepte vendimmarrje më të madhe serbëve në Kosovë.

Në tetorin e kaluar, përfaqësuesit e BE-së, SHBA-së, Gjermanisë, Francës dhe Italisë, ua paraqitën palëve një draft-statut për formimin e Asociacionit, të cilin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb Vuçiq, e pranuan në parim.

Por, pas deklaratës së të dërguarit special të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, se çështja e statutit është çështje e brendshme e Kosovës, Kurti tha se atëherë edhe Kosova duhet të jetë autore e atij dokumenti.