Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të enjten se Asociacioni i komunave me shumicë serbe “nuk është top prioriteti për normalizimin" e marrëdhënieve me Serbinë - por Marrëveshja bazë mes dy vendeve.
Kurti i bëri këto deklarata gjatë një konference të përbashkët për media me kryeministrin e Irlandës, Leo Varadkar, i cili, teksa po qëndron për vizitë zyrtare në Prishtinë, tha se Asociacioni duhet të formohet, por jo duke krijuar një mikro-shtet brenda Kosovës.
Pas takimit me kryeministrin irlandez, më 11 janar, Kurti kërkoi që çështja e draft-statutit të Asociacionit mos veçohet, siç tha ai, nga paketa e marrëveshjes bazike.
“Asociacioni nuk është top prioriteti i normalizimit, është marrëveshja bazike, andaj të gjithë kolegët e mi, jo vetëm në Kosovë, unë i lus që të mos e nxjerrin nga paketa draft-statutin ose Asociacionin si një çështje”, tha Kurti, derisa shtoi se “nga 11 nenet e Marrëveshjes bazike, së paku tetë janë shkelur nga Serbia”. Për këtë, ai kërkoi reagim nga Bashkimi Evropian.
“Ne kërkojmë siguri ligjore, jo vetëm për zbatim të marrëveshjes por edhe për respektim dhe mos-shkelje të saj. Kjo është arsyeja kryesore pse kemi kërkuar të ketë nënshkrim të marrëveshjes”, tha Kurti.
Në tetor të vitit 2023, përfaqësuesit e BE-së, SHBA-së, Gjermanisë, Francës dhe Italisë, ua paraqitën palëve, Kosovës dhe Serbisë, draft-statutin për formimin e Asociacionit, të cilin kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e pranuan në parim.
Por, pas deklaratës së të dërguarit special të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, se çështja e statutit është çështje e brendshme e Kosovës, Kurti tha se atëherë edhe Kosova duhet të jetë autore e atij dokumenti.
Ai sugjeroi që ta shkruajë në bashkëpunim me ministrin e tij për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, dhe atë të Vetëqeverisjes Lokale, Elbert Krasniqi.
Më pas, edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Prishtina duhet të shkruajë një statut në bashkëpunim me SHBA-në.
Bashkimi Evropian kishte thënë se Kosova në dhjetë vjetët e fundit ka pasur rastin të paraqesë një draft-propozim për formimin e Asociacionit dhe se tani pret që ajo të ndërmarrë hapa konkret.
Te enjten, në Prishtinë, Kurti tha se “kam shprehur aftësi vetjake për ta shkruar dhe le ta diskutojmë por të mos ngatërrojmë hierakrinë e gjerave: marrëveshja bazike, aneksi i zbatimit dhe vetëm më pas mund të flasim për asociacionin”.
Ndërkaq, homologu irlandez i Kurtit tha se themelimi i Asociacionit "duhet të bëhet edhe në koordinim me [komunat veriore të Kosovës], dhe nuk dua të shoh që të kemi një mikro-shtet të krijuar brenda Kosovës, kjo nuk do të ishte diçka e dobishme për të ardhmen”, tha ai.
Udhëheqësi irlandez ka thënë se dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është jetik për zhvillim të mëtejmë të vendeve.
Varadkar ka thënë, po ashtu, se është e rëndësishme që "stabiliteti të konsolidohet në Kosovë", duke shtuar se nuk dëshiron të shohë "kthim të skenave të dhunshme si ato në maj dhe në shtator”.
Pas takimit që zhvilloi me kryeministrin e Kosovës, Varadkar shprehu mbështetjen e Irlandës për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian.
Irlanda është ndër vendet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës, në vitin 2008.
“Kryeministri Kurti dhe unë pajtohemi që e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian dhe në Këshillin e Evropës dhe më shumë endje do ta përkrah Kosovën të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës sivjet, dhe të fillojmë edhe procesin e negociatave me Bashkimin evropian për anëtarësim edhe atje”, tha ai.
Varadkar tha se qëndrimi i qeverisë irlandeze është që masat kufizuese të BE-së ndaj Kosovës të largohen.
Pas takimit me Kurtin, në vizitën e tij të parë në Kosovë, kryeministri irlandez është pritur edhe nga presidentja Vjosa Osmani.