Kuvendi i Kosovës ka nisur dhe përfunduar një tjetër seancë të jashtëzakonshme me kërkesën e partive politike opozitare, por pa praninë e kabinetit qeveritar dhe deputetët e partitive politike në pushtet.
Deputetët e partive politike në pushtet dhe zyrtarë qeveritarë, nuk kanë sqaruar mospjesëmarrjen e tyre në seancë.
Kryesia e Kuvendit të Kosovës vendosi të dielën në mëngjes që të mbahet seanca me kërkesë të opozitës.
Partitë opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës, Alternativa dhe Vetëvendosje, kanë kërkuar me 53 nënshkrime të deputetëve që në seancë të debatohet lidhur programin qeverisës të Qeverisë së re.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria e re e Kosovës është më e dobëta në Kosovën e pasluftës.
Ai ka kritikuar Qeverinë e re për dhënien e Ministrisë së Bujqësisë Listës Serbe.
"Me këtë plan që kanë bërë, i kanë dhënë mundësi të mirë Serbisë t'i realizojë planet e saj, që t’i fuqizojë projektet për kolonizim e ndarje të brendshme të Kosovës projektet për bosnjëzimin e Kosovës. Në derexhenë ku e kanë prurë Kosovën përmes kushtëzimeve që i kanë vendosur në Kushtetutë e ligje të tjera, Kosova gjithnjë e më shumë tash me këtë qeveri po e humbet pavarësinë e po shkon drejt autonomisë", ka thënë Kurti.
Kurti ka paralajmëruar Qeverinë e Kosovës që mos të sjellë në Kuvendin e Kosovës, siç ka thënë ai, tema e ligje të rëndësishme, pasi, sipas tij, nuk do të kalojnë.
"Ju e keni një qeveri të dobët, partia juaj dhe kryeministri i ka vetëm 10 deputetë kështu që mos shkoni me këmbët tuaja te gracka e Vuçiqit mos provoni ta sillni në këtë Kuvend ‘Zajednicën’ e Serbisë, demarkacionin me Malin e Zi, Kosovën C, me 23 për qind profit për privatin, sepse ne do t’ju ndalim", ka theksuar Kurti.
Avdullah Hoti, shef i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës ka thënë se Qeveria e Kosovës u formua në bazë të pazareve politike... Ai ka thënë se nga sot Kosova po hyn në një krizë të thellë politike.
"Është e pafalshme që të kthehet ndikimi i plotë i Beogradit në Qeverinë e Kosovës, kur ende kemi rreth 1600 të pagjetur nga lufta e vitit 1998-‘99. Qytetarët e Kosovës nuk do t’i falin këta njerëz që thirren si çlirimtarë, e thirren në heroizma ndërkohë që arrijnë pazare të tilla me Beogradin. Kjo është ditë fatkeqe për vendin tonë të shtrenjtë. Në krye të Qeverisë është personi, partia e të cilit ia ka futur flakën Kuvendit të Kosovës me gaz lotsjellës dhe dhunë", është shprehur Hoti.
Sipas tij, Qeveria Haradinaj është fatale për të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës. Për Hotin, një pjesë e deputetëve të koalicionit qeverisës dhe disa të tjerë që janë pjesë e Qeverisë, kanë qenë persona që janë përpjekur për çlirimin e Kosovës, por siç është shprehur ai, sot ata janë bërë pjesë e historisë së turpshme.
"Lidhja Demokratike e Kosovës, bashkë më qytetarët e Kosovës, nuk do ta lejojë këtë qeveri ta kthejë vendin prapa. Nga sot, ne, LDK-ja, bashkë me qytetarët liridashës të Kosovës nisim luftën tonë demokratike për rrëzimin e kësaj qeverie dhe organizimin e zgjedhjeve të reja. Ne ftojmë të gjitha forcat progresive të Kosovë ta ndalin sa më parë këtë fatkeqësi që po i ndodh vendit", ka thënë Hoti.
Në seancën, e cila zgjati më pak se një orë, pjesëmarrës nga koalicioni mes Partisë Demokratike të Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma për Kosovën, si dhe Aleanca Kosova e Re, ishte vetëm kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, dhe deputeti i partisë Nisma, Milaim Zeka.
Deputeti nga radhët e Nismës për Kosovën, Milam Zeka, është përjashtuar nga salla e Kuvendit të Kosovës ku po mbahej seanca e jashtëzakonshme me kërkesë të opozitës. Ai u përjashtua për shkak të përdorimit të fjalorit banal derisa po replikonte me deputetin Avdulla Hoti.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka kërkuar që seanca të shtyhet për ditën e martë, por kreu i Kuvendit, Kadri Veseli ka thënë se nuk dihet se a do të vendoset për vazhdimin e saj ditën e martë, apo ndonjë ditë tjetër.
Me 61 vota për, një abstenim dhe pa praninë e opozitës, Kuvendi i Kosovës tw shtunën mbrëma e ka zgjedhur Qeverinë e re të Kosovës, me kryeministër Ramush Haradinajn.
Qeveria Haradinaj është zgjedhur për mandatin e ardhshëm katërvjeçar.
I gjithë procesi i zgjedhjes është kritikuar ashpër nga opozita, përkatësisht Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.