Dhjetë zyrtarë policorë janë lënduar si pasojë e hedhjes së molotovit, lëndëve piroteknike dhe sendeve tjera të forta në protestën e përkrahësve të opozitës, të mbajtur në mbrëmjen e së hënës në Tiranë, teksa kundërshtohet burgosja e deputetit demokrat, Ervin Salianji.
Ai është burgosur në lidhje me akuzën “kallëzim i rremë”.
Mbështetës të partisë opozitare në Shqipëri, Partisë Demokratike (PD), kanë hedhur mjete shpërthyese në drejtim të objektit të Kryeministrisë dhe disa objekteve tjera.
Pak para përfundimit të protestës, protesuesit kanë tentuar të mblidhen edhe para ndërtesës së Kuvendit, por zyrtarët policorë e kanë pamundësuar tubimin, duke hedhur gaz lotsjellës.
Në mbyllje të protestës, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, ka thënë se ky ishte hapi i parë i mosbindjes civile.
Ai ka thënë se përmes protestës, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mori mesazhin se duhet t'i japë zgjidhje kërkesës së opozitës për Qeveri teknike, ndryshe nuk do të ketë paqe.
"Do të jemi çdo ditë në aksion", ka deklaruar Noka.
Policia ka thënë se i ka marrë të gjitha masat për identifikimin, kapjen dhe shoqërimin e personave të përfshirë në sulme ndaj zyrtarëve policorë dhe institucioneve të shtetit.
Në nisje të protestës, disa të rinj janë parë duke mbajtur në duar parullën, “Bëjeni Shqipërinë të lirë sërish" [Make Albania Free Again].
Në gjendje gatishmërie kanë qenë automjete zjarrfikëse dhe autobote me ujë.
Policia rrugore ka ndaluar qarkullimin e makinave në rreth 15 segmente rrugore që lidhen me qendrën e qytetit.
Opozita ka kryer disa aksione prej marrjes së vendimit nga Gjykata për deputetin Salianji, përfshirë djegien e karrigeve para Kuvendit dhe katër manekinëve, dy prej të cilëve kanë qenë me imazhet e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe ish-ministrit, Fatmir Xhafaj.
SHIKONI EDHE: Deputetët opozitarë djegin katër manekinë para Kuvendit të ShqipërisëKryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka thënë në fjalimin e tij të fundit – të mbajtur nga arresti shtëpiak ditë më parë - se çdo demokrat është i betuar për çdo sakrificë.
"Demokratët nisin revoltën e tyre, zemërimin e tyre. Nga 7 tetori dhe deri në triumfin tonë nuk ka forcë në botë që të na mposhtë”, ka thënë Berisha.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur shqetësim dhe keqardhje për skenat që janë parë në dy aksionet paraprake të opozitës, dhe kanë bërë thirrje për dialog.