Policia e Kosovës ka zhvilluar të martën një operacion në veri dhe jug të Mitrovicës, i cili ka rezultuar me ndalimin e 19 zyrtarëve policorë dhe të disa qytetarëve.
Siç kanë njoftuar zyrtarët e Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe Policisë së Kosovës, aksioni policor, kishte për qëllim luftimin e krimit dhe kontrabandës. Gjatë aksionit policor, nga të shtënat me armë zjarri është plagosur një zyrtar policor. Ndërkaq, 4 zyrtarë policorë të tjerë kanë marrë lëndime të lehta gjatë zbatimit të detyrave.
Operacioni policor ka përfshirë disa rajone të ndryshme, përfshirë komunat Zveçan, Zubin Potok, Leposaviç, Mitrovicë Veri, Mitrovicë Jugu, Skenderaj dhe Drenas.
Arrestimi i zyrtarëve policorë
Your browser doesn’t support HTML5
Prokurori Sylë Hoxha, njëherësh edhe zëdhënës i Prokurorisë Speciale të Kosovës, ka theksuar se kjo prokurori që nga prilli i vitit të kaluar ka nisur veprimet procedurale ndaj disa personave të dyshuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, për krim të organizuar, për kontrabandim me mallra, si dhe marrje dhe dhënie të mitos.
Sipas tij për një vjet rresht, Prokuroria Speciale ka grumbulluar provat dhe më pas ka marrë nga Gjykata Themelore e Prishtinës urdhrin për kontroll në shtëpitë dhe lokalet përcjellëse të të gjithë të dyshuarve.
“Në mesin e të dyshuarve kemi eprorë dhe zyrtarë të Policisë së Kosovës, kemi pjesëtarë të nacionalitetit serb, pjestarë të nacionalitetit shqiptar, të atij boshnjak dhe kështu me radhë. Në mesin e të dyshuarve kemi edhe qytetarë – nuk janë zyrtarë – të cilët i kanë kryer veprimet e tyre, të cilat dyshohet se janë kontrabandim i mallrave dhe për vepra të ngjashme”, ka thënë prokurori Hoxha.
Miradije Kelmendi nga Inspektorati i Policisë së Kosovës ka thënë se ky inspektorat, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ka zbatuar planin operativ në pjesën veriore të Kosovës.
“Në operacionin e sotëm janë bastisur 12 lokacione, janë arrestuar 19 punonjës të Policisë së Kosovës, prej tyre, 11 janë të nacionalitetit serb, 4 të nacionalitetit shqiptar dhe 4 të nacionalitetit boshnjak. Prej punonjësve të arrestuar, 1 ka qenë me gradën e kapitenit, komandant stacioni, 3 me gradën e rreshterit dhe të tjerët zyrtarë policorë".
"Janë konfiskuar gjëra të ndryshme ilegale, që do të shërbejnë si provë materiale në procedurat penale, si: armë, pajisje teknologjike dhe një sasi parash. Hetimet në këtë rast do të vazhdojnë edhe më tutje, në drejtim të zbardhjes së dyshimeve në lidhje me veprimet e lartcekura”, tha Kelmendi.
Megjithatë, Policia e Kosovës dhe Inspektorati Policor i Kosovës, ka hasur në rezistencë të armatosur në veri të Kosovës, si dhe në disa bllokada të rrugëve, të cilat kanë penguar qarkullimin e mjeteve zyrtare. Policia është detyruar të përdorë mjetet e nevojshme për lirimin e rrugëve me qëllim të vazhdimit të operacionit policor.
Lidhur me rrjedhën e operacionit ka folur drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.
“Në shumicën e komunave, ku i kemi pasur të dyshuarit, qoftë qytetarë apo zyrtarë policorë, operacioni ka rrjedhur normalisht, pa pengesa dhe pa probleme. Mirëpo, kemi pasur shumë probleme në pjesën e komunës së Zubin Potokut, meqenëse që në mëngjes, me t’u nisur policia për realizimin e urdhër-arresteve dhe bastisjen e disa lokacioneve, ka hasur në një pritë ku është gjuajtur me armë kundër policisë. Në këtë rast, kemi pasur të plagosur një zyrtar policor, i cili, për fat të mirë, është i plagosur lehtë”, ka thënë Qalaj.
Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm në Mitrovicë, Zahir Musa, tha për Radion Evropa e Lirë se katër zyrtarë policorë janë në trajtim mjekësor.
"Për momentin tre persona të lënduar janë në emergjencë me plagë sipërfaqësore kurse një i plagosur me armë zjarri është në Kirurgji dhe shumë shpejtë pritet të transferohet në Gjakovë", tha Musa.
Si pasojë e pengesave të krijuara dhe pengimit të veprimeve policore në terren nga ana e disa qytetarëve në Veri të Mitrovicës, Policia e Kosovës ka shoqëruar në stacion policor edhe disa qytetarë të përfshirë në këto raste.
Lidhur me aksionin policor në veri ka reaguar edhe forca shumëkombëshe e KFOR-it.
Kjo forcë paqeruajtëse informon se Policia e Kosovës po kryen një operacion policor në tërë Kosovën, pas fletë-arrestimeve të lëshuara nga Gjykata e Prishtinës në lidhje me një hetim mbi korrupsionin.
KFOR-i informon se ky është vetëm një operacion policor dhe se as Forca e Sigurisë së Kosovës ose ndonjë forcë tjetër ushtarake nuk është vendosur në veri të Kosovës. Për shkak të ndjeshmërisë politike të momentit, komandanti KFOR-it fton të gjitha palët që të merren me mosmarrëveshjet në mënyrë paqësore dhe me përgjegjësi, pa asnjë forcë ose dhunë.
“Njerëzit duhet të qëndrojnë të qetë, nuk kanë asgjë për t’u frikësuar. KFOR-i vazhdon të monitorojë situatën dhe është i gatshëm të intervenojë, nëse kërkohet si përgjegjës i tretë, në mënyrë që të garantojë sigurinë për të gjitha Komunitetet, në përputhje me mandatin e vet sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, theksohet në komunikatën e KFOR-it.
Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiq, ka konfirmuar se zyrtarët evropian janë në kontakt me drejtuesit institucional të Prishtinës dhe të Beogradit dhe kanë apeluar për përmbajtje maksimale. Kocijançiq, në një përgjigje më shkrim, ka theksuar se aksioni policor që po zhvillohet në Mitrovicë dhe lokacionet tjera në Kosovë, është në përputhje me urdhrat e gjykatës , duhet të zbatohet në përputhje me ligjin.
“Operacionet policore duhet të sjellin besimin në sundimin e ligjit. Operacionet e tilla duhet të forcojnë përpjekjet për normalizim dhe jo t’i dobësojnë ato”, ka thënë Kocijançiq.
Ajo ka shtuar se institucionet e BE-së “besojnë fuqishëm në nevojën për bashkëpunim të policisë, gjyqësorit dhe të gjithë aktorëve tjerë , duke respektuar Marrëveshjen e Brukselit.
Ndërkaq, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Mitrovicë, përmes një komunikate për medie, më herët ka njoftuar se strukturat paralele “kanë aktivizuar alarmin dhe ka filluar grumbullimi i serbëve që po e kundërshtojnë policinë duke vënë barrikada”.
Siç njoftoi KMDLNJ, “me armë zjarri janë plagosur 3 policë shqiptarë), njëri është plagosur prapa shpine (më rëndë dhe gjendet në Kirurgji), tjetri e ka hundën e thyer (është në ORL), kurse tjetri ka gërvishje për faktin se plumbi e ka goditur në kuletë”.
KMDLNj tha se e ka të njohur identitetin e policëve të plagosur.
Gjatë ditës, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u ka thënë gazetarëve se aksioni i Policisë së Kosovës, është një ndërmarrje e institucioneve të Kosovës për rend dhe ligj, në një hapsirë të gjerë të vendit.
“Ka të arrestuar edhe zyrtarë, por edhe qytetarë, në komuna të ndryshme të Kosovës, të nacionaliteteve të ndryshme, shqiptarë, serbë, boshnjakë. Është i arrestuar edhe një rus, i cili është kamufluar në petkun e diplomatit, për të penguar Policinë e Kosovës në aksionin e tyre”, ka thënë Thaçi.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës, e në veçanti qytetarëve serbë të vendit, që aksionin policor ta kuptojnë si një ndërmarrje normale për rend dhe ligj, i cili nuk është i drejtuar kundër asnjë komuniteti.
I ndaluari me shtetësi ruse të cilin e ka përmendur presidenti Thaçi, është konfirmuar se është pjesëtar i UNMIK-ut.
Prokurori Special i Kosovës, Sylë Hoxha ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se zyrtari i UNMIK-ut, është liruar pasi ka imunitet diplomatik dhe nuk mund të mbahet apo ndalohet në polici.
Lidhur me arrestimin e shtetasit rus gjatë ditës, ka reaguar edhe ambasada e Rusisë në Serbi e cila kërkoi që Kosova menjëherë të lirojë atë, raportoi agjencia e lajmeve RIA.
Në orët e para të mëngjesit, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka mbledhur të gjitha strukturat e sigurisë së vendit.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka thënë që institucionet e rendit dhe ligjit kanë nevojë për besim dhe përkrahje maksimale të tërë shoqërisë në luftën e pakompromis kundër krimit të organizuar, kontrabandës dhe korrupsionit, në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
Ai ka shprehur keqardhjen për plagosjen e zyrtarit të Policisë së Kosovës në krye të detyrës dhe i ka uruar shërim të shpejtë.
“Në dekadën e dytë të Republikës së Kosovës s’do të ketë vend për krim të organizuar dhe ata që merren me aktivitete të kundërligjshme do të përfundojnë prapa grilave. Operacioni i sotëm policor është në të mirë të të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim dhe ftoj komunitetin serb në veri që ta ruajë qetësinë dhe ta përkrah luftën kundër krimit të organizuar”, ka shkruar presidenti Thaçi.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se operacioni policor në veri ka në shënjestër individë të përfshirë në kontrabandë, krim të organizuar dhe aktivitete të tjera kriminale.
"Disa prej personave të përfshirë në këto vepra janë zyrtarë doganorë, policë por edhe qytetarë të rëndomtë. Operacioni u zhvillua me sukses edhe në komunat veriore të Kosovës. Si kryeministër i vendit, konfirmoj se bëhet fjalë për zbatim të ligjit dhe asgjë tjetër. Ftoj serbët e veriut ta ruajnë qetësinë dhe ta respektojnë ligjin", tha Haradinaj përmes një postimi në Facebook.
Në një postim tjetër në Facebook, kryeministri Haradinaj, ka theksuar se “krimi i organizuar dhe kontrabanda janë një kërcënim i drejtpërdrejtë për progresin tonë të përbashkët, dhe NUK duhet të mbështetet mbi bazën e përkatësisë etnike dhe të çfarëdo baze tjetër. Qeveria e Serbisë nuk duhet të synojë minimin e përpjekjeve tona për luftimin e krimit të organizuar”.
Lidhur me aksionin e Policisë së Kosovës, ka shkruar edhe kryeparlamentari Kadri Veseli në Facebook.
"Shpreh solidaritetin për policët e plagosur duke iu dëshiruar një shërim sa më të shpejtë. U bëj thirrje bashkëqytetarëve tanë të komunitetit serb, që të vetë-përmbahen, të ruajnë qetësinë si dhe mos të bien pre e propagandës që synon të instrumentalizoj për qëllime politike një aksion të rendit publik. Përpjekjet për të vendosur rendin dhe ligjin, janë pikësëpari në shërbim të tyre, sepse ata, për një kohë të gjatë, janë ndjerë të kërcënuar e prekur nga prania e krimit të organizuar, tha Veseli.
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka theksuar se hetimi dhe aksionet e Policisë së Kosovës “dëshmojnë edhe njëherë përkushtimin e institucioneve të Kosovës për të luftuar pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe për të shtrirë kushtetutshmërinë dhe sundimin e ligjit në gjithë territorin e Republikës”.
“Krimi dhe korrupsioni nuk do ta mbajnë peng të ardhmen e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Askush nuk mund t’i jap drejtim të paqenë dhe as të shtrembërojë realitetin e veprimeve të bazuara në rend dhe ligj”, ka thënë ministri Tahiri.
Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, herët në mëngjesin e së martës ka mbledhur Këshillin për Siguri Kombëtare. Ai urdhëroi vendosjen e të gjitha njësive të Forcave të Armatosura të Serbisë në gjendje të plotë të gatishmërisë luftarake.
Presidenti i Serbisë, Vuçiq, më pas, gjatë vazhdimit të seancës së jashtëzakonshme për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, ka deklaruar se lidhur me arrestimet në veri të Kosovës, ka kontaktuar me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe i ka njoftuar me situatën.
“Na kanë thënë se bëhet fjalë për aksion policor kundër kriminalitetit dhe korrupsionit. Paramendojeni aksionin kundër kriminalitetit, të cilin e udhëheq Ramush Haradinaj”, ka thënë Vuçiq dhe ka shtuar se i ka lajmëruar edhe përfaqësuesit e NATO-s për situatën në veri të Kosovës.
“Nga NATO-ja kemi marrë njoftimin se nuk ata nuk përfshihen në këtë, në aksionin e natyrës policore, e cila ka të bëjë me luftën kundër kriminalitetit dhe korrupsionit dhe se e mbështesin shtetin e pavarur të Kosovës në luftë kundër kriminalitetit”, tha Vuçiq.
Ai ka theksuar se Serbia “do ta ruaj paqen dhe stabilitetin me çdo çmim”.
“Kam urdhëruar gatishmërinë e plotë luftarake të ushtrisë tonë. Ushtria do të mbrojë popullin tonë në rast se arrihet deri te rrezikimi serioz të rendit dhe jetëve të popullit tonë”, u shpreh Vuçiq duke shtuar se të gjitha njësitë policore janë në gjendje gatishmërie.
Përfaqësuesit e Listës Serbe - subjekt politik i serbëve të Kosovës - që morën pjesë në një sesion të posaçëm të Kuvendit të Serbisë të hënën, udhëtuan për në Kosovë të martën.
Gjatë operacionit në veri u dëgjuan sirenat.
Your browser doesn’t support HTML5