Opera e Kosovës - shpresë për artistët

Solistja nga Kosova, Arta Jashari.

Më 3 gusht 2021, Kuvendi i Kosovës vendosi që të plotësojë një kërkesë shumëvjeçare të komunitetit artistik, të themelojë institucionin e Operës së Kosovës.

Ky vendim u mirëprit nga profesionistët, porse ata thonë se deri te funksionalizimi si dhe ndërtimi i objektit për këtë institucion, nevojitet një rrugëtim i gjatë.

Ka shumë vite që solistja Arta Jashari performon në koncerte dhe shfaqje të ndryshme në Kosovë.

Në mungesë të një salle të mirëfilltë, ajo thotë se artistët janë të detyruar të performojnë nëpër salla e ambiente që s’i plotësojnë kushtet elementare dhe që janë denigruese për artistët.

“Këto hapësirat nëpër të cilat kemi performuar janë për të ardhur keq. Ne jemi adaptuar gjithmonë me dëshirën e madhe për ta zhvilluar profesionin tonë. Jemi adaptuar në kushte jo normale dhe degraduese për një artist”, shprehet Jashari.

Jashari e ka parë si veprim tejet inkurajues vendimin e Kuvendit të Kosovës për të themeluar institucionin e Operës si dhe premtimin e kryeministrit Albin Kurti, për ndërtimin e një objekti të Teatrit të Operës dhe Baletit.

Ndërtimi i objektit sipas Jasharit, do t’i nxirrte artistët në një nivel tjetër profesional, pasi sipas saj, Kosova nuk ka asnjë sallë adekuate ku artistët mund të japin maksimumin e tyre.

“Gjithmonë jemi në salla joadekuate. Është shumë vështirë që të zhvillohet profesioni edhe në aspektin vokal meqenëse akustika gjithmonë është një surprizë kur del në skenë sepse nuk mund të performosh maksimumin tënd”, thotë Jashari.

Të martën, më 3 gusht 2021, Kuvendi i Kosovës votoi propozim-vendimin e Qeverisë së Kosovës për Themelimin e Operës si institucion i shërbimit publik.

Më këtë vendim, Kosova u bë vendi i fundit Evropë që krijoi një strukturë të tillë.

Your browser doesn’t support HTML5

Sopranoja kosovare që po afron publikun me operën

Qeveria synon funksionalizimin Operës së Kosovës gjatë vitit 2022

Radio Evropa e Lirë ka provuar që të flas me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku për fazën në të cilën është ky proces, porse deri në publikimin e këtij shkrimi, kjo ministri nuk është përgjigjur.

Megjithatë duke folur para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, kryeministri Albin Kurti tha se Opera e Kosovës do të jetë funksionale dhe e gatshme për shfaqje brenda vitit 2022.

Kryeministri Kurti tha se do të rekrutohet stafi i cili fillimisht do të vendoset në një objekt tjetër deri në ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit.

Kurti përmendi rreth 80 artistë, këngëtarë e instrumentistë brenda dhe jasht Kosovës, të cilët sipas tij, do të mund të shfaqen në skenën e Operës së Kosovës.

Sipas Kurtit, pas vendimit të Kuvendit, ministria e Kulturës do të obligohet që të hartojë dokumentet për funksionalizim të operës si dhe identifikimin dhe angazhimin e kuadrove profesionale për trupat artistike.

Nëpër botë, institucionet e operës kanë numër të madh të stafit të përhershëm dhe të të angazhuarve.

Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor i Shqipërisë ka në përbërje të tij rreth 250 artistë, të cilët janë pjesë e orkestrës, korit, trupës së baletit, solistëve lirikë dhe Ansamblit Popullor. Ky institucion ka një traditë të gjatë të funksionimit dhe në vitin 2017 u anëtarësua me të drejta të plota në Opera Europa, organin më të lartë të operës evropiane.

Opera dhe Baleti Nacional në Maqedoni të Veriut, në uebfaqe ka të publikuar emrat e më shumë se 280 personave që janë pjesë apo bashkëpunëtorë të këtij institucioni.

Ndërkohë, Opera Shtetërore e Vjenës ka më shumë se 1,000 persona që punojnë apo janë të angazhuar në këtë institucion.

Shuarja e artistëve në mungesë të Operës

Profesoresha në Fakultetin e Arteve, Besa Luzha, thotë se shumë artistë kosovarë janë detyruar që të largohen nga Kosova, për të gjetur hapësirë për ushtrimin e profesionit të tyre në skena botërore.

Kjo ka ndodhur sipas saj për shkak se ka munguar institucioni i Operës së Kosovës, e që rrjedhimisht kanë munguar edhe shfaqjet.

“Solokëngëtarët që shkollohen në fakultetin e arteve, në mungesë të një institucioni të operës që do t’i kishte mundësitë t’i aktivizonte ata në mënyrë profesionale, ata përfundojnë thjesht si mësimdhënës ose si këngëtarë të lirë, që bëjnë organizime, këndojnë nëpër programe të ndryshme artistike, në korin e filarmonisë dhe nuk kanë mundësi të tjera”, thotë Luzha.

Luzha thotë se funskioanlizimi i Operës së Kosovës është proces i gjatë, që bartë në vete kosto të lartë financiare si dhe kërkon angazhim të stafit profesional.

Sipas saj, institucionet duhet t’i kenë prioritet tri projekte të rëndësishme siç janë ndërtimi i sallës koncertale në Prishtinë, Shtëpisë së Filarmonisë së Kosovës si dhe objektin e Teatrit të Operës dhe Baletit.

Kërkohet konkurs ndërkombëtar për projektin e Operës

Çështja e ndërtimit të objektit të Teatrit të Operës dhe Baletit diskutohet që nga viti 2000.

Në vitin 2006, arkitekti Visar Geci kishte marrë pjesë në një konkurs për projektimin e objektit të Teatrit të Operës dhe Baletit.

Ky konkurs ishte anuluar dhe procesi u zvarrit përgjatë viteve.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, arkitekti Visar Geci, thotë se ndërtimi i objektit të ri të Teatrit të Operës dhe Baletit, do të duhej të bëhej në pjesët në të cilat është duke u zhvilluar qyteti i Prishtinës, pasi sipas tij, kryeqyteti tashmë është ngufatur.

Ai thotë se me çdo kusht duhet shpallur konkurs ndërkombëtar për këtë projekt.

“Për Operë mendoj se shumica e zyrave më të mira të arkitekturës në botë që janë, kishin me marrë pjesë. Opera nuk bëhet çdo ditë, pra bëhet vetëm një herë në një shtet. Kështu që do t’i ‘ndezte’ më shumë arkitektët, byrotë projektuese që të vijnë dhe të konkurrojnë”, thotë Geci.

Në rast se shpallet konkurs ndërkombëtar sipas Gecit, Kosova do ta ketë mundësinë që ta zgjedhë një nga projektet më të mira.

Vendimi për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit, ishte marrë në vitin 2006 dhe lokacioni ishte caktuar afër Fakultetit Teknik në Prishtinë, por ky vendim prej asaj kohe është kundërshtuar nga një pjesë e udhëheqësve institucionalë si dhe një pjesë e komunitetit artistik.

Përfundimisht, para pak ditësh Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit hoqi dorë nga ky lokacion, duke thënë se lokacioni i ri për ndërtimin e Teatrit të Operës do të caktohet në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës.