Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që Kombet e Bashkuara (OKB) ta mbajnë Iranin përgjegjës për furnizimin e dyshuar të kryengritësve në Jemen me raketa, që janë lansuar kundër Arabisë Saudite, që është mbështetësi kryesor i Qeverisë së Jemenit në luftën civile trivjeçare në këtë vend.
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Nikki Haley, tha dje se Arabia Saudite ka paraqitur informacion që tregon se raketa e lansuar në muajin korrik ishte e tipit Qiam të Iranit, të cilën ajo e ka përshkruar si “lloj i armatimit që nuk ishte i pranishëm në Jemen, para konfliktit”.
Ambasadorja Haley tha se një raketë balistike ishte rrëzuar nga Arabia Saudite më 4 nëntor, që shkaktoi përshkallëzim të ashpër të tensioneve ndërmjet Riadit dhe Teheranit këtë javë, “mundet, po ashtu, të jetë me origjinë nga Irani”.
Zonja Haley tha se duke i furnizuar me armatim kryengritësit shiitë huthi në Jemen, Garda Revolucionare e Iranit i ka shkelur dy rezoluta të Kombeve të Bashkuara, njëra e cila ia ndalon Teheranit furnizimin me armatim pa miratim të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe tjetra, e cila e ndalon furnizimin me armatim për disa liderë të kryengritësve huthi.
“Ne i inkurajojmë Kombet e Bashkuara dhe partnerët ndërkombëtarë që të ndërmarrin aksion të domosdoshëm për ta mbajtur regjimin iranian përgjegjës për këto shkelje”, tha ambasadorja amerikane, Nikki Haley, dhe ka shtuar se “Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për t’i ndalur aksionet destabilizuese të Iranit dhe nuk do t’i mbyllin sytë ndaj këtyre shkeljeve serioze të së drejtës ndërkombëtare nga regjimi iranian”.
Irani, derisa hapur i mbështet kryengritësit huthi, i ka hedhur poshtë pohimet për armatimin e tyre.
Ministria e Mbrojtjes dhe Garda Revolucionare e Iranit i kanë hedhur poshtë akuzat e Shteteve të Bashkuara dhe Arabisë Saudite.
Më herët, Princi i kurorës i Arabisë Saudite, Muhammad bin Salman, e ka akuzuar Iranin për furnizim me rakeeta të kryengritësve huthi, duke e përshkruar këtë si “agresion direkt ushtarak nga regjimi iranian”, i cili “mund të konsiderohet si akt i luftës”, ka raportuar Press Agency e Arabisë Saudite.
Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite, që e mbështet Qeverinë e Jemenit me anë të fushatës shkatërruese të bombardimeve kundër kryengritësve prej vitit 2015, e ka ashpërshuar bllokadën ndaj territoreve të kontrolluara nga kryengritësit në Jemen, në pëgjigje të lansimit të raketës gjatë fundjavës. Këtë bllokadë e ka shpjeguar me përpjekjet për ndaljen e kontrabandimit të armatimit për kryengritësit në Jemen.
Nga ana tjetër, kryengritësit huthi në Jemen janë kërcënuar me sulme në porte dhe aeroporte, jo vetëm në Arabinë Saudite, por edhe në Emiratet e Bashkuara Arabe, që është anëtar i koalicionit ushtarak.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Bahram Qassemi, në adresë të Arabisë Saudite, tha se “insinuatat janë të rrejshme, destruktive, të papërgjegjshme dhe para se gjithash, provokuese”.
Mëtutje, ai është shprehur se në vend të përkeqësimit të situatës me këto “akuza absurde”, sauditët duhet të kërkojnë përfundim të dhunës në Jemen nëpërmjet kanaleve diplomatike.
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, ka vlerësuar se përshkallëzimi aktual i tensioneve ndërmjet dy fqinjve dhe rivalëve në Lindjen e Mesme, është “ektremisht i rrezikshëm” dhe ka kërkuar nga të dy palët të qetësohen dhe të synojnë “një terren të përbashkët minimal”.
Arabia Saudite dhe Irani i mbështesin palët kundërshtare jo vetëm në luftën civile në Jemen, por edhe në konfliktet në Siri, Irak, Liban, dhe rajone të tjera.