Ndërlidhjet

Irani ka ndikim “të lig dhe shkatërrues” në Lindjen e Mesme


H. R. McMaster, këshilltar për siguri i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
H. R. McMaster, këshilltar për siguri i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Këshilltari për siguri i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se ndikimi “i lig dhe shkatërrues” i Iranit në Irak, Siri dhe gjetkë në Lindjen e Mesme duhet të marrë fund.

“Është shumë vështirë të arrihet paqja e qëndrueshme nëse pala që ka nxitur dhe përshkallëzuar dhunën nuk hiqet”, tha H.R. McMaster në një intervistë për televizionin Alhurra.

“Andaj, është e rëndësishme për të gjithë në rajon që të zvogëlohet ndikimi i lig dhe shkatërrues i Iranit dhe i Gardës Revolucionare të Iranit”, shtoi ai.

Komentet e McMasterit, i cili është në detyrë aktive si gjeneral-lejtnant i ushtrisë amerikane, vijnë në kohën e tensioneve të rritura në Lindjen e Mesme.

Forcat e mbështetura nga SHBA-ja duket se janë në prag të mundjes së ekstremistëve të Shtetit Islamik në Siri dhe Irak; lufta civile gjashtëvjeçare në Siri vazhdon; udhëheqësit kurdë në Irak kanë mbajtur një referendum për pavarësi, duke sfiduar qeverinë në Bagdad; rebelët shiitë luftojnë qeverinë në Jemen dhe lëvizja shiite Hezbollah vazhdon të operojë në Liban.

McMaster tha se e sheh efektin e ndikimit të Iranit në të gjitha konfliktet.

Qeveria e Irakut, e udhëhequr nga shiitët, ka lidhje të ngushta me udhëheqjen në Iran dhe ekspertët kanë thënë se Teherani po i shfrytëzon milicitë, të tilla si forcat Quds, të cilat kanë lidhje me Gardën Revolucionare të Iranit, për të zgjeruar ndikimin e tij.

Më 22 tetor, gjatë një vizite në rajon, Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, i ka thënë kryeministrit të Irakut, Haidar al-Abadi, se është koha për milicitë e mbështetura nga Irani dhe këshilltarët e tyre iranianë, që kanë ndihmuar Irakun të mposhtë Shtetin Islamik, “të kthehen në shtëpi”.

“Milicitë iraniane që janë në Irak, tani kur lufta kundër Shtetit Islamik po shkon kah fundi, duhet të kthehen në shtëpi”, ka thënë Tillerson.

Një ditë më vonë, Abadi i ka hedhur poshtë komentet e Tillersonit, duke thënë se këto milici janë “shpresë për vendin e tij dhe rajonin”.

McMaster tha se nuk është qëllim që të ndërpriten të gjitha lidhjet midis Bagdadit dhe Iranit, por “të frenohet ndikimi shkatërrues i Iranit”.

“Shtetet e Bashkuara mendojnë se Iraku duhet të ketë marrëdhënie me Iranin; Irani është fqinji i tij. Por, ne duam një Irak të fuqishëm”, tha McMaster.

Ai tha se është shumë e rëndësishme që Irani dhe autoritetet e tij të konfrontohen edhe në Jemen, ku Republika Islamike mbështet rebelët shiitë Huthi në luftën kundër qeverisë, e cila gëzon mbështetjen e Arabisë Saudite.

Në Siri, McMaster tha se SHBA-ja po punon me partnerët në rajon dhe aleatët gjetkë për të arritur “një zgjidhje të qëndrueshme politike” të konfliktit, i cili ka lënë të vrarë mbi 310 mijë njerëz dhe ka zhvendosur miliona të tjerë.

McMaster tha se nuk sheh rol për presidentin sirian, Bashar al-Assad, në asnjë qeveri të ardhshme të Sirisë.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG