OKB: Mbi 123.000 palestinezë të zhvendosur brenda Gazës, pas bombardimeve izraelite

Palestinezët evakuohen pas sulmeve ajrore izraelite në qytetin e Gazës, 9 tetor 2023.

Më shumë se 123.000 palestinezë në Rripin e Gazës janë zhvendosur brenda vendit, si pasojë e sulmeve ajrore hakmarrëse nga Izraeli në enklavën bregdetare, tha Zyra e Kombeve të Bashkuara për Çështje Humanitare.

Njerëzit kanë ikur për shkak të frikës, ose për shkak se shtëpitë e tyre janë shkatërruar nga sulmet, tha zyra e OKB-së.

Izraeli i nisi sulmet ajrore si hakmarrje ndaj një sulmi të papritur dhe befasues të militantëve të Hamasit të cilët i thyen barrierat kufitare dhe u futën në territorin e Izraelit të shtunën herët në mëngjes.

SHIKONI EDHE: Izraeli i vazhdon luftimet ndaj Hamasit, dy ditë pas sulmit befasues

Sipas zyrës së OKB-së, Ministria e Gazës për Çështje Publike dhe Strehim tha se 159 njësi shtëpish janë shkatërruar në 1,210 të tjera janë dëmtuar rëndë nga bombardimet izraelite.

Sulmet ajrore izraelite kanë shkaktuar dëme edhe në infrastrukturën e ujit dhe kanalizimit, duke i prekur më shumë se 400.000 njerëz, si dhe i kanë dëmtuar disa objekte shëndetësore.

Izraeli thotë se më shumë se 700 njerëz janë vranë dhe 100 të tjerë janë rrëmbyer nga Hamasi.

Në Gaza, më shumë se 400 njerëz janë vrarë pas bombardimeve ajrore hakmarrëse nga Izraeli, sipas zyrtarëve palestinezë.

SHIKONI EDHE: Izraeli i thërret 300.000 rezervistë për luftën me Hamasin

Izraeli deklaroi luftë formalisht të dielën dhe i dha ushtrisë dritën jeshile për “hapa të mëdhenj ushtarakë” për t’u hakmarrë ndaj Hamasit për sulmin befasues të së shtunës.

Forcat izraelite thanë se i kanë sulmuar më shumë se 1.000 caqe brenda Rripit të Gazës gjatë natës mes 8 dhe 9 tetorit.