Katër persona janë plagosur në sulmet e reja ruse në qytetin e Harkivit në verilindje të Ukrainës, thanë zyrtarët ukrainas më 14 maj.
Një burrë dhe tri gra u plagosën nga granatimet e forcave ruse në orët e para të së martës, tha Oleh Sinehubov, guvernator i rajonit të Harkivit, ku gjendet edhe qyteti me po të njëjtin emër.
Sinhubov shkroi në Telegram se Rusia sulmoi qytetin e dytë më të madh të Ukrainës me bombat e reja UMPB D-30, që janë bomba me precizitet të lartë dhe veprojnë sikurse raketat lundruese.
Përdorimi i këtyre lloj bombash nuk ka mundur të konfirmohet në mënyrë të pavarur, ndërkaq Moska ende nuk ka komentuar për këto pretendime të Ukrainës.
Si Ukraina, ashtu edhe Rusia, thonë se nuk sulmojnë civilët në luftën që Moska nisi kundër Kievit në shkurt të vitit 2022.
SHIKONI EDHE: Qindra njerëz evakuohen nga rajoni i Harkivit, pas ofensivës ruseLufta ka vrarë mijëra persona, ka detyruar miliona të tjerë të zhvendosen dhe i ka shndërruar qytetet ukrainase në gërmadha.
Në ditët e fundit, Rusia po shtyn përpara një sulm tokësor të saj në rajonin e Harkivit, që gjendet pranë kufirit me Rusinë. Moska po sulmon zona të reja me grupe të vogla ushtarësh, duke zgjeruar frontin, kanë thënë zyrtarët ukrainas.
Sulmet e reja ruse në Harkiv po ndodhin në ditën kur sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, po qëndron në Ukrainë në një vizitë të paparalajmëruar, gjatë së cilës do të takohet me krerët shtetërorë ukrainas.
Qëllimi i vizitës, sipas zyrtarëve amerikanë, është që të riafirmohet mbështetja e Uashingtonit për Kievin, forcat e të cilit po përballen me pushtimin rus për më shumë se dy vjet.