Ndërlidhjet

Qindra njerëz evakuohen nga rajoni i Harkivit, pas ofensivës ruse


Dy gra në mesin e qindra banorëve që u evakuuan nga rajoni i Harkivit në Ukrainë, si pasojë e sulmeve të pareshtura ruse, 10 maj 2024.
Dy gra në mesin e qindra banorëve që u evakuuan nga rajoni i Harkivit në Ukrainë, si pasojë e sulmeve të pareshtura ruse, 10 maj 2024.

Qindra njerëz janë evakuuar nga zonat pranë kufirit rus në rajonin Harkiv të Ukrainës, një ditë pasi Moska e nisi një ofensivë befasuese tokësore, njoftuan zyrtarët.

Forcat ruse shënuan përparim të vogël në këtë rajon, gati dy vjet pasi ishin zmbrapsur.

“Në përgjithësi, 1.775 njerëz janë evakuuar”, tha guvernatori rajonal i Harkivit, Oleg Synegubov.

Ai tha se Rusia i bombardoi mbi 30 vendbanime në 24 orët e fundit.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se një “betejë e ashpër” po zhvillohej në Harkiv.

“Ne duket t’i ndalim patjetër ofensivat ruse dhe Ukraina ta marrë iniciativën”, tha Zelensky të shtunën.

Rajoni i Harkivit ka qenë kryesisht nën kontrollin e Ukrainës prej shtatorit 2022.

Rajoni verilindor ukrainas i Harkivit gjendet në kufi me Rusinë, dhe në periferi gjendet dhe kryeqyteti rajonal me po të njëjtin emër. Ky qytet ndodhet 25 kilometra nga vijat e frontit.

Me një popullsi prej 1.4 milion banorësh – sipas të dhënave të popullsisë para se të niste lufta – Harkivi është qyteti i dytë më i madh i Ukrainës dhe një prej qyteteve në të rëndësishme ekonomike dhe industriale.

Ai ishte ndër qytetet e para që u përball me sulmet ruse, pasi Moska e nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Kundërofensiva e suksesshme ukrainase në shtatorin e vitit 2022 çoi në çlirimin e pothuajse të gjithë rajonit të Harkivit.

Por, muajve të fundit, Rusia ka intensifikuar sulmet me dronë dhe raketa në këtë rajon dhe kryeqytetin e tij, përderisa forcat ukrainase po përballen me mungesë të municioneve dhe sistemeve të mbrojtjes ajrore.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG