Nxënësit e klasave të katërta, probleme me lexim

Fotografi ilustruese nga arkivi.

Përmirësimi i aftësive për të lexuar dhe kuptuar përmbajtjen, gjithnjë e më shumë po bëhet sfidë për nxënësit e shkollave fillore, pasi ata më shumë parapëlqejnë që përmbajtjen e përrallave, për shembull, ta mësojnë nga filmat e animuar, thonë mësimdhënësit në Maqedoninë e Veriut.

Këto reagime pasojnë rezultatet e një studimi ndërkombëtar të vlerësimit të aftësive të nxënësve të klasës së katërt për sa i përket leximit dhe përvetësimit të përmbajtjes së lexuar. Sipas të dhënave të këtij studimi, nxënësit e moshës 9 dhe 10-vjeçare në shkollat fillore të Maqedonisë së Veriut janë cilësuar se nuk kanë njohuri të mjaftueshme për sa i përket të lexuarit dhe të kuptuarit nga leximi duke siguruar vetëm 442 nga 500 pikët që përbëjnë mesataren.

Ekspertët e arsimit theksojnë se këto rezultate janë shumë të dobëta dhe janë alarm për institucionet përkatëse arsimore, prindërit, mësimdhënësit, por edhe për shoqërinë.

Goce Bumbarovski, mësimdhënës i klasave të ulëta në shkollën fillore “Koço Racin” në Prilep, thotë për Radion Evropa e Lirë se fëmijët kopjojnë prindërit.

SHIKONI EDHE: Familja, aty ku nis krijimi i shprehisë për të lexuar

Sipas tij, përderisa prindërit nuk lexojnë orëve të pasdites, por tërë kohën e kalojnë para ekranit televiziv ose pajisjeve tjera elektronike, është e kuptueshme që edhe fëmijët e tyre të mos krijojnë shprehi të shëndosha të të lexuarit.

“Duhet të jemi vetëkritikë, edhe në të rriturit gjithnjë e më shumë i përdorim telefonat celularë për të gjetur ndonjë informacion dhe jo në libra dhe fëmijët kopjojnë sjelljet e të rriturve”, thekson Bumbarvski.

Ai konsideron se edhe librat për klasat e ulëta të shkollës fillore nuk përmbajnë tekste atraktive të ilustruara në përputhje me trendët që ofron koha, në mënyrë që ta rrëmbejnë përqendrimin e fëmijëve të kësaj moshe.

SHIKONI EDHE: Trendi që i kushton shëndetit të fëmijëve

Mosleximi kufizon imagjinatën te fëmijët

Albjonda Paçuku-Iseni, mësuese në shkollën fillore “Hasan Prishtina” në Shkup, thotë se "është shume e rëndësishme që fëmijët ta kuptojnë përmbajtjen e përrallës dhe porosinë që ajo përcjell. Por, një element edhe më i rëndësishëm thekson se është zhvillimi i imagjinatës së fëmijëve, që arrihet vetëm përmes leximit të librave.

“Ka nxënës që e dinë përmbajtjen e lektyrave, pasi ata i kanë parë përrallat, por nuk i kanë lexuar. Në këtë rast ata nuk dinë t’u përgjigjen më shumë pyetjeve apo japin më shumë zgjidhje të situatave pasi imagjinata e tyre kufizohet në atë kornizë që e ka dhënë regjisori. Kurse leximi të jep më shumë hapësirë për imagjinatë. Për shembull, si dukej pylli përmes të cilit kalonte Kësulëkuqja”, shpjegon ajo për Radion Evropa e Lirë.

Your browser doesn’t support HTML5

Pse s'po lexojmë?

Dilemat e prindërve për mënyrën e ndihmës

Elena thotë se e ka shumë të vështirë ta bindë djalin e saj 9-vjeçar t’i lexojë lektyrat, i cili thotë se gjithmonë gjen ndonjë arsyetim se pse nuk mund të lexojë vetë. Në fund për të mos marrë notë të dobët, ajo detyrohet ta lexojë lektyrën që ai ta kuptojë përmbajtjen përmes dëgjimit.

“Nuk e di nëse i bëj mirë apo kundër shërbim. Po në fund e di se do të jetë i përgatitur në klasë pasi të paktën nga ajo që kam lexuar ai e ka mësuar përmbajtjen e lektyrës. Ai arsyetohet se është i lodhur, ose ka shumë detyra dhe nuk ka kohë për ta lexuar vetë pasi lexon ngadalë. Vërtet, nuk e di se si të veproj”, thotë ajo.

Mungesa e të lexuarit në klasat e ulëta reflektohet edhe gjatë studimeve

Nga ana tjetër, Vesna Mojsova-Cepishevska, profesoreshë universitare thotë se prindërit nuk duhet të mbrohen me mungesën e kohës që ka imponuar jeta dinamike.

“Gjysma e prindërve thonë se fëmijët nuk kanë nevojë për të lexuar pasi fëmijët e tyre që në moshën e hershme e flasin shkëlqyeshëm gjuhën angleze dhe kanë shkathtësi të shumta që kanë mësuar nga telefoni celular.

Por, ata nuk e dinë se leximi zhvillon qendra krejtësisht të tjera në tru nga ajo që zhvillon të pamurit, pamja audio-vizuale. Pra, bëhet fjalë për dy pozicione krejtësisht të ndryshme. Pra, më duhet të theksoj se mungesa e të lexuarit në klasat e ulëta reflektohet me zbrazëtira të mëdha edhe gjatë studimeve, pasi këta fëmijë nuk kanë relacionin e duhur me librat, skriptat”, thotë ajo për REL-in.

SHIKONI EDHE: Pasojat e ekspozimit të tepërt të fëmijëve në telefona

Ajo shton se mosleximi nga ana e prindërve për fëmijët që në moshë të hershme të fëmijërisë së tyre, është e barabartë me mungesë përkushtimi.

Për sa i përket lexim-kuptimit nga studimi që ka realizuar PIRLS nga vendet e rajonit më së miri qëndron Sllovenia me 520 pikë e radhitur në vendin e 23-të, Serbia me 514 pikë në vendin e 26-të dhe pas saj Shqipëria me 513 pikë.

Nën mesataren është renditur Maqedonia e Veriut me 487 pikë dhe Kosova me 421 pikë.

Me më shumë pikë për sa i përket leximit dhe përvetësimit të përmbajtjes së lexuar të fëmijëve të testuar nga mosha 9 - 10 vjeç është radhitur Singapori me 587 pikë, më pas Hong Kongu me 578 dhe Rusia me 567 pikë.

Në mesin e 10 vendeve ku fëmijët lexojnë kuptueshëm është Anglia, Franca, Polonia, Suedia, Austria dhe Bullgaria, vende këto që kanë mbi 540 pikë.