Ndërlidhjet

Trendi që i kushton shëndetit të fëmijëve


Një fëmijë shikon një film vizatimor në një telefon të meçur. Fotografi ilustruese.
Një fëmijë shikon një film vizatimor në një telefon të meçur. Fotografi ilustruese.

Blerta Ahmeti, nga Prishtina, mundohet që vajza e saj Borea, tri vjeçe e gjysmë, të shpenzojë sa më pak kohë në pajisjet teknologjike.

Blerta, e cila me profesion është gazetare, thotë se për ta mbajtur vajzën larg ekraneve digjitale, zhvillon lojëra të ndryshme në shtëpi, kurse, gjatë fundjavave, kur është e lirë nga puna, e mban jashtë në natyrë.

Por, kureshtja e Boreas për të vizituar faqe të internetit nuk mungon, thotë e ëma. Në këtë, ajo thotë se kontribuon edhe vetë prania dhe përdorimi i pajisjeve teknologjike nga vetë ajo dhe babai i Boreas.

Vajza e Blertës, Borea, duke ngjyrosur.
Vajza e Blertës, Borea, duke ngjyrosur.

“Në momentin kur e marr nga kopshti dhe kthehem në shtëpi, angazhohem me të, të ngjyrosim, të vizatojmë, të krijojmë figura nga letra, duke krijuar forma të ndryshme gjeometrike. Nuk po them se nuk shikon, por periudha që unë mundohem ta lë të fokusuar në video të ndryshme në telefon, është maksimumi 30 minuta [në ditë]”, thotë Blerta për Radion Evropa e Lirë.

Ajo shton se është munduar maksimalisht që të shmangë varësinë nga pajisjet teknologjike, pasi, siç thotë, ka lexuar shumë për ndikimet që mund t’i ketë përdorimi i teknologjisë në zhvillimin e hershëm të fëmijëve.

Sipas të dhënave të fundit të publikuara në raportin e Komisionit Evropian, mbi 90 për qind e qytetarëve të Kosovës kanë qasje në internet në shtëpi. Kjo e bën Kosovën të parën në rajon sa i përket qasjes në internet.

Pas saj radhitet Shqipëria me 85 për qind, Maqedonia e Veriut me 82 për qind, Serbia me 80 për qind, Mali i Zi me 74 për qind dhe Bosnje e Hercegovina me 72 për qind.

Qasja në internet kryesisht është nga telefoni celular, pasuar nga kompjuteri desktop, laptopi dhe tableti.

Studimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë nga viti 2019 tregojnë se fëmijëve më të vegjël se 2 vjeç nuk u rekomandohet qasja në pajisje teknologjike, kurse atyre të moshës 3-4 vjeç u lejohen vetëm 60 minuta në ditë.

Një raport i Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare në Kosovë (ARKEP), për pjesën e parë të këtij viti, tregon se numri i përdoruesve të internetit mobil në vend ka arritur në 1.7 milion.

Shifra tregon rritje, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kur ishin mbi 1.2 milion përdorues.

Sahiti - Bekteshi: Teknologjia pengon zhvillimin e komunikimit

Derisa qasja në internet dhe zhvillimet teknologjike mund të jenë pozitive për jetën e fëmijëve, ato mund të sjellin edhe rreziqe të ndryshme për ta, thotë Fatime Sahiti - Bekteshi, psikologe klinike për fëmijë, e cila udhëheq Klinikën “Emos” në Mitrovicë.

“Me përdorimin e gjatë të internetit, zhvillimi social dhe motorik - që janë dy fusha shumë të rëndësishme - do të mbesin të mangët, sepse fëmija nga mosha 0 deri në 5 vjeç ka shumë nevojë për aktivitete fizike dhe sociale, pasi është koha kur ata e zhvillojnë dhe njohin botën”, thotë Sahiti - Bekteshi.

Sipas saj, fokusimi i fëmijëve në botën virtuale ka pasoja afatgjate, sidomos në aspektin e zhvillimit të komunikimit.

“Një numër i madh i prindërve që drejtohen në klinikë, vijnë dhe informojnë se fëmija ka ngecur në të folur, eventualisht ka dy ose tre fjalë që i përdor, ose nuk ka asnjë fjalë në fjalorin e tij/saj dhe ende nuk ka filluar të zhvillojë gjuhën e të kuptuarit. Gjatë bisedës me prindër se nga buron kjo, prindërit raportojnë se fëmija ka qëndruar gjatë para pajisjeve teknologjike, madje mbi gjashtë orë - koha sa prindërit kanë qenë në punë”, thotë psikologia.

Përveç kësaj, përdorimi i tepërt i internetit, shton ajo, mund të sjellë çrregullime edhe në të ushqyer, sjellje, orar të gjumit dhe në të mësuar, kështu që prindërit “gjithsesi duhet të jenë të kujdesshëm” në kohën që i lënë fëmijët para ekraneve digjitale.

Shabani: Problem edhe në të parë

Nga përdorimi i tepruar i teknologjisë, fëmijët e moshës 0-5 vjeç mund të pësojnë edhe dëmtime në të parë, thotë oftamologu Afrim Shabani, i cili punon në Klinikën Gjermane të Syrit në Prishtinë.

Sipas tij, përdorimi i teknologjisë nuk është shkaktari kryesor i çrregullimeve në të parë, por është faktor rreziku për ndryshime në dioptri.

“Të parët zhvillohet deri në moshën 8-vjeçare dhe duhet të kemi kujdes që [fëmijëve] mos t’iu ofrojmë diçka që e pengon zhvillimin e të parit”, thotë Shabani për Radion Evropa e Lirë.

Sipas një studimi të Qendrës Kërkimore Pew, me seli në SHBA, dy të tretat e prindërve në këtë vend kanë thënë se kujdesi për fëmijë tani është më i vështirë sesa para 20 vjetësh, pikërisht për shkak të teknologjisë dhe telefonave të mençur.

Sipas studimit të vitit 2020, rreth 61 për qind e prindërve të një fëmije të moshës 11 vjeç ose më të vogël, kanë thënë se kanë marrë këshilla ose informacione nga një mjek ose profesionist tjetër mjekësor për kohën e kaluar para ekranit digjital.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG