Në Shqipëri, një ditë pas zgjedhjeve vendore të 14 majit, po vijon procesi i numërimit të votave në pjesën më të madhe të bashkive. Rezultatet e para kanë dalë në 3 bashkitë ku u votua në mënyrë elektronike, Elbasan, Kamëz dhe Vorë. Të tria bashkitë u fituan nga Partia Socialiste. Ndërkaq, rezultatet për bashkitë e tjera pritet të publikohen në mbrëmjen e së hënës.
Edhe pse nuk ka rezultat final, në pjesën më të madhe të bashkive, socialistët po festojnë fitoren, pasi rezultatet paraprake i nxjerrin ata në epërsi.
Sipas rezultateve, në Elbasan kandidati i PS-së, Gentian Llataj, fitoi mandatin e dytë, duke mposhtur kundërkandidatin nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”, Luçiano Boçi.
Kamza do të drejtohet edhe për katër vjet nga socialisti Rakip Suli, i cili fitoi mbi 60 për qind të votave, duke mposhtur Arjan Hoxhën nga “Bashkë Fitojmë”.
Në Vorë, me mbi 75 për qind të votave të fituara, socialisti Blerim Shera mposhti rivalin nga opozita, Indrit Hoxha.
Numërimi ka përfunduar vetëm në disa bashki të vogla, ndërsa në bashkitë e mëdha procesi i numërimit ka vazhduar gjatë gjithë natës dhe sot gjatë ditës.
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në daljen e parë publike pas mbylljes së procesit të votimit deklaroi se deri në mesditë janë numëruar votat në 34 bashki.
Ai nuk dha zyrtarisht rezultatin e zgjedhjeve në këto bashki duke shtuar se është në pritje të përfundimit të numërimit të votave në të gjitha bashkitë.
“Pengesat në numërimin e votave kanë qenë minimale, vetëm në Kavajë ka pasur një konflikt mes dy drejtuesve të Komisionit të Numërimit, ndërsa në rastet e tjera ndërprerjet kanë ndodhur për shkak të lodhjes fizike të komisionerëve. Rezultati final pritet në orën 22:00”, tha Celibashi.
Edhe pse nuk ka rezultate zyrtare, të dhënat që vijnë nga Komisionet Zonale tregojnë se në shumicën e bashkive kanë fituar kandidatët socialistë. Historike konsiderohet fitorja e PS në Shkodër, një bastion i djathtë i kryesuar prej 30 vjetësh nga Partia Demokratike. Sipas të dhënave paraprake jozyrtare, vetëm në gjashtë bashki rezultojnë fitues kandidatët e koalicionit “Bashkë Fitojmë”.
Kryesuesi i këtij koalicioni, Sali Berisha, kontestoi rezultatin e zgjedhjeve.
“Industria e tmerrshme e blerjes së votës, bota e krimit dhe oligarkisë dhunuan si kurrë në historinë e këtij vendi, votën e shqiptarëve”, tha Berisha.
Ndërkaq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mirëpritur fitoren e partisë së tij në Shkodër. Ende nuk ka ndonjë reagim nga kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, dhe as nga ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj.
Si u zhvillua procesi zgjedhor?
Qendrat e votimit më 14 maj u hapën në orën 07:00 dhe u mbyllën në orën 19:00. Në disa qendra, ku ka pasur radhë të qytetarëve, votimi ka vazhduar edhe pas orës 19:00.
Dalja në zgjedhje, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ishte rreth 37 për qind.
Procesi i votimit është përcjellë me disa probleme teknike. Në disa qendra, votimi nisi me vonesë për shkak të mosfunksionimit të pajisjeve të identifikimit elektronik, ndërkohë në disa të tjera ka pasur probleme me paraqitjen e komisionarëve, kryesisht të Partisë Demokratike.
SHIKONI EDHE: Rezultatet e para në Shqipëri: PS fiton drejtimin e tri bashkiveGjithashtu, në mbarë Shqipërinë u shfaqën probleme me pajisjet për identifikimin biometrik dhe për këtë arsye, kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, urdhëroi që identifikimi i votuesve të bëhet manualisht, përkatësisht përmes listës së votuesve.
Identifikimi elektronik i votuesve dështoi në mbi 500 qendra votimi. Edhe vetë kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, nuk arriti të votonte mëngjesin e së dielës për shkak se pajisja identifikuese nuk funksionoi.
Kjo problematikë bëri që partitë politike të akuzonin KQZ-në se krijoi pengesa në procesin e votimit.
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Yuri Kim, ajo e Bashkimit Evropian, Christine Hoffman, dhe kryesuesja e vëzhguesve të ODIHR, Audry Glover, vëzhguan nga afër procesin e votimit në disa qendra dhe të hënën pritet një konferencë për mediat e misionit të ODIHR-it.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të drejtë vote në zgjedhjet e 14 majit kishin 3 milionë e 653 mijë persona. Prej këtij numri, 122.545 ishin votues të rinj.
Në garën për drejtimin e 61 bashkive ishin 144 kandidatë. Ndërkaq, për 1.603 ulëse në këshillat bashkiake garuan 23.700 persona. Në zgjedhjet e 14 majit u regjistruan 40 parti dhe koalicione.
Për sigurimin e 5.211 qendrave të votimit, 92 Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor dhe 92 vendnumërimeve të votave, u angazhuan 5.511 punonjës policie në të gjithë Shqipërinë, ndërsa 57 objekte të rëndësishme u ruajtën nga forcat komando.