“Nuk kam vdekur”, thotë pengu tajlandez pasi u lirua nga Gaza

Punëtorët tajlandezë të rrëmbyer nga Hamasi dhe më vonë të liruar në bazë të marrëveshjes mes Izraelit dhe grupit radikal palestinez, pozojnë me një anëtare të misionit tajlandez, pas një kontrolli mjekësor, në Tel Aviv, Izrael, 25 nëntor 2023.

Familja e Vetoon Phoome druhej se ai ishte vrarë nga Hamasi – grupi radikal palestinez i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara – gjatë sulmit të muajit të kaluar në Izrael, derisa e kuptoi të shtunën se ai, në fakt, ishte liruar nga pengmarrja në Gazë.

“Ai më kërkoi të mos qaja, dhe t’i tregojë nënës se po kthehej”, tha për Reuters Roongarun Wichagern, motra e madhe e Vetoon, e cila foli për ribashkimin emocional me të përmes një video-thirrjeje.

Vetoon, 33 vjeç, i cili ka qenë duke jetuar në Izrael tash e pesë vjet, është njëri nga 10 pengjet tajlandeze që u liruan nga Hamasi të premten gjatë armëpushimit të parë të luftës shtatëjavore, e cila nisi me sulmin e grupit radikal palestinez në Izrael më 7 tetor.

“Ai tha: ‘Unë nuk kam vdekur, nuk kam vdekur’”, tregoi Roongarun, duke e quajtur “mrekulli mbijetesën e tij.

Dhjetë tajlandezët janë në mesin e 24 pengjeve të liruara të premten në këmbim të 39 të burgosurve palestinezë nga burgjet izraelite.

SHIKONI EDHE: Hamasi liron pengje e Izraeli të burgosur

Qeveria e Tajlandës ka thënë se edhe 20 shtetas të vet janë ende duke u mbajtur peng.

Tajlandezët e liruar do të kthehen në atdhe pasi t’i kenë kaluar 48 orë në spital, tha Ministria e Jashtme e Tajlandës.

Rreth 30.000 shtetas tajlandezë punojnë në Izrael, si njëri prej grupeve më të mëdha të punëtorëve emigrantë, shumica prej tyre në bujqësi.

Vetoon i ka thënë familjes së vet se kishte bërtitur “Tajlandë, Tajlandë!” kur luftëtarët e Hamasit i ishin afruar më 7 tetor, dhe se u rrëmbye dhe u mbajt në tunele, megjithëse nuk u lëndua apo tortura, tha Roongarun.

Atij i ishte ofruar ushqim dhe ujë dhe nuk duket të ketë humbur peshim, shtoi ajo.