Ndërlidhjet

Hamasi liron pengje e Izraeli të burgosur


Një person kalon pranë fotografive të pengjeve të kapura nga Hamasi. Jerusalem, 24 nëntor 2023.
Një person kalon pranë fotografive të pengjeve të kapura nga Hamasi. Jerusalem, 24 nëntor 2023.

Grupi radikal palestinez, Hamas, ka liruar 24 pengje që i mbajti rob në Gazë për javë të tëra, ndërkaq Izraeli liroi 39 palestinezë, në ditën e parë të marrëveshjes së armëpushimit.

Armëpushimi, sipas marrëveshjes së arritur më herët gjatë javës mes Izraelit dhe Hamasit - grup i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian - , do të zgjasë katër ditë.

Sipas Katarit, shtet kyç në arritjen e marrëveshjes, janë liruar 13 izraelitë, dhjetë shtetas të Tajlandës dhe një nga Filipinet.

Pengjet izraelite - gra dhe fëmijë - pas lirimit u rikthyen në Izrael dhe zyrtarët izraelitë thanë se ata iu nënshtruan kontrolleve mjekësore. Pas kontrolleve, ata do të ribashkohen me familjet e tyre.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, mirëpriti lirimin e pengjeve dhe tha se Qeveria e tij është e përkushtuar për rikthimin e të gjitha pengjeve.

Sipas tij, lirimi i të gjitha pengjeve, është "një prej qëllimeve të luftës që ne po zhvillojmë dhe ne jemi të përkushtuar që të arrijmë të gjitha qëllimet e luftës.

Ndërkaq, Kryqi i Kuq Ndërkombëtar tha se ka nisur “operacionin disaditor” për të ribashkuar pengjet dhe të burgosurit në të dyja anët e konfliktit midis palestinezëve dhe izraelitëve.

Njoftimi i organizatës vjen pas nisjes së lirimit të pengjeve nga Hamasi.

Kryqi i Kuq tha se do të ofrojë po ashtu furnizime shëndetësore për spitalet në Gazë.

“Dëshira jonë e madhe është që të gjitha pengjet të lirohen dhe civilët të mbrohen nga dhimbja dhe vuajtja që sjell konflikti i armatosur”, tha drejtori për Lindjen e Mesme i Kryqit të Kuq, Fabrizio Carboni.

Gjatë katër ditëve të armëpushimit, pritet të lirohen 50 pengje të marra nga Hamasi më 7 tetor, gjatë sulmeve në jug të Izraelit.

Izraeli po ashtu do të lirojë 150 palestinezë gjatë katër ditëve, si pjesë e marrëveshjes.

Gjatë sulmeve më 7 tetor në jug të Izraelit, Hamasi vrau më shumë se 1.200 persona dhe mori peng afër 240 të tjerë.

Si pasojë e sulmeve hakmarrëse izraelite, në Rripin e Gazës – të banuar me 2.3 milionë banorë – janë vrarë të paktën 13.000 palestinezë.

Ndërprerja e luftimeve të premten ka ofruar njëfarë lehtësimi për banorët e Gazës, të cilët janë përballur me bombardime të pareshtura izraelite prej javësh, si dhe për familjet në Izrael, të cilat frikohen për fatin e më të dashurve të tyre, të marrë peng gjatë sulmit të 7 tetorit nga Hamasi.

Sipas marrëveshjes, Izraeli do të lirojë tre palestinezë për çdo peng të liruar nga Hamasi. Lirimi i pengjeve nga grupi radikal palestinez do të bëhet në faza gjatë katër ditëve të ardhshme.

Marrëveshja për armëpushim dhe lirim pengjesh e të burgosurish u arrit ditë më parë, pas javësh negociata të tensionuara indirekte, teksa Katari, Shtetet e Bashkuara dhe Egjipti shërbyen si ndërmjetës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG