Ndërlidhjet

Ndalen luftimet para lirimit të pengjeve në Gazë


Palestinezë të zhvendosur duke udhëtuar drejt shtëpisë së tyre, gjatë një armëpushimi të përkohshëm ndërmjet Izraelit dhe Hamasit, në Han Junis, Gazë, më 24 nëntor 2023.
Palestinezë të zhvendosur duke udhëtuar drejt shtëpisë së tyre, gjatë një armëpushimi të përkohshëm ndërmjet Izraelit dhe Hamasit, në Han Junis, Gazë, më 24 nëntor 2023.

Një armëpushim i përkohshëm në luftën mes Izraelit dhe Hamasit ka hyrë në fuqi të premten, duke i hapur rrugën shkëmbimit të dhjetëra pengjeve të mbajtur nga luftëtarët e grupit radikal në Gazë, me palestinezë të burgosur në Izrael, raporton Associated Press.

Nuk është raportuar për luftime në orët e para pas fillimit të armëpushimit.

Ndërprerja e luftimeve ka ofruar njëfarë lehtësimi për 2.3 milionë banorët e Gazës, të cilët janë përballur me bombardime të pareshtura izraelite prej javësh, si dhe për familjet në Izrael, të cilat frikohen për fatin e më të dashurve të tyre, të marrë peng gjatë sulmit të 7 tetorit nga Hamasi - i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian - i cili nxiti luftën.

Armëpushimi ka nisur në orën 7, sipas kohës lokale (6:00 sipas kohës në Evropë), dhe pritet të zgjasë të paktën katër ditë.

Gjatë armëpushimit, Hamasi është zotuar se do t’i lirojë të paktën 50 prej rreth 240 pengjeve që i ka marrë gjatë sulmit vdekjeprurës të 7 terorit në Izrael.

Në anën tjetër, Izraeli pritet t’i lirojë tre të burgosur palestinezë për çdo peng të liruar nga grupi ekstremist palestinez. Hamasi ka thënë se Izraeli do t'i lirojë 150 të burgosur palestinezë.

Lirimet pritet të ndodhin në faza, gjatë katër ditëve të ardhshme.

Pak pas hyrjes në fuqi të armëpushimit, kamionët me karburante dhe me furnizime të tjera u panë duke hyrë në Gazë nga pika kufitare me Egjiptin, Rafah, teksa marrëveshja lejon një hyrje të shtuar të ndihmave për civilët që po përballen me mungesë të ushqimit, ujit, ilaçeve dhe energjisë elektrike.

Marrëveshja për armëpushim dhe lirim pengjesh e të burgosurish ishte arritur pas javësh negociata të tensionuara indirekte, teksa Katari, SHBA-ja dhe Egjipti shërbyen si ndërmjetës.

Armëpushimi shënon ndërprerjen e parë serioze të luftimeve, që kur Izraeli i shpalli luftë Hamasit, shtatë javë më parë.

Rreth 1.200 njerëz janë vrarë nga sulmuesit e Hamasit në Izrael, më 7 tetor, sipas autoriteteve izraelite.

Izraeli është kundërpërgjigjur me sulme masive ajrore dhe një ofensivë tokësore, duke shkatërruar pjesë të mëdha të Gazës dhe duke vrarë të paktën 13.000 palestinezë, sipas autoriteteve shëndetësore në territorin e qeverisur nga Hamasi.

Izraeli ka vazhduar të bombardojë objektiva gjatë natës, para armëpushimit, dhe, po ashtu, ka shkatërruar tunele në zonën e spitalit Shifa, më i madhi i Gazës, ka njoftuar ushtria.

Më parë, këtë javë, Izraeli ka shfaqur një tunel dhe dhoma që, sipas zyrtarëve të saj ushtarakë, përbënin një qendër të madhe e të fshehtë të Hamasit përfundi spitalit. Hamasi dhe stafi i spitalit kanë mohuar pohimet e Izraelit se shifa përdorej si qendër komanduese e luftëtarëve.

Pse ekzistojnë tunelet nëntokësore në Gazë?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:04:19 0:00

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, është zotuar se do ta vazhdojë luftën kundër grupit radikal palestinez, pasi armëpushimi të skadojë, për të shkatërruar kapacitetet ushtarake të Hamasit, për t'i dhënë fund qeverisjes së tij 16-vjeçare në Gazë, dhe për t'i kthyer të gjitha pengjet që po mbahen në Gazë.

"Ne do të vazhdojmë derisa t'i arrijmë të gjitha objektivat tona", ka thënë Netanyahu, duke shtuar se ia ka përcjellë të njëjtën porosi presidentit amerikan, Joe Biden, gjatë një bisede telefonike. Uashingtoni i ka ofruar Izraelit mbështetje të gjerë ushtarake dhe diplomatike, që nga fillimi i luftës.

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, është cituar t'u ketë thënë trupave të enjten se pushimi i tyre do të jetë i shkurtër, dhe se lufta do të vazhdojë me intensitet edhe të paktën dy muaj të tjerë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG