Nuk dihet vendndodhja e ish-marinsit amerikan të burgosur në Rusi, thotë avokatja e tij

Ish-marinsi amerikan i burgosur në Rusi, Paul Whelan.

Avokatja e ish-marinsit amerikan të burgosur në Rusi, Paul Whelan, thotë se ajo nuk e di vendndodhjen e klientit të saj. Whelan është duke e kryer një dënim me 16 vjet burgim për akuzat për spiunazh, të cilat ai dhe Uashingtoni i kanë mohuar.

Avokatja Olga Karlova u citua të mërkurën nga mediat shtetërore ruse duke thënë se administrata e burgut në Mordovia të Rusisë, ku Whelan po e kryen dënimin, i ka shpërfillur kërkesat e saj për ta konfirmuar nëse klienti i saj ndodhet në qelin e këtij burgu.

Karlova shtoi se e humbi kontaktin me klientin e saj disa ditë më parë dhe i kërkoi grupit për të drejtat e njeriut, Komisionit Monitorues Publik, për ta ndihmuar ta gjejë vendndodhjen e tij.

Zhdukja e Whelans vjen në një kohë kur disa disidentë të burgosur në Rusi janë transferuar papritmas në burgje të tjera në ditët e fundit dhe janë të pakomunikueshëm.

SHIKONI EDHE: Paul Whelan i bën thirrje SHBA-së t’i rrisë përpjekjet për ta nxjerrë prej burgut rus

Një ditë më herët, të afërmit, mbështetësit dhe avokatët e katër aktivistëve të tjerë të burgosur – ish shefet e ekipeve të politikanit të ndjerë opozitar Alexei Navalny në Bashkortostan dhe Novosbirsk, Lili Chanysheva dhe Ksenia Fadeyeva, aktivisti veteran për të drejtat e njeriut, Oleg Orlov, dhe artisti kundër luftës, Sasha Skochilenko – thanë se ata janë transferuar papritmas nga burgjet apo qendrat e ndalimit në burgje të tjera të paspeficikuara dhe prej atëherë nuk kanë arritur të komunikojnë me ta.

Vetëm mbështetësit e Skolichenkos u njoftuan se ajo ishte transferuar në një burg të panjohur në Moskë. Vendndodhjet e tre të tjerëve mbeten të panjohura.

Grupet për të drejtat e njeriut i kanë kritikuar rregulloret e Rusisë në lidhje me trajtimin e të burgosurve, vendndodhja e të cilëve mund të mbahet e fshehtë gjatë kohës kur transferohen nga një burg në një tjetër, një proces i njohur si “etap”.

Etap përfshin trena me dhomëza të ndara dhe të mbyllura, të ndërtuara posaçërisht për të burgosurit, ku ka shumë pak ajër të pastër, nuk ka dush për larje, dhe ushqimi është shumë i kufizuar.

SHIKONI EDHE: Arrestimet e amerikanëve rrisin frikën se Rusia mund të marrë pengje të reja

Transferimi mund të zgjasë disa ditë, javë, e madje muaj, sepse trenat ndalen dhe të dënuarit kalojnë kohë në burgje transit. Të burgosurit pothuajse gjithmonë turpërohen, rrihen dhe nganjëherë madje vriten nga duart e rojeve të tyre.

Whelan, 54 vjeç, u arrestua në Moskë në dhjetor 2018, nën akuzat për spiunazh dhe u dënua me 16 vjet burgim në maj 2020, pas një gjykimi i cili u dënua nga Shtetet e Bashkuara si “tallje me gjyqësinë”.

Ai është njëri prej 10 qytetarëve amerikanë, të cilët po mbahen në mënyrë kontroverse në burgjet ruse, të akuzuar apo të dënuar për akuza si, posedim droge, vjedhje, tradhti dhe spiunazh.

Në shumë raste, akuzat kundër këtyre amerikanëve, përfshirë kundër gazetarit të Wall Street Journal, Evan Gershkovich, dhe gazetares së Radios Evropa e Lirë, Alsu Kurmasheva, shihen si të sajuara apo politike.