Deri në një vit e gjysmë pritje për kryerjen e koronarografisë në QKUK

Pritjet e pacientëve për shërbime mjekësore në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës - Fotografi ilustruese nga arkivi.

Ka gati një vit e gjysmë që Zejush Misini, rreth 60 vjeç, pret për të bërë një koronarografi në Klinikën e Kardiologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Kjo procedurë shërben për të diagnostikuar problemet në zemër, përkatësisht për të analizuar enët që e çojnë gjakun në zemër.

Varësisht rezultatit të saj, pacienti mund të referohet për procedura të tjera, deri tek operacioni.

Misini - i cili vjen nga komuna e Obiliqit, rreth 10 kilometra larg Prishtinës - tregon se mjeku i tij ia ka rekomanduar koronarografinë qysh në shtator të vitit 2022.

“Nuk e di pse duhet pritur kaq gjatë. Mendoj se nuk është normale të pritet kaq gjatë”, thotë ai.

Radio Evropa e Lirë bisedoi me të në javën e tretë të shkurtit, kur ai kishte shkuar në QKUK - për të disaten herë - për t’u interesuar për termin.

As atë ditë nuk kishte marrë përgjigje pozitive, me justifikimin se prioritet i kanë rastet urgjente.

Misini dyshon se mund të ketë nevojë për vendosje të stentës në zemër - një spirale që ndihmon për t’i mbajtur hapur enët e gjakut - sepse, siç thotë, “disa analiza që i kam bërë, nuk po më dalin mirë”.

SHIKONI EDHE: Sëmundjet kardiovaskulare ndër më vrastaret

Çka thonë mjekët?

Drejtori i Kardiologjisë, Lulzim Kamberi, pranon se ka lista të gjata pritjesh në klinikën që udhëheq.

Kjo, sipas tij, ndodh për faktin se pacientët nga e gjithë Kosova referohen në QKUK. Po ashtu, ka edhe një numër të madh pacientësh që referohen nga klinikat e tjera të QKUK-së.

“Gjithçka që kemi mundësi dhe kushte, jemi duke e bërë. Rastet urgjente nuk presin. Ato trajtohen menjëherë. Jemi shumë të ngarkuar me punë”, thotë Kamberi për Radion Evropa e Lirë.

SHIKONI EDHE: QKUK-ja ua “merr” pacientët spitaleve rajonale

Pos në QKUK, koronarografitë kryhen edhe në disa spitale private në Kosovë, por se janë shumë më të kushtueshme.

Kamberi thotë se, brenda ditës, në Kardiologji kryhen 10 deri në 13 procedura të tilla.

Klinika i ka vetëm dy salla, që, sipas Kamberit, nuk mjaftojnë.

“Jemi me një sallë, ndërsa një tjetër është rinovuar para tre muajsh. Na duhen minimumi edhe dy-tri salla të tjera”, thotë ai.

Kamberi kujton se, deri vonë, ka qenë një komision që e ka përpiluar listën e pacientëve që kanë nevojë për koronarografi, ndërsa tash rastet regjistrohen vetë, vetëm me një rekomandim të mjekut.

“Më herët janë regjistruar 5-6 pacientë në ditë, kurse tani kemi 15 e më shumë”, thotë ai.

Një arsye tjetër që mund të ketë ndikuar në fluks të madh pacientësh, është edhe vetëdijesimi gjithnjë e më i madh i qytetarëve për shëndetin, thotë kardiologu Agron Qerimi, i cili punon në një institucion privat në Kosovë.

Pritjet për një periudhë të shkurtër ndodhin edhe në vende të tjera, por jo më shumë se një vit.

“Duhet të mundohemi që pacientëve t’u ofrojmë shërbime sa më të hershme, sa më të shpejta, sa më kualitative dhe më të sigurta”, thotë Qerimi.

Your browser doesn’t support HTML5

Pritje pas pritjeje deri te kontrolli specialistik

Sa persona janë në pritje?

Duke folur në kushte anonimiteti, një infermiere e Kardiologjisë i tha REL-it se, aktualisht, janë mbi 1.600 persona në listë të pritjes për koronarografi.

Pritja, sipas saj, zgjat nga disa javë deri në disa muaj.

“Ka raste kur i thërrasim pacientët dhe na thonë: jo, e kemi kryer këtë punë... Ka raste kur na konfirmojnë se vijnë dhe nuk paraqiten... Por, ka raste edhe kur na thonë se pacienti ka vdekur”, tha ajo.

Këto të fundit, sipas saj, janë kryesisht “të moshave mbi 80 vjeç”.

Në një nga takimet e fundit, Bordi i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK) - institucion që mbikëqyr QKUK-në dhe spitalet rajonale - u bëri thirrje udhëheqësve të klinikave që t’i kushtojnë më shumë kujdes planifikimit të terminëve për pacientë.

Duke diskutuar konkretisht për situatën në Kardiologji, bordi tha se pritjet deri në një vit e gjysmë janë “të pakuptimta dhe të paarsyeshme”.

I pyetur nga REL-i nëse ka plane konkrete për trajtimin e kësaj problematike, drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së, Elvir Azizi, tha:

“Ne planifikojmë të ndajmë edhe mjete të tjera për Klinikën e Kardiologjisë, në mënyrë që të ofrojmë sa më shumë shërbime dhe ta ulim numrin e rasteve në pritje”.

Azizi nuk specifikoi më shumë, por për vitin e kaluar SHSKUK-ja ndau 1.62 milion euro për furnizimin e Kardiologjisë me material shpenzues dhe stenta.

Atë vit, sipas një dokumenti që pa Radio Evropa e Lirë, në Kardiologji janë kryer 4.050 koronarografi dhe janë vendosur 3.458 stenta.

Sipas drejtorit të SHSKUK-së, shumë e ngjashme parash është ndarë edhe për vitin 2024.

Por, Kardiologjia nuk është e vetmja klinikë, ku pacientët përballen me pritje. REL-i ka raportuar më herët për pritje deri në tre vjet në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare të QKUK-së dhe në të tjera.

SHIKONI EDHE: Deri në tre vjet pritje për shërbim në QKUK

Atëkohë, nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë se “përmirësimi i cilësisë së shërbimeve është i paraparë të bëhet përmes decentralizimit të sistemit spitalor dhe riorganizimit të QKUK-së”.

Por, ndërkohë që pritjet e gjata vazhdojnë, një faktor që nuk i ndihmon ato, është edhe mungesa e mjekëve.

Kosova, prej vitesh, përballet me largimin e stafit shëndetësor.

Të dhënat e Odës së Mjekëve të Kosovës tregojnë se, vitin e kaluar, 160 mjekë kanë marrë të ashtuquajturën certifikatë të pastërtisë etiko-profesionale, që do të thotë se janë larguar nga Kosova, ose janë në proces të largimit.

Sipas kësaj ode, të larguarit - që kryesisht emigrojnë drejt vendeve të Bashkimit Evropian - ankohen për kushte jo të mira pune, paga të ulëta dhe keqmenaxhim.

Paga bruto e një mjeku specialist në Kosovë është rreth 1.200 euro, ndërsa në Gjermani, për shembull, arrin në mbi 4.000 euro.