Sirianët po shënojnë dhjetëvjetorin e fillimit të protestave paqësore kundër qeverisë së presidentit Bashar al-Assad, që nxitën një kryengritje popullore e cila më pas u përshkallëzua në një luftë të plotë civile.
Presidenti Assad mbetet në pushtet, pavarësisht një dekade të luftimeve dhe ndarjes së vendit, shkruan agjencia Associated Press. Nga aspekti ekonomik, Siria është e shkatërruar. Vendi është ndarë një tri pjesë. Një grup i lidhur me al-Kaidën dominon provincën veriperëndimore të Idlibit, me rebelët e mbështetur nga Turqia që kontrollojnë vijën përgjatë kufirit turk. Forcat kurde siriane të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara, mbajnë rreth një të katërtën e vendit në verilindje. Pjesën tjetër e kontrollojnë forcat e presidentit sirian, Assad.
Lufta ka lënë të vrarë rreth gjysmë milioni njerëz. Gjysma e popullsisë prej 23 milionë banorësh – sa ka pasur Siria – është zhvendosur, përfshirë më shumë se pesë milionë refugjatë, të cilët kanë kërkuar strehim në shtetet fqinje.
SHIKONI EDHE: Jeta pas IS-it: Një grua rrëfen tmerrin që përjetoi në SiriPor, si nisi konflikti? Cilat ishin ngjarjet kryesore që shënojnë luftën civile në Siri? Ju sjellim të përmbledhura përmes disa datave kryesore:
- Mars, 2011: Një grup personash u ndaluan pasi kishin vendosur mbishkrime anti-qeveritare në murin e shkollës së tyre në qytetin Dara. Ndalimi i tyre ngjalli protesta. Më 15 mars, një tubim u mbajt edhe në pjesën e qytetit të vjetër në kryeqytetin Damask. Më 18 mars, katër njerëz u vranë pasi forcat e sigurisë qëlluan ndaj protestuesve në Dara. Aktivistët thanë se këto ishin viktimat e para të kryengritjes. Pas kësaj ngjarjeje, protestat u përhapën në gjithë vendin, sikurse edhe shtypja nga ana e forcave të sigurisë.
- Prill, 2011: Në qytetin e tretë më të madh të Sirisë, Homs, policia sulmoi mijëra protestues, të cilët u përpoqën të krijonin një atmosferë proteste sikurse në sheshin Tahrir të Kajros. Ky shesh ishte epiqendra e protestave kundër sunduesit të atëhershëm të Egjiptit, Hosni Mubarak.
- 18 qershor, 2012: Në Damask, gjatë një mbledhjeje të zyrtarëve të nivelit të lartë ku po trajtohej kriza në vend, shpërtheu një bombë nga e cila mbetën të vrarë katër zyrtarë, përfshirë kunatin e presidentit Bashar al-Assad si dhe ministrin e Mbrojtjes të Sirisë.
- Korrik, 2012: Luftimet e kryengritësve kundër forcave qeveritare përhapen edhe Alepo, qytetin më të madh të Sirisë dhe njëherësh kryeqendra tregtare e vendit.
- 20 gusht, 2012: Presidenti i atëhershëm amerikan, Barack Obama, duke folur për situatën në Siri tha se përdorimi i armëve kimike në konflikt, do të ishte një "vijë e kuqe", e cila do ta ndryshonte kalkulimin e tij për ndërhyrje në luftën civile.
- 19 mars, 2013: Qeveria siriane dhe opozita bën akuza të ndërsjella për sulmin me gaz, që la të vrarë 26 persona në qytetin verior, Khan al-Assal. Më vonë Organizata e Kombeve të Bashkuara zhvilloi një hetim për këtë rast dhe erdhi në përfundimin se ishte përdorur gazi nervor sarin. Megjithatë, OKB-ja nuk e emëroi fajtorin për përdorimin e tij.
- Maj, 2013: Grupi militant Hezbollah i Libanit, zyrtarisht përfshihet në konfliktin sirian në mbështetje të Assadit, duke sulmuar dhe vendosur nën kontroll më vonë qytetin kufitar, Kusair.
- 21 gusht, 2013: Nga një sulm kimik në lindje të Damaskut vriten qindra persona. Shtetet e Bashkuara dhe disa vende tjera fajësojnë për sulmin forcat qeveritare siriane. Presidenti Obama kërcënon me sulme, por më vonë tërhiqet.
- 27 shtator, 2013: Këshilli i Sigurimit i OKB-së urdhëron Sirinë të japë përgjegjësi për sulmet dhe të shkatërrojë rezervat e saj të armëve kimike. Masa e Këshillit të Sigurimit erdhi pas një marrëveshje të befasishme midis Uashingtonit dhe Moskës që shmangu sulmet e SHBA-së.
- 14 tetor, 2013: Siria nënshkruan Konventën për Armët Kimike, sipas së cilës vendit i ndalohet prodhimi dhe përdorimi i armëve kimike.
- 23 qershor, 2014: Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike njoftoi se ka larguar edhe sasinë e fundit të armëve kimike të Qeverisë siriane. Por, zyrtarët e opozitës siriane thanë se rezervat e armëve kimike të qeverisë nuk ishin llogaritur plotësisht dhe se ajo ende posedonte sasi të tyre.
Video nga arkivi:
- 30 qershor, 2014: Grupi i Shtetit Islamik (IS) shpall të ashtuquajturin kalifat në zonat që kontrollonte në Irak dhe Siri. Në këtë periudhë përshkallëzohet kriza e refugjatëve.
- 23 shtator, 2014: Shtetet e Bashkuara fillojnë sulmet ajrore ndaj caqeve të grupit militant IS në Siri.
- 28 mars, 2015: Qyteti Idlib në veriperëndim të Sirisë bie nën kontrollin e militantëve islamikë të udhëhequr Fronti Al-Nusra, një organizatë e lidhur me Al-Kaidën.
- 6 maj, 2015: Presidenti sirian Assad pranon se ushtria e tij po përballet me vështirësi serioze.
- 2 shtator, 2015: Në një plazh në Turqi gjendet trupi i 3-vjeçarit Aylan Kurdi. Fotografia që u shpërnda me shpejtësi në tërë botën, ngjalli vëmendjen për gjendjen e refugjatëve sirianë, të cilët po përballeshin me vështirësi e rreziqe të shumta për të arritur në vendet evropiane.
- 30 shtator, 2015: Rusia fillon operacionin e sulmeve ajrore në Siri në mbështetje të forcave të Assadit.
- Gusht, 2016: Forcat turke hyjnë në veri të Sirisë Veriore, duke vënë nën kontroll zona përgjatë kufirit, të cilat mbaheshin nga grupi Shteti Islamik.
- Dhjetor, 2016: Pas një ofensive të forcave qeveritare siriane të mbështetura nga rusët, kryengritësit sirianë tërhiqen nga pjesët lindore të Alepos të kontrolluara nga rebelët.
- 4 prill, 2017: Në qytetin Khan Sheikhoun të Idlibit që kontrollohej nga rebelët, vriten të paktën 58 persona. Mjekët thanë se vrasja e tyre mund të jetë bërë përmes një sulmi me gaz nervor. Dëshmitarët thanë se avionët rusë ose sirianë kryen sulmin. Moska dhe Damasku mohuan përgjegjësinë.
- 6 prill, 2017: Shtetet e Bashkuara sulmojnë Sirinë me një breshëri raketash, në përgjigje të incidentit në Khan Sheikhoun. Ky ishte sulmi i parë i drejtëpërdrejtë amerikan kundër forcave të Qeverisë siriane.
- Maj, 2017: Rebelët tërhiqen nga zona e fundit që kontrolluan në Homs. Ky qytet dikur quhej edhe kryeqyteti i revolucionit.
- 20 janar, 2018: Në enklavën veriore të Afrinit, Turqia fillon një operacion të madh ushtarak kundër luftëtarëve kurdë sirianë.
- Prill, 2018: Forcat e Qeverisë siriane marrin nën kontroll të gjitha rrethinat e Damaskut duke i ofruar një lloj sigurie pushtetit të Assadit.
- 14 prill, 2018: Në rrethinat e Damaskut u pretendua se sërish është kryer sulm kimik. Aktivistët thanë se mbi 40 persona u vranë. Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Franca kryen sulme ushtarake në Siri, kundër forcave të Assadit, si ndëshkim për vdekjen e këtyre personave.
- 10 tetor, 2019: Pas tërheqjes së trupave amerikane, Turqia filloi një ofensivë tokësore kundër luftëtarëve kurdë në veri të Sirisë.
- 5 mars, 2020: Presidenti i Turqisë, Reccep Tayip Erdogan dhe ai i Rusisë, Vladimir Putin, thanë se kanë arritur një marrëveshje për armëpushim në veriperëndim të Sirisë. Luftimet në këtë zonë kishin rritur mundësinë e një konflikti të forcave ruse dhe atyre turke. Armëpushimi gjithashtu ndaloi një sulm qeveritar sirian të mbështetur nga Rusia në Idlib, bastioni i fundit i rebelëve.
- 17 qershor, 2020: Hyjnë në fuqi sanksionet e Shteteve të Bashkuara për ata që mbështesin përpjekjet ushtarake siriane në luftime. Sanksionet e reja mund të përdoren për të shënjestruar mbështetësit kyçë të Assadit: Rusinë, Iranin dhe grupin militant të Libanit, Hezbollah.