Ndërlidhjet

Kalifati: Një histori nga këndi i grave në një botë ku mbizotërojnë burrat


Seriali "Kalifati" që po transmetohet në Netflix.
Seriali "Kalifati" që po transmetohet në Netflix.

Seriali suedez “Kalifati” i cili përbëhet nga tetë episode flet për tregimet e tre personave të përfshirë në një sulm terrorist të planifikuar nga grupi militant, Shteti Islamik në Suedi. Seriali zhvillohet në qytetin sirian Raka dhe në Suedi ku trajton çështjen e ndjeshme të radikalizmi të vajzave të reja. Ne biseduam për procesion e radikalizmit si dhe rikthimin e personave nga zonat e luftës në vendet e huaja për në Suedi me regjisorin e këtij seriali, Goran Kapetanoviq.

Radio Evropa e Lirë: A është seriali “Kalifati” i bazuar në ngjarje dhe raste të vërteta në Suedi?

Goran Kapetanoviq: Skenarin e kanë shkruar dy skenariste suedezë të cilët janë frymëzuar nga ngjarjet e tri vajzave angleze të moshës 13 dhe 14-vjeçare, të cilat janë fotografuar në Aeroportin Heathrow (në Mbretërinë e Bashkuar). Frymëzimi erdhi nga ajo fotografi, ku ato tri vajza u larguan nga prindërit e tyre dhe ikën në Siri. Pas kësaj, skenaristët krijuan një version që, si kudo në Evropë, ndodhi që njerëzit të largoheshin, ose në këtë rast që kanë shkuar nga Suedia për në Siri. Pra, nuk është e tëra realitet, por është frymëzuar nga ngjarja e tri vajzave angleze. Sigurisht, seriali ka të bëjë edhe me krime, me disa kthesa interesante, madje kemi edhe një karakter të një gruaje e cila është e lindur këtu (në Bosnje dhe Hercegovinë).

Radio Evropa e Lirë: Keni përmendur tri vajzat e reja që ishin frymëzim. Si iu qasët ju si regjisor kësaj çështjeje shumë të ndjeshme të radikalizmit të adoleshentëve?

Goran Kapetanoviq.
Goran Kapetanoviq.


Goran Kapetanoviq: Kam punuar për këtë serial gati dy vjet, kam bërë shumë hulumtime për disa nga ngjarjet që kanë ndodhur, kam lexuar shumë në lidhje me to, ka shumë ngjarje sidomos nga Stokholmi dhe disa pjesë të tjera të Suedisë, ku isha në kontakt me disa njerëz të cilit ishin atje dhe të cilët ishin kthyer rastësisht. Kam përfshirë sa më shumë detaje për të qenë më autentik dhe për të shfaqur tregimin e të dyja palëve, në njëfarë mënyre nuk është gjithçka bardhë e zi. Ishte shumë e ndërlikuar dhe kërkonte shumë hulumtim. Kam punuar shumë në lidhje me gjetjen e aktorëve dhe në këtë mënyrë u kam dhënë mundësinë edhe aktorëve që nuk janë nga Suedia, të cilët bënë një punë fantastike.

Radio Evropa e Lirë: Në çfarë mënyre ky serial përfaqëson komunitetin pakicë në Suedi dhe deri në cilën masë mund të paraqesë stereotipa?

Goran Kapetanoviq: Unë nuk mendoj se ka ndonjë stereotip, ata nuk ishin Rouge Khmer, ata ishin persona që janë qytetarë suedezë. Nuk ka stereotipa për mua, madje ka pasur reagime negative se si këta persona janë portretizuar në mënyre humane. Problemi më i madh me këtë është se kushdo që ka shkuar në IS është parë si “dragua”. Unë e kam bërë njëfarë ekuilibri këtu, për shkak se ata ishin të njëjtë me personat e tjerë nga gjaku dhe mishi, por që kanë zgjedhur rrugën e tyre që ishte e gabuar.

Sigurisht, qëndrimet e tyre për mua janë të papranueshme, por nga rrethanat, përmes indoktrinimeve të ndryshme, ata kanë shkuar të kërkojnë veten e tyre dhe kanë kërkuar përgjigje për kuptimin e jetës ose besimit në fe. Pra, kjo duhej të kuptohej më shumë, nuk ka të bëjë kjo vetëm më mua, por edhe Netflix si shtëpi e madhe e cila ka investuar para dhe tani seriali po shfaqet në 45 vende. Unë kam marrë komente tepër pozitive, nga Koreja e Jugut e deri në Argjentinë. Një dramë emocionale dhe cilësore.

Radio Evropa e Lirë: Cilat ishin reagimet? A ka nxitur debat dhe në çfarë drejtimi?

Goran Kapetanoviq: Po. Nuk ka asgjë më të mirë për një prodhim sesa kur nxit debate në muajin e parë të shfaqjes, duke u shfaqur në faqet e para të gazetave ditore dhe për këtë arsye mirëkuptimi, keqkuptimi, konfliktet dhe besueshmëria për të cilën ka pasur komente pozitive sidomos për talent;t e rinj të cilët kanë shfaqur revolucion në Suedi. Shumë gjëra pozitive, por sigurisht kishte edhe negative. Pse bash në këtë kohë, a është e mundur të portretizohet një komunitet pakicë në këtë mënyrë? Unë mendoj që komuniteti pakicë e ka shikuar serialin më së shumti. Ne morëm vlerësimet më të larta nga persona që nuk e shikojnë fare televizionin suedez, kështu që dhembshuria dhe besueshmëria ishin temat kryesore në mediat në Suedi.

Radio Evropa e Lirë: Deri më tani nuk ka asnjë serial me këtë temë që ka arritur sukses si seriali juaj. A ka ardhur tani koha e prodhimit të filmave dhe serialeve të cilat trajtojnë tematikën e organizatave militante islamike, pas dobësimit të kësaj organizate?

Goran Kapetanoviq: Tani po flitet për prodhimin e sezonit të dytë. Unë mendoj se e gjithë Evropa ka rreth 50-60 mijë persona që janë kthyer nga Siria. Asnjë nga vendet evropiane nuk e di se si t’i qaset këtij problemi të radikalizmit, kur personat kthehen në vendet e tyre. Është një problem i madh dhe nuk e di se si do të rrjedhë, a do të ketë gjykime të tjera. Për të mos përmendur fëmijët që kanë lindur atje, se si do të shkojnë ata në kopshte, çfarë do të bëhet me ta. Unë mendoj se do të ketë gjëra shumë interesante si rezultat i këtyre ngjarjeve. Ne kemi ende persona që janë në Siri në kampe refugjatësh të cilët nuk mund të kthehen sepse shtetet në të cilat kanë shtetësi nuk i pranojnë ata, shumica e tyre janë gra që për fat të keq gjithmonë e paguajnë çmimin. Kështu, ky serial ka të bëjë me tri vajza përmes ë cilave ne shohim një botë të tërë të mbizotëruar nga burrat.

Radio Evropa e Lirë: Përmendët të kthyerit. Si po qëndron Suedia me personat e kthyer nga zonat e luftës?

Goran Kapetanoviq: Suedezët më së shumti nga të gjitha vendet evropiane kanë qasje më humanitare. Dënimet me burg janë ulur, gjë që jep rezultat më të mirë. Unë mendoj që në disa komuna janë duke punuar në atë gjë, shërbimi sekret është i përfshirë gjithashtu, kështu që pasi ata i kanë burimet e tyre, mendoj se do të bëjnë një punë të mirë dhe do të shohim rezultate të mira. Unë mendoj që suedezët u janë afruar mirë.

Radio Evropa e Lirë: Po thoni se keni hulumtuar mënyrat të cilat çojnë deri te radikalizmi i të rinjve. Personazhet në serial bëjnë jetë normale, asgjë nuk duket tek ata se janë persona që një ditë do të shkojnë në Siri. A ka zbuluar hulumtimi juaj se ka shenja që dikush po përgatitet të zgjedhë atë rrugë dhe të mos e vërehet?

Goran Kapetanoviq: Epo, unë po flisja për atë se pse dikush zgjedh ta bëjë një gjë të tillë. Mosha adoleshente është kur njerëzit ndërmarrin disa hapa drastikë. Këtu kemi ende situatë ku ndarja është domethënëse në disa pjesë të Suedisë, në periferi kryesisht jetojnë pakicat, ata mund të mos gjejnë rrugën e tyre në shoqëri apo të kenë ndonjë histori nostalgjike me prindërit e tyre… kështu që ata mund të përfundojnë në disa aktivitetet kriminale, por disa nga ta vendosin që kjo gjë u jep perspektivë të re, ua hap sytë për të gjetur kuptim në vetvete. Pastaj janë gënjeshtrat dhe propaganda e IS-it, ku të rinjve u flitet se sa bukur është të kesh pishina, shtëpi, dhe në moshën e tyre është më se e lehtë të ketë dikush ndikim. Është një përzierje e të gjitha këtyre gjërave, nuk ka ndonjë rezultat specifik, varet nga grupi, vendi dhe arsyeja, por kryesisht dëshira është për një jetë të re.

Rruga për në Siri e 14-vjeçares nga Kosova
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:05:11 0:00

Radio Evropa e Lirë: Si ka ardhur deri te bashkëpunimi me Netflix-in? A mendoni se kjo platformë ndërkombëtare ka hapur dyert për suksesin e madh të arritur të serialit?

Goran Kapetanoviq: Netflix dhe televizioni suedez kanë bashkëpunuar për herë të parë në këtë serial. Ata nuk donin të angazhoheshin vetëm për tregun suedez. Netflix-i është duke bërë punën e vet, televizioni suedez të vetën, kështu që mendoj se do të ketë më shumë bashkëpunime si kjo në Evropë.

Përgatiti: Donika Alihajdaraj

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG