Nikki Haley u largua nga OKB: Çfarë duhet të dimë?

Nikki Haley dhe Donald Trump.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka bërë të martën një njoftim të papritur se ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley do të largohet nga pozita e saj.

Ish-guvernatorja e Karolinës Jugore, Haley ka mbajtur pozitë të rëndësishme në kabinetin e Trumpit dhe është parë si diplomate e cila ka shuar dyshimet rreth mungesës së kredencialeve në çështjet e politikës së jashtme.

Puna e saj diplomatike, të paktën publikisht, ka dërguar qasjen e Trumpit për politika të jashtme në takimet e Këshillit të Sigurimit.

Në komentet e saj të bëra më 9 tetor në Zyrën Ovale, teksa Trump ka treguar largimin e saj, Haley ka vënë sërish në pah qasjen e saj.

“Shikoni se çfarë ka ndodhur për dy vjet në politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara. Tani, Shtetet e Bashkuara respektohen”, ka thënë ajo.

“Disa shtete mund të mos pëlqejnë çfarë bëjmë ne, mirëpo ata respektojnë atë se çfarë bëjmë. Ata e dinë se nëse ne themi se do të bëjmë diçka, ne e përmbushim atë. Presidenti e dëshmuar këtë gjë”, është shprehur ajo.

Nikki Haley dhe presidenti Donald Trump në Zyrën Ovale

Për dallim nga Trumpi, ajo ka përmendur edhe Sekretarin e parë amerikan të Shtetit në administratën e Trumpit, Rex Tillerson, i cili për dallim nga Haley është ndeshur me Trumpin në çështje të stilit, ato përmbajtjesore dhe aspekte tjera.

Më poshtë paraqesim disa gjëra për të rikujtuar për ambasadoren e parë të Trumpit në OKB.

Kthesë e ashpër diplomatike?

Në një nga deklaratat e saj të para teksa pati fituar pozitën dy vjet më parë, Haley ishte padyshim jodiplomatike.

“Jemi duke listuar ata që nuk na përkrahim dhe do të përgjigjemi në mënyrë të duhur”, ka thënë ajo.

Kjo deklaratë ka qenë tregues i qasjes që la ka ndjekur në OKB, të paktën publikisht. Në takimet e Këshillit të Sigurimit dhe vende të tjera, ajo vazhdimisht ka përmendur Iranin dhe Sirinë, si dhe është përfshirë në diskutime me anëtarët tjerë.

SHIKONI EDHE: SHBA i kërkon Iranit "të shikojë veten në pasqyrë"

Ajo në fakt ka pasur ankesa edhe për vetë Këshillin e Sigurimit duke e akuzuar këtë organizatë se është “fiksuar në çështjet për Izraelin”.

“Thënë të vërtetën, Këshilli i Sigurimit shpeshherë e bën Lindjen e Mesme më të komplikuar se që aktualisht është. Është fiksuar pas Izraelit. Madje refuzon të njohë një nga burimet kyçe të konfliktit dhe vrasjeve në Lindje të Mesme, ai është Irani dhe grupi militant partner, Hezbollahu”, ka thënë ajo në gusht të vitit 2017.

Në muajin maj, kur përleshjet në kufirin e Izraelit dhe Gazën kanë rezultuar me 60 palestinezë të vdekur, Haley ishte larguar nga takimi urgjent në Këshillin e Sigurimit, kur i dërguari palestinez në OKB, kishte nisur fjalimin.

Meqë ka qenë në mesin e zyrtarëve më të lartë në administratën e Trumpit, ajo po ashtu ka qenë në krye të përpjekjeve për të bartur Ambasadën Amerikane në Izrael nga Tel Avivi në Jerusalem.

Ky hap, që ishte përshëndetur nga Izraeli, por jo edhe nga shumë aleatë amerikanë në Lindje të Mesme dhe Evropë, është cituar nga Trump më 9 tetor.

Haley po ashtu ka drejtuar akuzat e nisura nga Shtëpia e Bardhë, kundër Këshillit të OKB-së për të Drejta të Njeriut, pasi republikanët dhe disa demokratë kanë kritikuar këtë trup për anëtarësim të disa vendeve që kanë shifra tejet të larta rreth abuzimit të të drejtave të njeriut duke përfshirë: Venezuelën, Kinën, Arabinë Saudite, Egjiptin dhe vende tjera.

“Për shumë kohë, Këshilli për të Drejta të Njeriut ka qenë mbrojtës ndaj abuzimeve për të drejta të njeriut”, ka thënë ajo në muajin qershor, kur ka njoftuar për largimin e Shteteve të Bashkuara nga ky Këshill.

SHIKONI EDHE: SHBA-ja largohet nga Këshilli "paragjykues" i OKB-së

Në mesin e arritjeve tjera për të cilat ajo është përmendur, përfshijnë zvogëlimin e buxhetit për OKB-në për 1.3 miliard dollarë, vendosjen e embargos në armët e Sudanit Jugor, vendosjen e tri pakove me sanksione kundër Koresë Veriore dhe vënien e vëmendjes në atë që e ajo e ka cilësuar se vazhdimësi të përpjekjeve të Iranit për të destabilizuar Lindjen e Mesme.

Haley dhe politika e Trumpit

Vendimi i Trumpit për të emëruar Haleyn si ambasadore në OKB pati ngritur vetullat, jo vetëm për shkak të mungesës së përvojës në politikë të jashtme.

Haley ka qenë kritike e Trumpit gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016 dhe ka mbështetur një nga rivalët e Trumpit në nominimin e republikanëve, hap për të cilin Trump ka larguar shumë persona nga lista, duke i cilësuar si jobesnikë.

Gjatë punës së saj në OKB, Haley ka reflektuar politikën e Trumpit, megjithatë ka pasur dallim me Shtëpinë e Bardhë. Shembull në rastin e Rusisë, ajo ka qenë kritike e hapur, duke dalë kundër deklaratave të Trumpit, i cili rregullisht ka bërë thirrje për qasje pajtuese kundrejt Moskës.

*Video nga arkivi: Haley kishte mbajtur përgjegjëse Rusinë për sulmet në Siri. 7 prill, 2017.

Your browser doesn’t support HTML5

Ambasadorja amerikane në OKB akuzon Rusinë për mospërgjegjësi

Ajo e ka cilësuar aneksimin e Gadishullit të Krimesë nga Rusia “një shembull të dhunës direkte në sovranitetin e një shtetit anëtar në shtetin tjetër po ashtu anëtar”.

Haley ka qenë e ashpër ndaj Moskës edhe në muajin shtator, pasi Britania ka akuzuar publikisht zyrtarë të inteligjencës ruse për kryerje të sulmit me agjent nervor kundër ish-spiunit rus, Sergei Skripal dhe vajzës së tij Yulia në Sallsbëri.

Përveç tjerash, muajin e kaluar ajo ka akuzuar publikisht Rusinë për shkelje të sanksioneve të OKB-së, të vëna kundër Koresë Veriore.

“Këto shkelje nuk kanë ndodhur disa herë, ato janë sistematike. Shtetet e Bashkuara kanë të dhëna për shkelje masive nga ana e Rusisë”.

Mirëpo pasqyra se ajo nuk ka qenë plotësisht në linjë të njëjtë me Shtëpinë e Bardhë të Trumpit është vënë në pah në momentin që ajo ka përmendur vendosjen e sanksioneve ndaj kompanive ruse që punojnë në Siri.

Pasi një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, Larry Kudlow u pati thënë gazetarëve se ajo mund të ketë pasur momente të konfuzionit, Haley i ishte kundërpërgjigjur: “Me gjithë respektin, unë nuk kamë qenë konfuze”.

Haley ka qenë e ndarë edhe në punët e brendshme të Trumpit, sidomos pasi Trump pati fajësuar “të dyja palët” për dhunën që pati shpërthyer në disa protesta të nacionalistëve të bardhë në Sharllotsvill të Virxhinias në gusht të vitit 2017.

Disa ditë pas komenteve të Trumpit, Haley pati deklaruar se “ajo ka pasur bisedë private me presidentin për ngjarjet në Sharllotsvill dhe se nuk do të komentojë më shumë”.

Haley po ashtu pati shkruar në një kolumn në The Washington Post, se ka guxim për të sfiduar Trumpin.

“Nuk pajtohem me presidentin për gjithçka”, ka deklaruar ai.

Kush është në radhë?

Haley ka thënë se ajo do të mbetet në pozitën e ambasadores deri në fund të vitit 2018. Koha e dorëheqjes së saj ka nxitur spekulime se ajo është duke planifikuar të sfidojë Trumpin në garën presidenciale të vitit 2020.

Megjithatë, ajo ka shuar zërat shpejt, duke treguar se nuk do të garojë dhe planifikon ta mbështesë Trumpin.

Një deklaratë e tillë ka drejtuar më pas vëmendjen në atë se me kë do ta zëvendësojë atë Trumpi.

Në takim me presidentin në Shtëpinë e Bardhë, Haley ka përshëndetur vajzën e presidentit, Ivankan dhe burrin e saj, Jared Kushner, i cili ka qenë i dërguar i Shtëpisë së Bardhë në politikat për Izraelin dhe Lindje e Mesme, duke përfshirë vendimin për bartjen e ambasadës amerikane në Jerusalem.

Jared Kushner dhe Ivanka Trump

Këto deklarata kanë vënë në pikëpyetje nëse njëri nga ata mund të hapë dosjet në OKB.

Megjithatë, ekspertët e etikës kanë thënë se një hap i tillë do të ishte problematik sa i përket çështjeve të nepotizmit.

Në mesin e emrave të tjerë ka qenë edhe ai i Heather Nauert, e cila para se të emërohej zëdhënëse e Departamentit amerikan të Senatit, ka qenë korrespondete për ABC News dhe moderatore në Fox News.

Përveç tyre, në këto diskutime është lakuar edhe emri i ish zëvendës-këshilltares për Siguri Kombëtare, Dina Powell në administratën e Trumpit apo edhe ambasadori aktual i SHBA-së në Gjermani, Richard Grenell.

Përgatiti: Krenare Cubolli