Ndërlidhjet

SHBA-ja largohet nga Këshilli "paragjykues" i OKB-së


Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo dhe ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo dhe ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley.

Shtetet e Bashkuara janë tërhequr nga Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të Drejta të Njeriut, derisa ambasadorja amerikane, Nikki Haley e ka cilësuar të njëjtin “orgnizatë që nuk përket me emrin e saj”.

Ky vendim përbën një tjetër largim të administratës së presidentit amerikan, Donald Trump nga ndonjë institucion ndërkombëtar.

Haley ka thënë të martën se SHBA-ja, i ka dhënë “mundësi pas mundësie” këtij trupi për të bërë ndryshime, transmeton AP.

Ajo ka sulmuar Këshillin për “paragjykimin e tij kronik kundër Izraelit”, dhe ka përmendur faktin se anëtarë të tij janë shtetet që akuzohen për abuzim me të drejta të njeriut duke përmendur, Kinën, Kubën, Venezuelën dhe Republikën Demokratike të Kongos.

“Ne do të marrin këtë hap sepse përkushtimi ynë nuk na lejon të jemi pjesë e një organizate të pasinqertë që tallet me të drejtat e njeriut”, është shprehur Haley.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka thënë pas fjalimit të Haleyt se nuk ka dyshim që Këshilli fillimisht kishte “vizion fisnik”.

“Mirëpo sot duhet të jemi të sinqertë”, është shprehur Pompeo.

“Këshilli për të Drejtat e Njeriut është mbrojtës i dobët i të drejtave të njeriut”, është shprehur ai.

Zeid Ra'ad al-Hussein.
Zeid Ra'ad al-Hussein.

Njoftimi ka ardhur vetëm një ditë pasi shefi për të drejta të njeriut në OKB, Zeid Ra'ad al-Hussein, ka dënuar administratën e Trumpit për ndarjen e fëmijëve migrantë nga prindërit e tyre.

Mirëpo Haley ka përmendur ankesat amerikane për një kohë të gjatë, duke thënë se Këshilli 47 anëtarësh ka qasje paragjykuese kundër Izraelit.

Ajo ka bërë deklarata kërcënuese për largim të SHBA-së nga Këshilli edhe një vit më parë, duke bërë thirrje për ndryshim.

“Fatkeqësisht tani është e qartë se thirrjes sonë për reforma nuk i është kushtuar vëmendje”, ka thënë ambasadorja amerikane.

Mirëpo ajo ka thënë se vendimi nuk duhet të konsiderohet i përjetshëm, sepse siç është shprehur ajo, nëse ka inciativë për reforma, “ne me kënaqësi do të kthehemi”.

Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka cilësuar vendimin amerikan “të guximshëm”.

Çka është Këshilli i OKB-së për të Drejta të Njeriut?

Kombet e Bashkuara kanë formuar këtë Këshill më 2006, si zëvendësim të Komisionit për të Drejta të Njeriut.

Pas formimit, Këshilli është përballur me shumë kritika pasi është thënë se ka lejuar anëtarësimin e vendeve, në të cilat ka raporte për abuzim me të drejta të njeriut.

Një grup prej 47 shteteve nga rajone të ndryshme globale shërbejnë në mandate trivjeçare.

Vendet anëtare mbledhen tre herë brenda vitit për të shikuar se çfarë kanë bërë shtetet anëtare për të përmirësuar të drejtat e njeriut në vendet përkatëse.

Këshilli po ashtu dërgon ekspertë të pavarur dhe formon komisione për të raportuar shkeljet e të drejtave të njeriut në vende të ndryshme, përfshirë, Sirinë, Korenë Veriore, Mianmarin dhe Sudanin Jugor.

Pakënaqësi ndërkombëtare

Kundërshtimi i organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut ka qenë i shpejtë. Një grup i 12 organizatave, përfshirë, Save the Children dhe Freedom House, kanë shprehur “shqetësime legjitime” për mangësi të Këshillit, mirëpo sipas tyre asnjëra nga to nuk përbën arsye për largimin e SHBA-së.

“Ky vendim nuk është produktiv për sigurinë kombëtare amerikane dhe interesat e politikës së Jashtme. Ky vendim do të bëjë më të vështirë për të vëzhguar abuzimin e të drejtave të njeriut në botë”, kanë thënë organizatat përmes një deklarateje të përbashkët.

Vendimet e politikës “Amerika e Para”

Ky hap i tërheqjes së SHBA-së nga institucione ndërkombëtare, i jep edhe më shumë vëmendje politikën së administratës Trump “Amerika e Para”.

Pavarësisht se disa zyrtarë kanë përsëritur se “Amerika e Para nuk do të thotë Amerika e Vetme”, administrata është tërhequr nga një mori marrëveshjesh prej kur ka nisur udhëheqësinë.

Nga janari i vitit 2017, SHBA-ja ka njoftuar për tërheqje nga Marrëveshja e Parisit për Klimën, është larguar nga Agjencia e OKB-së për Edukim dhe Kulturë, si dhe ka njoftuar për largim nga marrëveshja bërthamore, e nënshkruar nga Teherani së bashku me fuqitë botërore.

Në mesin e vendimeve tjera që kanë marrë vëmendje janë edhe vendosja e tarifave për importet e çelikut dhe alumunit kundër aleatëve kyçë, njohja e Jerusalemit si kryqytet i Izraelit dhe bartja e ambasadës amerikane aty nga Tel Avivi.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG