Shefat e ushtrisë së shteteve të Afrikës Perëndimore janë pajtuar për një plan për ndërhyrje të mundshme në Niger, teksa po afrohet afati për juntën e këtij shteti që të rivendosë sundimin civil, tha një zyrtar nga blloku rajonal ECOWAS.
Bashkësia Ekonomike e shteteve të Afrikës Perëndimore në fundjavë i dha afat një javë juntës së Nigerit, që rrëzojë nga pushteti më 26 korrik presidentin e zgjedhur, Mohamed Bazoum, që t’ia rikthejë atij pushtetin ose do të përballen me përdorim të forcës.
Shefat ushtarak të ECOWAS u takuan në Abuxha të Nigerisë për të diskutuar për mënyrat se si duhet t’i përgjigjen kësaj krize.
“Të gjitha elementet që kërkohen në çdo ndërhyrje të mundshme, përfshirë burimet e nevojshme dhe kur do ta përdorim forcën, janë diskutuar dhe ka pajtim për to”, tha komisionari i ECOWAS, Abdel-Fatau Musah.
“Ne duam që diplomacia të funksionojë, ne duam që ky mesazh të transmetohet qartë te junta se ne po u japim çdo mundësi që të kthejnë mbrapsht krejt atë që kanë bërë”, shtoi ai.
SHIKONI EDHE: Presidenti i rrëzuar i Nigerit kërkon ndihmën e SHBA-së pas puçitJunta e Nigerit është zotuar se do të përgjigjet “menjëherë” në rast të ndonjë ndërhyrjeje nga jashtë.
Ushtria e ka mbajtur Bazoumin dhe familjen e tij në rezidencën zyrtare në kryeqytet, Niamej, për nëntë ditë.
Qeveritë në rajon që udhëhiqen nga juntat në Mali dhe Burkina Faso kanë thënë se çdo ndërhyrje ushtarake në Niger do të nënkuptonte edhe shpallje të luftës ndaj tyre.