Ngritja e kompanive në kushte pandemie

Disa gra, punëtore të një kompanie private për pastrim të shtëpive.

Erdin Osmani, 28-vjeçar nga Gostivari, me sukses arrin të menaxhojë kompaninë e tij, “Eco Ambient”, e cila merret me pastrimin e shtëpive, oborreve, lokaleve e objekteve të tjera.

Osmani thotë për Radion Evropa e Lirë se pandemia e ka kufizuar lëvizjen e qytetarëve dhe kjo ka bërë që shtëpitë e mërgimtarëve në Maqedoninë e Veriut një kohë të gjatë të mbeten pa përkujdesje.

Kompaninë që ai e themeloi pak para shfaqjes së rasteve me koronavirus, filloi të shënojë ngritje të theksuar gjatë muajve të parë të pandemisë, pasi ka krijuar kontakte me mërgimtarët, të cilëve ua ka prezantuar ofertat për pastrim dhe mirëmbajtje të oborreve, gjë që ka rezultuar me interesim të madh nga ana e tyre.

Krahas pastrimit, kompania që drejton Erdini, me fillimin e pandemisë ka ofruar si shërbim dhe dezinfektimin e lokaleve dhe hapësirave publike, shërbim për të cilin thotë se ka pasur më shumë kërkesa.

“Pas kërkimeve të gjata që bëra në treg, duke pasur parasysh migrimin e madh në rajonin ku jetoj, e pashë të arsyeshme që të hapi një kompani për t’u kujdesur për shtëpitë dhe oborret e mërgimtareve për aq kohë sa nuk janë ata këtu. Koha e limituar nuk u jep atyre mundësi që të kujdesen për shtëpitë që kanë këtu, andaj me një kosto reale të tregut, atyre u mundësohet një shërbim që ua bën më të lehtë jetën”, sqaron Osmani.

SHIKONI EDHE: Kompanitë që ofrojnë shërbime digjitale rrisin përfitimet në kohën e pandemisë

Kompania e tij ka fituar çmimin e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, si më e suksesshmja në kushte të krizës me pandeminë.

“Ne jemi zgjedhur si kompania më e suksesshme në mesin e kompanive të reja pasi kemi qenë kompani që ka shënuar rritje dhe nuk jemi dorëzuar kurrë gjatë periudhës së pandemisë, një periudhë që nuk ishte e lehtë pasi për çdo ditë jemi përballur me shumë vështirësi”, tregon Osmani.

Përmes ndihmës së një programi të USAID-it, ku kanë marrë pjesë 90 kompani të reja në Maqedoninë e Veriut gjatë pandemisë, Erdin Osmani ka arritur të hartojë një plan të qëndrueshëm financiar për kompaninë e tij që ka qenë një pikënisje shumë e mbarë për të, pasi edhe gjatë zhvillimit të biznesit është bërë monitorimi nga persona profesionalë.

Kjo kompani, e cila merret me pastrim dhe mirëmbajtje të oborreve dhe shtëpive, ka 8 të punësuar të përhershëm dhe shumë të tjerë, të cilët angazhohen me kohë të kufizuar.

SHIKONI EDHE: Bizneset që iu përshtatën pandemisë

Ministri i Financave, Fatmir Besimi, në vazhdimësi ka përsëritur se gjatë vitit të ardhshëm, 2022, ndihma financiare nga ana e shtetit do të orientohet drejt kompanive që mendojnë për inovacione, investime dhe qëndrueshmëri në treg.

“Do t’u jepet përkrahje kompanive që do të rrisin numrin e të punësuarve dhe investimeve, që të kenë mundësi që një pjesë të mjeteve që do ta shfrytëzojnë, t’u shndërrohet në subvencione”, ka deklaruar Besimi.

Këtë masë e ka shfrytëzuar dhe Erdin Osmani, i cili për mjetet që i shfrytëzon për punë nga shteti ka marrë një grant të pakthyeshëm në vlerë prej 5 mijë eurosh.

Edhe gjatë vitit 2022, thotë ai, do të aplikojë për mbështetje financiare pasi tashmë ka themeluar dhe kompaninë e dytë që merret me pastrimin e rrobave.

“Kjo gjë është mjaft sfiduese për një mes ku rrobat gjithkush është mësuar t’i lajë në shtëpi. Por, pasi bëmë një hulumtim në treg, pamë se tani për shkak të kufizimeve që ka shkaktuar koronavirusi, (fëmijët) më pak arrijnë t’i vizitojnë prindërit e tyre, pra personat më të moshuar, me këtë dhe të kujdesen për ta. Andaj, ne për këtë kategori ofrojmë larjen dhe hekurosjen e rrobave për çka interesimi është në rritje. Si target kemi dhe 2 mijë studentët dhe stafin mësimdhënës të universitetit turk që është hapur këtu së fundmi”, tregon Erdini.

Nga Lidhja e Odave Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, thonë se sektori i biznesit goditjen më të madhe do ta ndiejë pas ndalimit të ndihmave nga shteti.

Në Maqedoninë e Veriut që nga fillimi i krizës ekonomike të shkaktuar nga COVID -19, janë miratuar gjashtë pako të masave anti-krizë në vlerë prej një miliard e dyqind milionë euro, gjegjësisht rreth 11 për qind të Bruto Prodhimit Vendor.