Ndërlidhjet

Kompanitë që ofrojnë shërbime digjitale rrisin përfitimet në kohën e pandemisë


Fotografi ilustruese.
Fotografi ilustruese.

Kompanitë të cilat ofrojnë shërbime digjitale mbeten në krye të listës së veprimtarive që shënojnë rritje në kohën kur masat e forta shtrënguese për parandalimin e koronavirusit kanë paralizuar disa nga hallkat e ekonomisë, siç është turizmi, transporti dhe sektori i hotelerisë.

Kryetari i Konfederatës së punëdhënësve në Maqedoninë e Veriut, Mile Boshkov, thotë se koronavirusi imponon përdorimin e shërbimeve digjitale, kështu që shërbimet e kompanive të teknologjisë informative mbeten në krye të listës së kërkesave si nga sektori bankar për të ruajtur distancën fizike, ai arsimor për shkak të mësimit online, ashtu dhe nga kompanitë tregtare që veprimtarinë e tyre e drejtuan po në shitjen online.

“Tashmë është e qartë se gjithçka që bën pjesë në sektorin e digjitalizimit, nga ajo primarja deri te terciarja, që do të thotë jo vetëm programimi, përkatësisht teknologjitë informative, por edhe ajo pjesë informatikës që ndihmon në distrubuimin e produkteve, paraqet sektor për çka do të ketë shume nevojë, dhe të njëjtat tashmë është e qartë se do të shumëfishojnë përfitimet”.

“Të jem më i qartë, tashmë në treg paraqitet kërkesë për kompanitë që ofrojnë shërbime logjistike për lidhjen e konsumatorit me prodhuesit e produkteve të ndryshme, që mundësohet përmes teknologjisë informative”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Mile Boshkov.

Shërbimet e teknologjisë informative po bëhen gjithnjë e më të kërkuara për administratën, me qëllim që të shmangen takimet fizike, por në të njëjtën kohë, që qytetarët të marrin shërbimet nga administrata në çdo kohë që ju duhet.

Drilon Iseni nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore, thotë për Radion Evropa e Lirë se ekonomia e vendit po vuan pasojat pas përhapjes së sëmundjes COVID-19, por ai thekson se kompanitë që po ofrojnë trajnime online, ka shënuar rritje të punës.

“Edhe bizneset e Maqedonisë së Veriut, si ato në shtetet e Evropës nuk qëndruan imun nga efektet e pandemisë së COVID-19. Është e vështirë të thuhet se ndonjë sektor mund të ketë regjistruar rritje, ngase efekti nuk lë të pa prekur asnjë sektor, megjithatë mund të thuhet se sektori i IT-së vazhdon të kryejë veprimtarinë e saj pjesërisht dhe kjo vetëm për shkak të natyrës së veprimtarisë së saj, eventualisht duke hapur mundësinë e kryerjes së shërbimeve online, për shkak të kufizimit të qarkullimit të qytetarëve”.

“Vërehet një lëvizje shtesë edhe te kompanitë të cilat prodhojnë e importojnë produkte dhe pajisje medicinale, po ashtu edhe zinxhiri i furnizimit dhe shitjes së produkteve ushqimore, mirëpo edhe ato kanë sfida pasi që çmimet furnizuese rriten dhe ata detyrohen t’i risin çmimet, që në fund të bien në harxhim të qytetarëve pa faj të kompanive”, thotë Iseni.

Edhe eksperti i ekonomisë, Visar Ademi vlerëson se koronavirusi po bën transformim të rrënjësishëm në sistemin arsimor. Ai shton se kompanitë e teknologjisë informative, që ofrojnë shërbime të mësimit online, do të shënojnë rritje, së bashku me kompanitë distribuuese dhe ato farmaceutike.

“Platformat digjitale të cilat ofrojnë mundësi komunikimi në distancë me nxënësit po ashtu kanë rritje të kërkesës sepse mësimi nuk do të bëhet në formën tradicionale siç është bërë deri më tani. Pastaj si sektor që do të përfitojë nga kjo situatë e krijuar nga koronavirusi janë të gjitha ata dyqane që do të kenë dhe shërbime transporti, që do t’ju mundësojnë klientëve që produktin ta marrin te shtëpia. Edhe ato kompani që produktet e tyre i shesin online do të kenë rritje të fitimit nga ajo që kanë pas deri më tani”, thotë Ademi.

Ndërkohë, ekspertët theksojnë se për ekonominë e Maqedonisë së Veriut, ky vit për shkak të pandemisë së koronavirusit do të jetë viti më i vështirë që nga pavarësia e shtetit, sa i përket mbijetesës së më shumë bizneseve, pasi dëmet do të jenë shumë vështirë të rikuperohen.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG