Rasti i Nezir Mehmetajt: Tre vjet në burg në Serbi, pak gjasa për transferim në Kosovë

Valon Mehmetaj nga fshati Rudicë e Klinës nuk guxon të shkojë në Serbi për të vizituar vëllain e tij, Nezirin, i cili qe tre vjet ndodhet në paraburgim në Beograd.

Ai u arrestua nga policia serbe në pikën kufitare në Merdare në janar të vitit 2020, nën dyshimet se ka kryer krime të luftës gjatë vitit 1999 në fshatin e tij të lindjes.

“Unë dhe vëllezërit nuk guxojmë që të shkojmë ta vizitojmë sepse mund të jemi pre e arrestimeve të njëjta”, thotë Valoni për Radion Evropa e Lirë.

Nezir Mehmetaj kishte një urdhër-arrest aktiv nën dyshimet se si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në qytetin e Klinës, kishte marrë pjesë në vrasjen dhe maltretimin e të paktën shtatë personave, përfshirë serbë dhe romë.

Në këtë rast janë mbajtur disa seanca gjyqësore dhe kanë dhënë dëshmitë e tyre disa dëshmitarë, por ende nuk ka një datë të përfundimit të gjykimit.

SHIKONI EDHE: Gjykata refuzon ndryshimin e masës së paraburgimit për Nezir Mehmetajn

Kërkesa e paefektshme për transferim

Pas më shumë se tre vjetësh, ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, i ka kërkuar përmes një letre zyrtare ministres së Drejtësisë të Serbisë, Maja Popoviq, transferimin e Nezir Mehmetajt në Kosovë, si dhe të një kosovari tjetër, Petrit Dula, i dënuar me dy vjet burgim nga Gjykata në Serbi për kryerjen e krimeve të luftës në Kosovë.


Në letrën e ministres Haxhiu thuhet se proceset e deritashme gjyqësore ndaj Mehmetajt dhe Dulës janë shoqëruar nga shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.

“Çdo akuzë ndaj tyre për krimet e pretenduara, duhet trajtuar nga organet e drejtësisë në Republikën e Kosovës”, thuhet në letrën e ministres Haxhiu.

Kjo kërkesë ka rritur shpresat e familjarëve të Nezir Mehmetajt, pasi, siç thotë vëllai i tij, Valoni, për herë të parë shihet një qasje serioze nga institucionet e Kosovës.

“Është një iniciativë e rëndësishme, sepse deri më sot nuk ka pasur një iniciativë të tillë. Neziri duhet të lirohet. Është një rast i montuar. Kjo dihet nga fillimi”, thotë ai.

Megjithatë, njohësi i sistemit juridik në Kosovë, Ehat Miftaraj, ka pak besim se letra e ministres Haxhiu do të mund të prodhojë ndonjë efekt tjetër përveç presionit publik.

“Në bazë të Rezolutës 1244, por edhe në bazë të praktikës së ndërtuar nga UNMIK-u [Misioni i OKB-së në Kosovë], EULEX-i [Misioni Evropian për Sundim të Ligjit] dhe Kosova, prej vitit 1999 e këtej është ndërtuar standardi që të gjitha krimet që dyshohet se janë kryer në territorin e Kosovës, duhet të hetohen, ndiqen dhe gjykohen vetëm nga autoritetet kompetente në Kosovë”, thotë Miftaraj.

Këto praktika, sipas tij, përjashtojnë të drejtën e Serbisë për të arrestuar dhe gjykuar shtetas kosovarë për pretendimet se kanë kryer krime të luftës në Kosovë.

Në Serbi pa përgjigje

Pas kërkesës së institucioneve të Kosovës për transferimin e dy kosovarëve, Ministria e Drejtësisë e Serbisë deri në publikimin e tekstit, nuk u ka kthyer përgjigje pyetjeve të dërguara nga Radio Evropa e Lirë.

Njëjtë ka vepruar edhe Zyra e Prokurorit për Krime Luftë në Serbi.

Fakti se Serbia nuk e njeh shtetin e Kosovës, si dhe mungesa e bashkëpunimit juridik ndërmjet të dyja shteteve, sipas Miftarajt, zbeh çdo mundësi që të ndodhë transferimi i Mehmetajt dhe Dulës në Kosovë.

Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar rreth 40 marrëveshje në Bruksel ku parashihej edhe bashkëpunimi juridik ndërmjet të dyja vendeve.

Por, bashkëpunim të mirëfilltë asnjëherë nuk ka pasur, sidomos në rastet e krimeve të luftës.

Të pyetur nga Radio Evropa e Lirë, në lidhje me kërkesën e Kosovës për transferimin e dy kosovarëve nga Serbia në Kosovë dhe nëse marrëveshjet e kaluara mund të shërbejnë si bazë, zyrtarët e Bashkimit Evropian nuk i janë përgjigjur interesimit të REL-it.

Që nga përfundimi i luftës, Serbia ka arrestuar dhjetëra qytetarë të Kosovës si të dyshuar për kryerjen e krimeve të luftës.

Me gjithë insistimin e Kosovës që kjo çështje të përfshihej në procesin e bisedimeve Prishtinë-Beograd, fletarrestime kundër kosovarëve Serbia vazhdon të lëshojë edhe sot.

Rasti Mehmetaj dhe mbrojtja e tij

Ndryshe, që nga dita e parë, Nezir Mehmetaj ka mohuar se ka qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai ka deklaruar se ka lindur në fshatin Rudicë të Klinës dhe se kishte shkuar për të jetuar në Zvicër në vitin 1987. Aty ai pretendon se ka punuar deri kur është arrestuar.

Krimet për të cilat Neziraj akuzohet, dyshohet se janë kryer në muajin qershor 1999.

SHIKONI EDHE: Serbia ngrit aktakuzë për krime lufte ndaj Nezir Mehmetajt

I kontaktuar nga REL-i, avokati mbrojtës i Nezir Mehmetaj, Miliq Konstantinoviq, tha se për momentin nuk mund të përgjigjej.

Megjithatë, në kushte anonimiteti, një nga ish-pjesëtarët e ekipit mbrojtës të Mehmetajt tha për REL-in se prokuroria nuk ka dëshmi bindëse se i akuzuari ka kryer krime, për të cilat akuzohet.

“Në procedurën, e cila zgjati gati tre vjet, u dëgjuan dëshmitarë të shumtë të cilët nuk mundën të konfirmonin drejtpërdrejt nëse Neziri ka marrë pjesë në ngjarjet për të cilat akuzohet”, tha ai.

Sipas një raporti të publikuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi që ka monitoruar seancat gjyqësore në këtë rast, ekipi mbrojtës i Mehmetajt, pretendon se mosprania e tij në Kosovë gjatë kohës për të cilën ai akuzohet se ka kryer krime vërtetohet “qartë edhe nga pasqyra e të ardhurave, pasi nga shumat që ka marrë, rezulton se deri në gusht të vitit 1999 nuk i ka shfrytëzuar ditët e pushimit apo të pushimit mjekësor”.

Sipas dëshmive në gjykatë, në shtator të vitit 1999 Mehmetaj shkoi në Shqipëri ku nëna dhe motra e tij ishin duke qëndruar. Atje, në Durrës, ai tha se bleu një makinë dhe erdhi me nënën dhe motrën në fshatin e tij, Rudicë, ku tha se qëndroi për tre muaj dhe në fund të nëntorit 1999 u kthye në Zvicër.

Çfarë thanë dëshmitarët në gjykatë?

Gjatë seancave gjyqësore janë dëgjuar pesë dëshmitarë, për të cilët mbrojtja ka hedhur dyshime se kanë parë drejtpërdrejt Nezirin në kohën kur supozohet se ai së bashku me pjesëtarë të tjerë të paidentifikuar të UÇK-së kishin maltretuar, vrarë, plaçkitur dhe djegur pasurinë e disa prej banorëve serbë dhe romë të fshatit Rudicë të Klinës.

Njëri nga dëshmitarët, Lubisha Dashiq, ka thënë në gjykatë se ka dëgjuar nga bashkëvendësit se çfarë kishte ndodhur me babanë, vëllain, dy kushëri dhe kunatën e tij, të cilët ishin vrarë. Ai nuk është dëshmitar okular dhe nuk i tregoi emrat e personave që i thanë se Nezir Mehmetaj ishte përgjegjës për vrasjen e tyre.

Dëshmitari tjetër, Millutin Dashiq, ka deklaruar se nuk e njeh të akuzuarin dhe se informacionin për vrasjen e familjarëve të tij e kishte marrë nga një bashkëfshatar.

Dëshmitarja tjetër, Sllavica Vratnica, tha se kuptoi për vrasjen e nënës së saj në tetor 1999. Ajo tha se dëgjoi se i akuzuari ishte personi kryesor që mori pjesë në vrasje.

Ndërkohë dëshmitari i prokurorisë, Xhevat Xhelaj, nuk ka pasur njohuri të drejtpërdrejta për ngjarjen kritike.

Ai tha para gjykatës se ka dëgjuar nga anëtarët e familjes së tij, se pjesëtarët e UÇK-së morën Mihailin, Jovankën, Draganin dhe Dragutin Dashiqin, të cilët më vonë i vranë. Ai tha, po ashtu, se ka dëgjuar se pjesëtarët e UÇK-së e kanë nxjerrë Zorka Shiljakoviqin nga shtëpia dhe e kanë vrarë dhe se kanë abuzuar me popullatën joshqiptare.

Ai tha se e njeh mirë të akuzuarin sepse të dy janë nga fshati Rudicë. Mirëpo, në rrëfimet që ka dëgjuar, ka thënë se askush nuk e ka përmendur të akuzuarin.

Prova e kontestuar

Prokuroria në Serbi përdori një fotografi të vitit 1999 ku shiheshin disa pjesëtarë të UÇK-së në Koshare.

Në atë fotografi, sipas prokurorisë, ishte Nezir Mehmetaj. Por, ky pretendim u demantua pasi personi në fjalë ishte ish-pjesëtari i UÇK-së, tani kryetar i Obiliqit, Xhafer Gashi.

*Fotografia nga video-incizim i agjencisë së lajmeve Reuters (minuta 02:22).

Vetë Gashi konfirmoi për REL-in se në fotografi ishte ai gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Ai tha se këtë fakt e ka dëshmuar edhe para organeve të drejtësisë së Kosovës.

Procesi gjyqësor ndaj Nezir Mehmetajt nuk dihet se kur do të përfundojë pasi prokuroria në këtë rast ka një dëshmitar të mbrojtur, i cili në disa prej seancave të fundit nuk i është përgjigjur ftesës së gjykatës.

Organet e rendit në Serbi nuk kanë mundur ta gjejnë në adresën, në të cilën kishte thënë se jetonte.

Ai është i ftuar sërish që të paraqitet para gjykatës në fund të muajit prill.

REL-i ka provuar që të bjerë në kontakt edhe me familjarët e Petrit Dulës, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur.

Ai u dënua nga Gjykata e Lartë e Beogradit me dy vjet burgim për pjesëmarrje në rrahjen e një civili në një fshat të Gjakovës në vitin 1999.

Kontribuoi: Sandra Cvetkoviq