Rreth 250 kilometra larg Prishtinës, dy kosovarë kanë gjetur strehë në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë.
Si ata të dy, ndër vite, edhe shumë pjesëtarë të tjerë të komunitetit LGBTI+ (lesbike, gei, biseksual, transgjinor, ndërgjinor, etj) nga Kosova janë detyruar të zhvendosen në Shqipëri, kur janë dëbuar nga shtëpitë e tyre.
Kjo pasi që në Kosovë, edhe pse është premtuar që katër vjet, ende nuk ka një strehimore për personat e këtij komuniteti. Destinacion i tyre mbetet qendra Streha në Shqipëri.
“Streha u hap kur vumë re që, shkaku i dëshirës për të jetuar më të lirë, disa njerëz tregonin identitetin e tyre dhe, si pasojë, e humbnin vendin ku po qëndronin. Familjet i nxirrnin jashtë dhe ata ngelnin të pastrehë”, thotë drejtoresha ekzekutive e kësaj qendre, Adelajda Alikaj, për Radion Evropa e Lirë.
SHIKONI EDHE: "Ligj vetëm në letër": Kosova cilësohet jomikpritëse për personat LGBTI+Kjo qendër ofron strehim për rreth gjashtë muaj për personat LGBTI+ të moshës 18-29 vjeç. Por, ajo ofron edhe shërbime të ndryshme, si: programe të mbështetjes për qira, shërbime psiko-sociale, kurse profesionale, ndërmjetësim me familjarë etj.
Përveç pjesëtarëve të këtij komuniteti nga Shqipëria, Streha është bërë shtëpi edhe e personave shqipfolës nga rajoni, përkatësisht Kosova, Maqedonia e Veriut e Mali i Zi.
Tetë persona janë të punësuar në këtë qendër, që ka kapacitet të strehojë tetë persona, por që ofron shërbime në distancë edhe për shumë të tjerë.
“Nevoja më e madhe është që këta të gjejnë njerëz të ngjashëm me ta dhe të flasin për sfidat që i kanë kaluar. Nuk është në rregullore që ata duhet të krijojnë shoqëri, pasi që secili e përjeton udhëtimin e tij në mënyrën e vet. Por, thuajse në të gjitha rastet, atyre u krijohet një lidhje si familje”, tregon Alikaj.
SHIKONI EDHE: "Kemi qenë dhe do të jemi": Parada e Krenarisë në PrishtinëPse nevojitet një strehimore në Prishtinë?
Alikaj thotë se problemet me të cilat përballen personat e këtij komuniteti nga Kosova, janë të ngjashme me ato që i kanë personat që vijnë nga Shqipëria, por se sfidat e tyre “janë unike”.
Ajo tregon se ka probleme logjistike që e vështirësojnë procesin për personat nga Kosova, si procedurat për marrjen e lejes së qëndrimit, shërbimeve mjekësore, gjetjes së punës, hapjes së xhirollogarive bankare etj.
“Kemi punuar ndër vite që të mos ketë barriera dhe të mos pengohet marrja e shërbimeve. Por, ka goxha punë. Rastet që referohen nga Kosova janë një punë e dyfishtë për të gjithë stafin”, thotë Alikaj.
Për këto arsye e shumë të tjera, Arbër Nuhiu, udhëheqës i Qendrës për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore (CSGD) në Kosovë, ka vite që kërkon një strehimore të tillë edhe në Kosovë.
Edhe pse thotë se nuk mbahen statistika, Nuhiu vlerëson se janë rreth 20-30 raste në vit që kanë nevojë për strehim. Por, qendra Streha në Tiranë nuk ka vend për të gjithë.
“Ne, fatkeqësisht, duhet t’i përzgjedhim se cilat janë rastet më të rënda e që nuk është aspak e lehtë, sepse, normalisht, secili rast është serioz. Por, duhet t’i përzgjedhim ata që e dimë që e kanë më urgjente situatën”, thotë Nuhiu për Radion Evropa e Lirë.
Në Kosovë, aktualisht, ka vetëm strehimore për gratë, të cilat përjetojnë dhunë në familje. Nuhiu tregon se këto strehimore nuk janë mikpritëse për personat e komunitetit LGBTI+.
“Një djalë gei nuk ka asnjë mundësi të hyjë në strehimore të grave. Për një grua transgjinore është gjithashtu problem. Ndoshta për gratë lesbike do të ishte më lehtë, por për djemtë gei e për gratë transgjinore e të tjerët është shumë problem”, thotë ai.
Puna për ndërtimin e një strehimoreje të tillë kishte nisur qysh në vitin 2021, kur Drejtoria e Mirëqenies Sociale në Prishtinë kishte paraparë rreth 300 mijë euro për ndërtimin e saj.
Megjithatë, edhe në Javën e Krenarisë së sivjetme në Prishtinë - që u mbajt nga 3 deri më 8 qershor - sërish u theksua problemi i premtimit të pambajtur për ndërtimin e kësaj strehimoreje.
Pse nuk është ndërtuar strehimorja në Prishtinë?
Drejtoresha e Mirëqenies Sociale në Komunën e Prishtinës, Adelinë Sahiti, thotë se projekti u pezullua vitin e kaluar, për shkak të “mungesës së praktikave të nevojshme për funksionalizimin e tij”.
“Fillimisht, përfaqësuesit e komunitetit kanë kërkuar që strehimorja të vendoset në periferi të Prishtinës për arsye sigurie. Megjithatë, më vonë, të njëjtët përfaqësues kanë propozuar që lokacioni të jetë në zonë urbane, gjithashtu për arsye sigurie”, thotë Sahiti për REL-in.
Por, Nuhiu nga CSGD-ja thotë se kjo deklaratë nuk qëndron. Ai thotë se vetë zyrtarët komunalë në Prishtinë kanë sugjeruar të ndryshohet lokacioni që ishte përcaktuar fillimisht, për shkaqe sigurie.
“Vetë zyrtarët e komunës na kanë thënë që është problem të ndërtohet aty, sepse banorët e kanë kuptuar se çfarë po planifikohet dhe është e rrezikshme. Ky është sugjerim dhe dakordim i përbashkët. Normalisht që është dashur të ndryshohet pastaj lokacioni, nuk është që ne kemi ndërruar mendim”, thotë Nuhiu.
SHIKONI EDHE: Në Kosovë nis zyrtarisht Java e KrenarisëAi shprehet i pasigurt se kur mund të finalizohet projekti.
Ndërkohë, Sahiti thotë se, pasi të përcaktohet lokacioni i ri, atëherë mund të nisë puna për ndërtimin dhe funksionalizimin e qendrës.
As ajo nuk jep përgjigje konkrete në pyetjen se kur mund të pritet finalizimi i saj.
Çka mund të mësohet nga strehimorja në Tiranë?
Lidhur me lokacionin e strehimores, Alikaj, nga qendra Streha, sugjeron që strehimorja të ndërtohet diku në qendër të Prishtinës.
“Vendet që ne marrim me qira, kanë qenë gjithmonë në zona në qendër. Në periferi do të ishte shumë e rrezikshme. Në qendër ka më shumë policë, ka më shumë mbrojtje”, thotë Alikaj.
Ajo shton se, edhe pse e vendosur në qendër, Streha është përballur me probleme shkaku i homofobisë, por beson se problemet e tilla do të ishin edhe më të theksuara nëse Streha do të ishte e vendosur diku në periferi.
Në vitin 2022, Streha ishte shpërblyer me “Çmimin për të Drejtat e Njeriut 2022” nga Komisioni Kombëtar Konsultativ Francez për të Drejtat e Njeriut.
Alikaj beson se disa nga praktikat që e kanë bërë Strehën të suksesshme, janë përshtatja e shërbimeve sipas nevojave të secilit person të strehuar aty dhe kuptimi i efekteve që mund t’i kenë traumat te një person.
“Vetë Streha është krijuar si nevojë e shoqërisë në atë kohë. Ne e shohim nevojën dhe i përgjigjemi asaj”, thotë Alikaj.
Sipas raportit të sivjetmë të organizatës Amnesty International, personat LGBTI+ në Kosovë përballen me diskriminim dhe nivel të ulët të pranueshmërisë në shoqëri. Alikaj tregon se situata është e ngjashme edhe në Shqipëri.
Por, në një raport të publikuar në mars të këtij viti, nga Spartacus Gay Travel Index, Kosova është renditur si vendi më pak mikpritës për personat e komunitetit LGBTI+ në mesin e vendeve të Ballkanit dhe më keq se vendet e Bashkimit Evropian.